SHBA-ja dhe Ukraina dënojnë pjesëmarrjen e Vulinit në një konferencë në Moskë
Ambasadat e Ukrainës dhe të Shteteve të Bashkuara në Beograd, e kanë kritikuar, veç e veç, pjesëmarrjen e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) të Serbisë, Aleksandër Vulin, në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë.
Ambasada e Ukrainës, ka thënë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë se, Serbia dhe Ukraina synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, dhe se, në këtë kontekst, Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
“Ne llogarisim në faktin se vendi kandidat për anëtarësim në BE do t’i bashkohet politikës së përbashkët evropiane ndaj shtetit agresor, Federatës Ruse”, ka thënë Ambasada e Ukrainës.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë se, “askush nuk duhet t’i japë legjitimitet veprimit rus, duke bashkëpunuar me Kremlinin, sikur gjithçka është në rregull”.
“Agresioni i Rusisë kundër fqinjit të saj paqësor, Ukrainës, është i paligjshëm dhe i paarsyeshëm. Vladimir Putin filloi këtë luftë brutale. Ai mund, dhe duhet t’i japë fund menjëherë, dhe të ndalojë vdekjen dhe shkatërrimin që po shkakton lufta e tij”, ka thënë mes tjerash Hill.
Media shtetërore ruse ka raportuar më 24 maj se drejtori i BIA-s, Vulin, ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë.
Informacioni zyrtar për pjesëmarrjen e tij në Konferencën në Moskë, nuk është publikuar në faqet e internetit të institucioneve zyrtare në Serbi.
As Qeveria e Serbisë, nuk është përgjigjur në pyetjet e REL-it lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë, mediat serbe kanë raportua se edhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, ishte pjesëmarrës në konferencë. Por e mohoi më pasë.
Rruga Press