Osmani takohet me emisarin britanik, flasin për zhvillimet e fundit në dialog
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në Londër, ka takuar të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Peach.
Osmani në llogarinë e saj zyrtare në Twitter ka publikuar një fotografi nga takimi me Lord Peach, ndërsa ka theksuar se në takim kanë diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë.
“Diskutuam zhvillimet e fundit duke përfshirë hapat e rëndësishëm në dialog, integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe domosdoshmërinë për të forcuar më tej lidhjen dhe bashkëpunimin tonë me Britaninë e Madhe”, ka shkruar Osmani.
Osmani para dy ditësh ka marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Mbretit Charles III në katedralen Westminster Abbey.
Gjatë qëndrimit në Britani të Madhe, presidentja Vjosa Osmani ka pasur një bisedë edhe me presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.
Rruga Press