Lajme

Biblioteka e Adem Demaçit, hapësirë e veçantë brenda asaj Kombëtares

Edicioni i 20-të i Javës së Bibliotekës në Kosovë ka nisur mbrëmjen e së hënës me temën “Biblioteka dhe shërbimi i referencave”. Para se të fillonte ceremonia zyrtare e hapjes u përurua Biblioteka e Adem Demaçit me shumë nga librat e gjësendet personale. Kjo hapësirë është përshkruar si vlerë e shtuar brenda Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. E Java e Bibliotekës në Kosovë sivjet do të ketë një numër ngjarjesh, jo veç në Prishtinë
Me hapjen e Bibliotekës së Adem Demaçit, brenda hapësirave të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës nisi edicioni i 20-të i Javës së Bibliotekës në Kosovë. Para se të bëhej hapja zyrtare e edicionit jubilar, të gjithë të pranishmit janë mbledhur në katin e sipërm për të parë nga afër librat, fletoret e shënimeve e shumëçka tjetër që i takonte veprimtarit Adem Demaçi, e që tash familja e tij i ka dhuruar për Bibliotekën Kombëtare. Shiritin e prenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nipi i Adem Demaçit, Diell Demaçi, dhe punëtori më i vjetër i Bibliotekës Kombëtare, Avdi Lakna. E tërë kjo ceremoni është përcjellë me këngën e Vaçe Zelës “Për ty atdhe”. E Adem Demaçi gjatë gjithë jetës së tij në forma të ndryshme ka qenë në shërbim të atdheut. Për këtë edhe ka mbajtur gati tri dekada burg nga regjimi jugosllav.

Biblioteka e Adem Demaçit, tash nën strehën e asaj “Pjetër Bogdani”, edhe pse jo aq e madhe me hapësirë brenda vetes mbart shumë histori. Një copë të madhe nga jeta e shkrimtarit e atdhetarit të shquar. Mirënjohje të shumta, dhurata që kishte marrë gjatë jetës, fletore ku mbante shënime nga të cilat në sy binte njëra që qëndronte e hapur në faqen ku kishte shkruar emrat e shokëve të tij të ngushtë. Aty zinte vend edhe një trofe futbolli. Ai i Fadil Vokrrit , të cilin vetë Vokrri ia kishte dhuruar kur Demaçi kishte dalë nga burgu. Krejt këto tash të qasshme edhe për vizitorët e Bibliotekës Kombëtare. Është krijuar si hapësirë që ngjan me ambientin që Demaçi e kishte në shtëpi. Vizitori futet në përditshmërinë e tij.

Pas vizitës në Bibliotekën e Adem Demaçit të pranishmit u zhvendosën në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për të vazhduar me hapjen e Javës së Bibliotekës në Kosovë. U pritën nën tingujt e pianos ku ka luajtur pianistja Ditë Hysaj dhe të flautit nga flautistja Anila Hysaj.

Fjalën i pari e mori kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se para bibliotekës të gjithë janë të barabartë. E me ardhjen e Bibliotekës së Adem Demaçit do të përmbushet barazia e publikut.

“Po e hapim sot Javën e 20-të të Bibliotekës, biblioteka është teknologji e lartë, arkivim i lartë është dije e lartë dhe përmban një lëndë sublime: mendimin. Andaj, edhe janë paraparë panele studiuesish, arkivuesit e bibliotekarësh. Java e Bibliotekës vetëm na bën nder, sepse është kultura për të gjithë, është dija për të gjithë, është shija për të gjithë. Përpara bibliotekës të gjitha janë të barabartë. Kjo bibliotekë nga personale po vjen dhe e përmbush barazinë e publikut. Ajo mban emrin e madh Adem Demaçi, veprimtarit dhe intelektualit të papërsëritshëm“, ka thënë Kurti.

Lexo më shumë  Dita e Forcës, Kurti: Kemi shumëfishim të pajisjeve nga Turqia, Gjermania, Kroacia...

Sipas tij, me rritjen e informimit dhe medieve sociale koha do të jetë e shpërqendruar, sidomos te brezi i ri. “Nëse nuk do të kthehemi te biblioteka, te përqendrimi, atëherë aftësia jonë për t’u përqendruar nuk do të jetë më vetia jonë”, ka thënë ai. Sipas kryeministrit Kurti, sa më shumë koha e reflektimit dhe përgjigjes shkurtohet, aq më shumë frazat do të kenë më pak nevojën e fjalës, “më pak nuancën dhe ndjeshmërinë në komunikim, nuk do ta kenë cilësinë retorike, aq më shumë do të ngjajnë frazat tona me njëra-tjetrën”.

“Viktima kryesore e këtij degradimi do të jetë fjala mbretëreshë e filozofisë nga Platoni te Kanti, pra, ideja. Sepse ideja ka nevojë për reflektime intime të gjata dhe për debate të duruara e të sjellshme, për të folurin në gjuhën e tjetrit. Për këtë duhet libri, aty ku autori flet gjatë dhe ne dëgjojmë me vëmendje”, ka thënë ai.

Djali i Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi, në veçanti e ka falënderuar stafin e Bibliotekës Kombëtare. Pas falënderimeve ai kishte zgjedhur që të ndante me të pranishmit idenë e babait të tij në lidhje me lëvizjen politike “Harmonia”.

“Nuk do të mund të falënderoj të gjithë nëse filloj, por në veçanti e falënderoj udhëheqjen e Bibliotekës, e cila idenë e sjelljes së bibliotekës së babait tim Ademit këtu e pranoi me zemërgjerësi dhe u organizuam. Në vend të ndonjë fjale tjetër unë këtu do të vazhdoja me fjalët që i përmendi kryeministri Albini lidhur më idetë. Këtu do ta lexoj idenë e Ademit, babait, në lidhje me lëvizjen politike ‘Harmonia’. Këtë e ka shkruar më 11 gusht në vitin 2014. Lëvizja politike ‘Harmonia’, ne bijtë e bijat e kombit tonë, me vullnet të fortë po i bashkojmë të gjitha forcat e mundësitë tona që t’i shërbejmë pa hile kombit tonë dhe që të mbështesim me të gjitha mënyrat demokratike e humane qytetarët e atdheut tonë’”, ka cituar ai.

Me prejardhje nga fshati Lupç i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa vdiq më 26 korrik të vitit 2018. Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet burg. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me çmimin “Sakharov”. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Si shkrimtar i njohur e veprimtar për të drejtat e njeriut, Demaçi vazhdimisht ka bërë edhe thirrje që njerëzit të pajisen me dije.

E kryefjala e mbrëmjes së të hënës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ishte dija. Nuk mungoi në fjalimin e asnjë prej të pranishmëve. Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti. Ai ka thënë se kjo është një ngjarje e rëndësishme kulturore që secilin e lidh me kujtesën kolektive e sociale.

“Ngjarje e çmueshme për institucionin e librit na lidh me kujtesën tonë kolektive sociale, e para me kujtesën historike e kulturore që mbart më vete Biblioteka Kombëtare e Kosovës, e dyta me kujdesin institucional e individual për librin, e treta me karakterin thellësisht universal të librit dhe aspiratat tona për të qenë e për të mbetur pjesë e këtij universi “, ka thënë Qerimi.

E drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, hapjen e Bibliotekës së Adem Demaçit e vlerësoi si më të veçantën nga të gjitha aktivitetet e tjera në kuadër të “Javës…”.

“Sot jemi bashkë në hapjen e veprimtarisë e edicionit të 20-të të Javës së Bibliotekës në Kosovë që po shoqërohet edhe me aktivitete e veprimtari kulturore të rëndësishme. Më e veçanta që tashmë e pamë dhe morëm pjesë ishte inaugurimi i Bibliotekës se figurës emblematike të rezistencës, Adem Demaçi”, ka thënë Gajraku.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bardh Rugova, ka thënë se në bibliotekën me mbiemrin etiketë: kombëtare, më shumë se gjithçka tjetër, tregon se ka të bëjë me simbolin e një arkivi të dijes së këtij vendi, të trashëgimisë së dijes së Kosovës.

“Teoria mbizotëruese për shpjegimin e gjuhës së folur te njerëzit kundruall primatëve të tjerë është ajo e revolucionit kognitiv rreth 40 mijë vjet më parë, sipas së cilës ajo që na dallon është aftësia për të dhënë e marrë informacione, për të shkëmbyer ide. Narrativat tona të përbashkëta të këtij shkëmbimi i kemi shndërruar në ato që Foucoult i quan arkiv i dijes, simbolizuar nga bibliotekat dhe referencat tutje si simbol i përçuarjes së kësaj dije”, ka thënë Rugova.

E pranishme ishte edhe zëvendësdrejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Etleva Domi, e cila nuk e la pa e përmendur se me gjithë zhvillimet teknologjike, nuk ka diçka që e zbeh rëndësinë e peshën e librit si rrezatimi më i mirë i dijes.

“Edhe në epokën e autostradës informatike, kibernetikës dhe internetit, të botës së virtualitetit, të modernitetit virtual, të lirisë së informimit, shprehjes për zgjedhje, e bibliotekave digjitale, në një kohë kur po rritet një gjeneratë elektronike bibliotekat vijojnë të mbeten vatrat kryesore të rrezatimit të kulturës së vërtetë librore dhe libri bartësi më i mirë i dijes dhe më i sigurti i kulturës”, ka thënë Domi.

Për aktivitetet e tjera në kuadër të Javës së Bibliotekës në Kosovë ka folur drejtori Gajraku.

“Java e Bibliotekës në Kosovë është një organizim që i përfshin të gjitha bibliotekat e Kosovës dhe është duke u mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Tema e ‘Javës se Bibliotekës në Kosovë’ këtë vit është ‘Biblioteka dhe shërbimi i referencave’ me përqendrim të vëmendjes të shërbimi i referencës që është pjesë e pandashme e punës së përditshme bibliotekare”, ka thënë Gajraku.

Hapjes zyrtare i parapriu një ligjëratë nga Denise Hibay, drejtoreshë e shërbimeve të koleksioneve dhe kërkimit në Bibliotekën publike të New Yorkut dhe një ekspozitë më katalogë, revista e posterë të rrallë nga koleksioni i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”./Koha.net

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *