Detaje të reja- bastisen pronat e tre aksionarëve dhe pesë anëtarëve të Bordit të NPB-së, si dhe tre operatorëve ekonomikë
Njësitet e Policisë së Kosovës nga Krimet Ekonomike kanë kryer disa bastisje në Prishtinë mëngjesin e së mërkurës. Siç mësohet aksioni është zhvilluar pas dyshimeve për keqpërdorime lidhur me një objekt në vlerë prej rreth 120 milionë eurosh në lagjen “Lakërishtë” në kryeqytet.
KosovaNews nga burime te saj mëson detaje të reja nga ky aksion. Mësohet se cak i bastisjeve kanë qenë zyrtarë e ish- zyrtarë të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), respektivisht janë bastisur pronat e tre aksionarëve dhe pesë anëtarëve të Bordit të NPB-së.
Po ashtu bastisje janë kryer edhe në pronat e tre operatorëve ekonomikë që janë të ndërlidhur me projektin multimilionësh lagjen “Lakërishtë” në kryeqytet.
Kujtojmë se në gusht të vitit të shkuar, Lëvizja Vetëvendosje pati dorëzuar padi ndaj NPB-së lidhur me dyshimet për keqpërdorime për ndërtimin e objektit në vlerë prej rreth 120 milionësh.
Për aksionin policor është deklaruar edhe ministri i Punëve të Mbrendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se angazhimi për luftimin e çdo lloj krimi do të intensifikohet, ndërsa ka përgëzuar Departamentin e Hetimeve për secilin rezultat të arritur. /kosovanews/
Rruga Press