Lajme

Kurti në Polici: Me deklaratën për të zhdukurit Serbia pranoi hapjen e arkivave

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se me Deklaratën për të zhdukurit Serbia ka pranuar hapjen e arkivave. Sipas tij pas mohimit 24-vjeçar, Serbia ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës në Kosovë.

Këto komente Kurti i ka bërë të mërkurën, kur bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar Drejtorinë e porsa themeluar për hetimin e krimeve të luftës në Policinë e Kosovës, e cila në të kaluarën ka qenë në nivel sektori.

Sipas një komunikate për media të Qeverisë, Kurti gjatë kësaj vizite ka theksuar rëndësinë e adoptimit të deklaratës për personat e zhdukur, me të cilën, sipas tij, pas mohimit 24-vjeçar, Serbia ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës në Kosovë.

“Veçoi dakordimin për hapje të arkivave nga Serbia, pasi zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë, pjesë e projektit gjenocidal për shfarosjen e shqiptarëve, ‘Patkoi’. Po ashtu, theksoi dakordimin për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera në zbulimin e varrezave masive potenciale në territorin e Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Tutje thuhet se duke folur për drejtësi për viktimat dhe shoqërinë lidhur me krimet dhunës seksuale, të përdorur si armë lufte në Kosovë, kryeministri ka deklaruar se duhet shtuar angazhimi i përbashkët në tejkalimin e pengesave drejt rritjes së numrit të dënimeve nga gjykatat në Kosovë.

Sipas komunikatës Kurti ka ritheksuar se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për krimet dhe gjenocidin në Kosovë.

“Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk parashkruhen e as nuk vjetrohen asnjëherë. Kriminelët e luftës dhe urdhërdhënësit e tyre duhet nxjerrë para drejtësisë. Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosovë”, citohet të këtë thënë Kurti.

Sipas komunikatës kryeministri Kurti e ka veçuar rëndësinë e zbatimit të Ligji për gjykimin në mungesë si dhe Ligjin për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës, të cilin Qeveria e ka dërguar për miratim në Kuvend.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Sipas komunikatës Drejtoria për hetimin e krimeve të luftës në Policinë e Kosovës parashihet të ketë 41 zyrtarë hetues.

Nga e enjtja thuhet se do të fillojnë punën 15 hetues të rinj, derisa procesi i rekrutimit do të vijojë deri në plotësimin e totalit të zyrtarëve të planifikuar me strukturë.

“U vlerësua struktura e re organizative e miratuar e Policisë së Kosovës, me të cilën ky sektor, që ka vepruar me gjithsej 19 zyrtarë hetues, është ngritur në nivel të drejtorisë, dhe në nivelin hierarkik dhe funksional është lidhur drejtpërdrejt me Departamentin Qendror të Hetimeve. ‘Nuk ka më prioritet se e vërteta dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës, jo veç për këtë brez, por edhe për brezat e ardhshëm’”, thuhet në komunikatë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *