Rezolutë për vëllezërit Bytyqi sërish në Kongresin amerikan, kërkohet që përgjegjësit për vrasjen të dalin para drejtësisë
Një rezolutë e cila kërkon që përgjegjësit për vrasjen e tre vëllezërve Bytyçi të dalin para drejtësisë sërish është para Kongresit amerikan.
Rezoluta e tillë që kërkon vënien para drejtësisë të personave që janë përgjegjës për vrasjen e Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi në korrik të vitit 1999 në Serbi ka kaluar lehtësisht vitet e kaluara.
“Rezoluta e vëllezërve Bytyqi rifutet në kongresin amerikan! Rezoluta ka kaluar lehtësisht në vitet e mëparshme. Faleminderit kongresmenit Nick LaLota për prioritizimin e drejtësisë për familjen Bytyqi”, thuhet në postimin në Twitter.
Ndryshe, SHBA në vazhdimësi i bën thirrje Serbisë që të ndriçojë vrasjen dhe të mbajë përgjegjës autorët e vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, shtetas amerikanë, në vitin 1999.
Të tre vëllezërit Bytyqi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë. Në muajin korrik të vitit 1999 ata ishin arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.
Siç shkruan VoA, një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.
Trupat tyre u gjetën në një varrezë masive në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë që komandoheshin nga ish gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviç, i njohur si Guri. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë.
Në dhjetor të vitit 2018, Departamenti amerikan i shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish gjeneralit të policisë serbe, Goran Radosavleviç – Guri, ndaj të cilit, siç thuhej në njoftim, ekzistojnë dëshmi të besueshme se është përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.
Bytyqi Brothers resolution reintroduced into the US congress!
— Bytyqi Brothers (@BytyqiBrothers) May 4, 2023
The resolution has easily passed in previous years. Thank you to @RepLaLota for prioritizing justice for the Bytyqi family. https://t.co/NRLux9FaAl pic.twitter.com/6EwfYDVyco
Rruga Press