Bota

GjEDNj: Rusia t’i paguajë dëmshpërblime lufte Gjeorgjisë

Rusia është urdhëruar të paguajë një kompensim me vlerë rreth 130 milionë euro (142,7 milionë dollarë) për Gjeorgjinë, pothuajse 15 vjet pas luftës në Kaukazin e Jugut, njoftoi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GjEDNj), në Strasburg.

Urdhri vjen pas një vendimi të gjykatës në vitin 2021, kur gjyqtarët zbuluan se Rusia kishte qenë përgjegjëse për akte çnjerëzore kundër qytetarëve gjeorgjianë, pas përfundimit të luftimeve, të cilat zgjatën nga 9 gushti deri më 12 gusht të vitit 2008.

Lexo më shumë  Moldavia: Rusia shkeli hapësirën ajrore

Gjeorgjia humbi kontrollin e rajoneve të saj të shkëputura të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, në luftën kundër Rusisë.

Gjykata arriti në përfundimin se Rusia nuk mund të bëhet përgjegjëse për shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftës pesëditore.

“Megjithatë, pas armëpushimit, autoritetet ruse ishin përgjegjëse për situatën në rajonin e konfliktit dhe duhej të kishin zbatuar Konventën e të Drejtave të Njeriut”, thanë gjyqtarët në atë kohë.

Rusia kishte lejuar plaçkitjen, abuzimin dhe torturën nga forcat e Osetisë së Jugut.

Civilët gjeorgjianë ishin zënë robër, përzënë nga banesat e tyre ose ishin vrarë.

Deri më tani, çështja e kompensimit kishte mbetur pa përgjigje.

Rusia u përjashtua nga Këshilli i Evropës për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës dhe nuk është më anëtare e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi më herët se nuk do t’i njohë më vendimet e gjykatës.

Megjithatë, disa mijëra çështje kundër Rusisë janë ende në pritje në GjEDNj.

Këshilli i Evropës, Konventa për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykata janë të gjitha të pavarura nga BE-ja.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *