Opinion/Aktualitet

Zgjedhjet që fundosën fabulën me Non grata dhe pro amerikanë

Nga Andi Bushati

Përpos rezultatit maramendës së Edi Ramës, surpriza e dytë e këtyre zgjedhjeve ishte se ato i dhanë fund një dualizmi absurd, të imponuar me dhunë nga kasta politiko diplomatike dhe studiot televizive: atij midis non gratave dhe pro amerikanëve të këtij vendi.

Do të ishte tepër simpliste që argumentimi i kësaj teze të bëhej duke marrë për bazë vetëm krahasimin mes rezultateve të Berishës në raport me atë të PD-së së vulës. Këtu çështja nuk do shtrohej fare në për diskutim. Nëse në qendrën politike të vendit, në kryeqytet, përfaqësuesit e Non gratas morën 40% dhe idhtarët e thekur të vlerave pro atlanitike u votouan dhjetë fish më pak (të tilla janë raportet pothuajse edhe në shkallë kombëtare), kjo do i binte që Shqipëria të ketë formëzuar një shumicë dërrmuese anti perendimore.

Por, fatkeqësisht çështja është më e komplikuar. Sepse duke ditur që opozitës (pra dy PD-ve bashkë), i munguan këtë radhë 200 mijë vota më pak në raport me zgjedhjet e përgjithshme, pyetja që duhet ngritur është se ku shkuan ato. Përmes një analize numerike të shkëlqyer, kolegu Gjergj Erebara, nga agjensia BIRN, na tregon gjurmët e rrjedhjes së kësaj vote. Dhe aty kuptojmë lehtësisht se, përmes non gratave të tjerë, zgjedhësit e rëmbyer nga ish PD-ja kanë shkuar drejt Edi Ramës. Në pak vite PSD-ja e Tom Doshit është shndërruar në forcën e tretë politike në vend. Ajo nuk ka qenë vendimtare vetëm në Shkodër dhe në Vaun e Dejës, por pothuajse në gjithë Veriun. Në Lezhë partia me kryetar non grata ka shkuar deri në 20 % ndërkohë që shumë vende në këshillin bashkiak kanë marë kristiandemokratët, që të vetmin deputet kanë pasur një personazh të djegur nga ligji i sponsorizuar prej amerikanëve, ai i dekriminalizimit. Ndikimi i drejtë apo i tërthortë i personave non grata ka qenë përcaktues edhe në garat e Tiranës, Vorës apo Durrësit. Pra përfundimi është se votat që iu mohuan non gratas më të shquar, Sali Berishës, u transferuan përmes të singjashmëve të tij drejt e në thesin e rilindjes. 

Lexo më shumë  𝐊𝐮𝐫 𝐦𝐞𝐝𝐢𝐚 𝐟𝐥𝐞𝐭 𝐦𝐞 𝐠𝐣𝐮𝐡𝐞̈𝐧 𝐞 𝐚𝐫𝐦𝐢𝐤𝐮𝐭: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐚𝐥𝐞𝐚𝐧𝐜𝐞̈ 𝐞 𝐫𝐫𝐞𝐳𝐢𝐤𝐬𝐡𝐦𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈𝐧

Mjafton vetëm kaq për të kuptuar se konflikti provincial mes idhtarëve të atlantizmit dhe kundërshtarëve të tyre është një konstruksion i shpikur nga hiçi. Në këtë vënd me një trashëgimi vasaliteti ndaj të medhenjve edhe Sali Berisha edhe Tom Doshi edhe Vangjush Dako edhe Aqif Rakipi, janë më proamerikanë sesa shumë qytetarë të vetë SHBA-së. Prandaj duhet të dimë ta lexojmë sinjalin që na dhanë votuesit të dielën e shkuar dhe ti japim fund fabulës që nxit masturbimin intelektual të një kaste të vogël. Dasia që janë munduar të na imponojnë, ajo mes pro dhe anti perendimorëve është një mashtrim. Këtu, në këtë vend, vota nuk ka as ngjyrim ideologjik, as preferencë gjeopolitike. Ajo përbën një ekuacion të thjeshtë mes atyre që kanë forcën, për të blerë, joshur, trafikuar, manipuluar dhe të tjerëve, që nga pafuqia mundohen, ta zvogëlojnë këtë trend. 

Lexo më shumë  Kush është me Serbinë?

Si e tillë, çdo fabul e sitisur me pro dhe antiamerikanizëm është si një pardesy Yamamoto në trupin e një krimineli. Ajo thjeshtë sherben për ti dhënë një mbulesë teorike akteve banale të manipulimit.  /Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *