Opinion/Aktualitet

Rendi “Republikan” i Emmanuel Macron-it

Rendi « republikan » i Emmanuel Macron-it: një logjikë e hekurt[1]

nga Jacques Rancière

Këto javët e fundit, Emmanuel Macron-i dhe ministrat e tij, me vetëdije të plotë, shkelën tri vija të kuqe, që asnjë nga paraardhësit nuk kish guxuar t’i kapërcente. Fillimisht, duke imponuar një ligj që Parlamenti nuk e votoi dhe që popullsia masivisht e kundërshtonte. Së dyti, duke u dhënë mbështetje të plotë dhe pa kushte formave më të dhunshme të represionit policor. Së fundi, për t’iu kundërpërgjigjur kritikave të Ligës së të Drejtave të njeriut (Ligue des Droits de l’Homme – LDH[2]), lanë të kuptohet se shoqatave me interes publik fare mirë mund t’u priteshin subvencionet në rast se shprehnin rezerva kundrejt veprimeve të qeverisë.

Qartazi, këto tri shkelje përbëjnë sistem dhe nxjerrin saktësisht në dritë konturet dhe natyrën e pushtetit që na qeveris. E para goditi, natyrisht, opinionin, në kontrast me qëndrimin e Jacques Chirac-ut gjatë grevave masive të 1995-ës, si dhe atë të Nicolas Sarkozy-së gjatë lëvizjes kundër projektligjit të « kontratës së punësimit fillestar » (Contrat Première Embauche – CPE) në 2006-ën. E megjithatë, as njëri, as tjetri nuk shquheshin për ndonjë ndjeshmëri të theksuar sociale: i pari u pat zgjedhur në bazë të një programi të rizgjimit të së djathtës sunduese, ndërsa i dyti ishte pozicionuar qartazi, duke u shprehur se objektivi i tij ishte « ta vinte Francën në punë »!

E prapëseprapë, në analizë të fundit, të dy ata patën gjykuar se, përballë kundërshtimit masiv të vetë të interesuarve, ishte e pamundur të imponohej një ligj që sillte ndryshime rrënjësore në botën e punës. Si politikanë të « modës së vjetër », ende e mendonin veten disi përgjegjës ndaj një subjekti të quajtur popull: subjekt i gjallë, që nuk kufizohej vetëm tek aritmetika simpliste e votave dhe zëri i të cilit, i shprehur përmes lëvizjeve sindikale, mobilizimeve masive në rrugë dhe reagimeve të opinionit publik, nuk mund të anashkalohej si pa gjë. Ndaj edhe në 2006-ën, ligji nuk hyri në fuqi, edhe pse u votua nga Parlamenti.

Me sa shohim, Emmanuel Macron-i është çliruar nga ky lloj naiviteti. Ai është i bindur se përtej numërimit të fletëvotimeve s’ka më asgjë, asnjë vegim apo horizont i ndonjë populli, për vullnetin e të cilit u dashka të shqetësohet. Marksi, në kohën e vet, dhe pak me teprimet e saj, thoshte se shtetet dhe krerët e tyre s’janë veç të ngarkuarit me punë dhe veglat e kapitalizmit ndërkombëtar. E pra, Emmanuel Macron-i është ndoshta i pari kryetar shteti te ne që e vërteton katërcipërisht këtë diagnozë. Ai është i vendosur t’i shkojë deri në fund zbatimit të programit që i është ngarkuar: atij të kundërrevolucionit neokonservator, i cili, qysh nga Margaret Thatcher-i, synon të shkatërrojë jo vetëm të gjitha mbetjet e çka quhej dikur « shteti social », por edhe çdo formë kundërpushteti të dalë nga bota e punës, për të siguruar kështu triumfin e plotë të një kapitalizmi të absolutizuar, që çdo formë të jetës shoqërore ia nënshtron ligjit të vetëm të tregut.

Kjo ofensivë u vetëpagëzua si neoliberalizëm, emërtim që ushqeu jo pak pështjellim e iluzione liri(k)e. Sipas trumbetuesve – por edhe shumë prej atyre që u duket se e luftojnë – termi i pafajshëm “liberalizëm” shënon thjesht zbatimin e parimit ekonomik të laisser faire / laisser passer dhe ka për korrelat kufizimin e prerogativave të shtetit, i cili tani mjaftohet vetëm me ngarkesën e thjeshtë administrative, duke hequr dorë kështu nga çdo ndërhyrje shtrënguese/detyruese në jetën publike. Të tjerë akoma, që e mbajnë veten për të mprehtë, shtojnë se madje kjo liri e rritur e qarkullimit të mallrave dhe parasë, bashkë me liberalizmin e shtetit tanimë lehtësues dhe jo më shtypës-e-shfrytëzues, pajtohen në harmoni të plotë me mënyrat e jetesës dhe mendësitë e reja të individëve, që tani e tutje kujdesen vetëm për liritë e tyre individuale.

Mirëpo, përralla e liberalizmit permisiv u përgënjeshtrua që në fillim, që me sulmet e armatosura të policisë që Margaret Thatcher-i lëshoi më 1984 (!) në betejën e Orgeave-it, betejë që synonte jo vetëm të impononte mbylljen e minierave, por edhe t’u tregonte një herë e mirë punëtorëve sindikalistë se organizimi ekonomik i vendit nuk ishte punë e tyre. No alternative do të thotë, para së gjithash, mbylleni gojën! Programi i imponimit të kapitalizmit absolut nuk ka asgjë liberale: ai është programi – thelbësisht luftarak – i shkatërrimit të gjithçkaje që bie ose ngrihet në kundërshtim me ligjin e hekurt të fitimit: uzina, organizata punëtore, ligje sociale, tradita të luftës punëtore dhe organizmit demokratik etj.

Shteti i reduktuar në shprehjen e tij më të thjeshtë nuk është aspak shteti menaxhues, porse shteti policor. Nga kjo pikëpamje, rasti i Macron-it dhe i qeverisë së tij është shembullor. S’ka se ç’diskuton as me opozitën parlamentare, as me organizatat sindikale, as me milionat e manifestuesve. As që i bëhet vonë për kundërshtimin e opinionit publik. Mjafton që njerëzit të binden dhe e vetmja forcë që i duket e nevojshme për të siguruar bindjen, e vetmja ku mund dhe synon të mbështetet qeverisja e tij, është ajo forcë që ka për mision specifik të vetin imponimin e bindjes me forcë, d.m.th. forca policore.

Nga këtu dhe shkelja e vijës së dytë. Deri tani, forcat e djathta që kishin ushtruar pushtetin para Macron-it, shprehimisht ose heshtur, kishin respektuar të paktën dy rregulla: e para, që thoshte se represioni policor i manifestuesve nuk duhet të shkonte deri në vrasje; e dyta, që thoshte se qeveria e tejkalonte të drejtën e vet atëherë kur vullneti për të imponuar politikat e saj sillte si pasojë vdekjen e kundërshtarëve të tyre. Kësaj rregulle të dyfishtë iu pat bindur, p.sh. në 1986-ën, qeveria e Jacques Chirac-ut, pas vdekjes së Malik Oussekine-it, që u rrah për vdekje nga « brigadat policore lëvizëse » gjatë manifestimeve kundër ligjit që fuste përzgjedhjen në arsimin e lartë. Jo vetëm që brigadat në fjalë u shpërbënë, por edhe ligji u abrogua.

Sot shohim se kjo doktrinë i takon qartazi së kaluarës. Brigadat lëvizëse, pasi i ringritën për të shtypur revoltën e « Jelekëve të verdhë », u përdorën ethshëm për të dhunuar manifestuesit, si në Paris edhe në Sainte-Soline, ku njëra nga viktimat gjendet ende mes jetës dhe vdekjes. Dhe edhe më e rëndë, të gjitha deklaratat e autoriteteve të çdo niveli shkojnë në një kah, për të thënë që s’ka më asnjë vijë të kuqe: aksionet luftarake të brigadave BRAV-M jo vetëm që nuk përbëjnë më provën e ekseseve të provokuara nga kokëfortësia për të imponuar një reformë antipopullore, por lëvdohen, përkundrazi, si (vetë-)mbrojtja legjitime e rendit republikan, kupto: e rendit qeveritar që don ta imponojë me çdo kusht reformën në fjalë. Dhe kushdo që merr pjesë në manifestime që, me gjasë, mund të « degjenerojnë », është vetë përgjegjës për dhunën dhe goditjet që mund të pësojë.

Ndaj edhe asnjë kritikë ndaj aksionit të forcave policore nuk është më e pranueshme, çka e bëri qeverinë të mendojë se fare mirë mund të shkelte edhe një vijë të tretë të kuqe, duke iu vërsulur një shoqate, Ligës së të Drejtave të Njeriut, që askujt nga pararendësit s’i kish kuturisur ta sulmonte, e aq më pak haptazi, duke qenë se dhe vetëm emri i saj simbolizonte mbrojtjen e atyre parimeve bazë të shtetit të së drejtës, që supozohet se janë të detyrueshme për çdo qeveri, të majtë a të djathtë.

Dhe vërtet, vëzhguesit e Ligës në terren kishin guxuar të denonconin pengesat që forcat e rendit u kishin vënë ekipeve mjekësore për evakuimin e të plagosurve në manifestim. Kaq mjaftoi që ministri i Brendshëm të vinte në dyshim të drejtën e shoqatës për të marrë financime publike. Por kjo s’ishte thjesht një reagim spontan i Kryepolicit ndaj kritikës që prekte vartësit e tij. Vetë Kryeministrja, e dalë nga radhët socialiste, doli të vërë pikat mbi i: reagimi i Ligës në denoncim të represionit masiv në Sainte-Soline s’është veç konfirmim i qëndrimit të hershëm antirepublikan të saj, çka e pati bërë shoqatën bashkëpunëtore të islamizmit radikal. Dhe vërtet, shoqata, jo vetëm që kishte vënë në dyshim kushtetueshmërinë e disa nismave ligjore kufizuese të të drejtave dhe lirive individuale, përmes ndalimit të disa lloje veshjesh dhe ndalimit të mbulimit të fytyrës në hapësirat publike, por edhe kishte vijuar më pas, duke shprehur shqetësimin e saj lidhur me dispozitat e ligjit « përforcues të parimeve të Republikës » që kufizonin de facto lirinë e grupimeve dhe të organizimit. Me një fjalë, mëkati i Ligës, si dhe i kujtdo tjetër, grupim a individ, që shtron pyetjen nëse policia i respekton vërtet të drejtat e njeriut, është se nuk është republikane e mirë.

Deklaratat e Kryeministres Borne nuk janë argumente rrethanore. Ato janë përfundimi logjik i asaj filozofisë së ashtuquajtur republikane, që s’është tjetër pos versioni intelektual i revolucionit neokonservator, programin e të cilit qeveria e saj ka marrë në ngarkim të zbatojë. Ka kohë që filozofët «republikanë» na kanë paralajmëruar, me zhurmë dhe hidhërim, se të drejtat e njeriut, që dikur kremtoheshin (me po aq zhurmë) në emër të luftës kundër totalitarizmit, në fakt nuk ishin aq gjë e mirë sa dukej. Ato ushqenin prirjet dhe kauzën e armikut të « lidhjes shoqërore »: individualizmin demokratik të masave, që shpërbënte kështu vlerat e mëdha kolektive, në emër të veçantive dhe partikularizmave.[3]

Por ja që rënkimi në emër të universalizmit republikan kundër të drejtave abuzive të individëve shpejt e gjeti armikun e vet të preferuar: francezët e fesë myslimane dhe mbi të gjitha ato vajzat gjimnaziste që rivendikonin të drejtën t’i mbanin flokët e mbuluar brenda shkollës. Me këtë rast, ja tek u zhvarros një vlerë e vjetër republikane: laiciteti! Në fillim, laiciteti nënkuptonte faktin që shteti nuk duhej të financonte mësimin fetar. Por, tani që financimi ishte bërë realitet[4], termi kishte marrë kuptim të ri: atë të detyrimit për ta patur kokën zbuluar, parim që binte ndesh sa me gjimnazistet që mbanin shami, aq dhe me manifestuesit që mbanin kapuç, maskë apo shall nëpër demonstrata.

Në të njëjtën kohë, një tjetër intelektual republikan sajoi termin « islamo-majtizëm », për të njësuar pa mbetje mbrojtjen e të drejtave të popullit palestinez me terrorizmin islamist. Zuri vend kështu, gjithnjë e më ndjeshëm, pështjellimi i organizuar nga lart mes rivendikimit të të drejtave, radikalizmit politik, ekstremizmit fetar dhe terrorizmit. Në 2006-ën, disa ëndërronin që, bashkë me shaminë, të ndalonin edhe shprehjen e ideve politike në shkollë. Kurse, në 2010-ën, përkundrazi, ndalimi i fshehjes së fytyrës në hapësirën publike i shkrinte në një gruan e mbuluar me burka, manifestuesin e maskuar me shall dhe terroristen që fsheh bombat nën perçe.

Mirëpo, ministrave të Macron-it u takon merita e pakundërshtueshme e dy arritjeve të mëdha në fushën e amalgamës « republikane »: fushata zyrtare intensive kundër « islamo-majtizmit » në universitet dhe ligji « përforcues i parimeve të Republikës », i cili, nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit, e kushtëzon krijimin e shoqatave me nënshkrimin paraprak të një « kontrate të angazhimit republikan », aq të vagullt sa të lejojë çdo lloj përdorimi arbitrar kundër tyre. Kërcënimet e përsëritura kundrejt Ligës së të Drejtave të Njeriut janë në vijimësi të plota dhe rrjedhojë logjike e kësaj doktrine.

Disa mendonin se rreptësia e disiplinës « republikane » u drejtohej vetëm popullsive myslimane « të dala nga imigracioni ». Sot, duket qartë se tehu i saj shënjestron shumë më përtej, të gjithë ato dhe ata që e kundërshtojnë rendin republikan, ashtu siç e përfytyrojnë pushtetarët tanë. Ideologjia republikane, që disa përpiqen ende, me lloj-lloj akrobacish, ta njësojnë me vlerat universaliste, barazitare apo feministe, s’është veçse ideologjia zyrtare e rendit policor, që ka për detyrë të sigurojë triumfin e kapitalizmit të absolutizuar.

Ka ardhur koha ta risjellim sërish në kujtesë: në Francë ka jo një, por dy tradita republikane. Tashmë në 1848-ën ekzistonte, nga njëra anë, thjesht republika, ajo e ruajalistëve, dhe republika demokratike dhe sociale, nga ana tjetër, e cila u shtyp në gjak nga e para në barrikadat e 1848-ës, u përjashtua nga vota e ligjit zgjedhor të 1850-ës, për t’u shtypur sërish me dhunë në dhjetor të 1851-shit. Më 1871, e kish radhën Republika e Versajezëve të mbyste në gjak republikën punëtore të Komunës së Parisit. Macroni, ministrat dhe ideologët e tij, natyrisht, nuk kanë synime vrastare. Por ama, mes dy republikave, zgjedhjen e kanë bërë, më se qartë!

Jacques Rancière është filozof, profesor emeritus në Universitetin Paris VIII

Përktheu nga frëngjishtja: Orgest Azizi/ Peisazhe të Fjalës

————————————————————————————————————————————————————————————-

[1] Ky tekst i Jacques Rancière-it u botua para pak kohësh ne revistën franceze online AOC. Nga shkëmbimet me miq e të afërt në Shqipëri, m’u duk se vura re se perceptimi për « ngjarjet në Francë » dhe flakët që zaptonin javë për javë Parisin ishte disi i paqartë, siç ndoshta edhe dëshmon, në negativ, mungesa e çdo shkrimi, këtu te Peizazhet, lidhur me to. Por shtysa për ta sjellë ishte dhe më e thellë : ka kohë që presidenca e Macron-it priret t’i ngjajë përherë e më tepër një « regjimi » (siç themi regjimi i Erdoganit, Orbanit, etj) ; por ka kohë, po ashtu, që regjimi i Macron-it duket sikur kultivon ngjashmëri të thella me atë të Ramës : i njëjti fodullëk, i njëjti vetë-besim, i njëjti cinizëm politik ndaj opozitës, i njëjti elitizëm liberal e shpërdorim retorik, e njëjta shëmti fitimtarësh (winners) – deri edhe tek i njëjti emër (Rilindje/Renaissance) për një parti të shndërruar në vegël-lëvozhgë elektorale të një njeriu-imazh. Macroni parakalon i vetën në Champs-Elysée-të e zbrazura me urdhër të prefekturës, Rama, i vetmi mashkull alfa u bën lëmoshë feminizmi grave të Korçës : a ka vërtet dallim në këto dy mohime të popullit ? (Rancière është pikërisht një nga arkeologët më të mprehtë të skenave të popullit, hetues vigjilent i formave tinëzare të fshirjes së tij, si psh këtu, në trekëndëshin e Kineastit, popullit dhe qeveritarit). Më thellë akoma, të dyja regjimet kanë veçantinë të paraqesin një formë thelbësisht policore të hipermodernitetit : mjaft të shihen shpenzimet e bëra për modernizimin e policisë (dhe hovi i tyre) në të dyja vendet… dhe të krahasohen me ato të (pa)bëra për ndreqjen e arsimit apo shëndetësisë (dhe mjerimin e tyre ulëritës). Veçse, në sipërfaqe të paktën, dallimi i skajshëm është shpeshtësia e revoltës në Francë vs qetësia e paqme (në dukje) e kafeneve dhe spektaklit monolitik të Big Brother-it në Shqipëri, shoqëruar nga ikja masive e njerëzve (në zh-dukje). Shqiptarët vërtet kanë një problem historiko-politik me dukjen dhe zhdukjen ! Por kush mund të pretendojë se i zotëron logjikat e revoltës ? Kush i priste studentët të shpërthenin në sheshe dhe rrugë para disa vitesh, apo djemtë me tuta dhe kapuç t’i vinin për pak flakën qytetit pa ujë të kullave dhe kirurgjisë estetike, në hakmarrje të vrasjes pa shkak të Klodian Rashës ? Ndërsa qyteti zvarritet mes përjetësisë batutore të « të gjatit », që vetëm zgjat pa mbarim, dhe « lalit » që bën dasma në tarracën e Bashkisë, antifrazë kitsch e filmit ultralirik të Marco Bellochio-s, mes gishtave të ngritur të njërit dhe sherreve për vulë të të tjerëve, revolta ndan me popullin të njëjtën kohësi, të njëjtën përjetësi, një përjetësi tjetër : ajo, si ai, është përherë… në ardhje !

[2] Ligue des droits de l’Homme et du citoyen është një nga shoqatat me te vjetra në Francë, « e themeluar më 1898, për mbrojtjen e një të pafajshmi, kapitenit Dreyfuss, ajo është pjesë e çdo beteje për drejtësi, liri, të drejta civile dhe politike, të drejta ekonomike, sociale dhe kulturore, kundër racizmit dhe antisemitizmit prej mëse 120 vjetësh »

[3] Këtë kritikë të ligjërimit të ri « republikan », i cili rri puthitur pas ideologjisë së shtetit dhe vlen njëherazi si formë e re e ligjërimit të elitave kundër « individualizmit të masave konsumatore », ligjërim tek i cili ai identifikon, në thelb, një inat/urrejtje ndaj skandalit demokratik, Rancière e ka parashtruar me gjerë te La Haine de la démocratie, (bot. La Fabrique, Paris, 2005). Model i moralistëve « republikanë », në version teoretik hard : Jean-Claude Milner, në versionin mediatik soft dhe të hidhëruar : Alain Finkielkraut. Për teorizimin e skandalit demokratik, si themel i pathemelisë së politikës, shih, J. Rancière, Mosmarrëveshja. Politikë dhe filozofi, përkth. shqip. E. Hoxha, bot. ZENIT, Tiranë, 2012.

[4] Në Francë, arsimi privat, nga fillorja në gjimnaz, në rastet kur ka marrëveshje për respektimin e të njëjtave programe pedagogjike të udhëzuara nga Ministria e arsimit  (établissement sous contrat), financohet gjerësisht nga shteti. Gjë që i lejon arsimit privat të jetë pak i kushtueshëm, dhe pra shumë i përhapur. Në dallim nga « publiku », « privati » ka për më tepër të drejtën të zgjedhë nxënësit e vet, pra nuk « pëson » ata më problematikët, që « ngecin » te publiku. Kjo ul nivelin e publikut, dhe rrit dëshirën (sidomos të prindërve) për privatin. Tendenca shkon në rritje. Shqiptarët e njohin mirë tanimë këtë skemë. Mirëpo, dallimi është se, në Francë, mbi 95 % e arsimit privat, administrohet nga kleri, kryesisht katolik.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *