Lajme

Paratë kriminalē dhe informale/ Euro bie në nivelin më të ulët historik

Monedha europiane euro vazhdon të zhvlerësohet përballë lekut. Një euro sot këmbehet me 112.3 lekë, niveli më i ulët i regjistruar që prej vitit 2002. Euro ka pasur një rënie drastike në muajt e fundit.

Në vendin tonë, sot 1 euro këmbehet me 112.3 lekë, duke shënuar kështu nivelin më të ulët historik të monedhës europiane. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të martën me 112.63 lekë, duke shënuar sot sërish një rënie me 0.33 pikë. Rënia është në vazhdimësi. 

Kjo rënie e euros, sipas ekspertit të ekonomisë, Zef Preçi, lidhet ngushtësisht me mbingopjen e ekonomisë shqiptare nga para informale.

“E veçanta e situatës është një tendencë që shfaqet vitet e fundit që përkon me problematikën serioze që ka ekonomia jonë me paratë kriminale dhe informale”, nënvizoi Preçi.

Sipas agjentëve të tregut valutor, faktori kryesor që po zhvlerëson euron është oferta e lartë e monedhës europiane. Ata shprehen se volumi i blerjeve të euros nga agjentët e këmbimit valutor është shumë më i lartë në raport me atë të shitjeve dhe kjo po shkakton një rënie të vazhdueshme dhe progresive të kursit të monedhës europiane. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kursi i këmbimit të euros kundrejt lekut është zhvlerësuar me afërsisht 7%.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti: Qeveria e Kosovës po harton ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi

Me afrimin e sezonit turistik, perspektivat e kursit të këmbimit duket se anojnë gjithnjë e më shumë drejt një zhvlerësimi të mëtejshëm të monedhës europiane.

Forcimi i lekut po jep një ndikim gjithnjë e më negativ për sektorët eksportues të ekonomisë, që i kanë të ardhurat përgjithësisht në lekë, ndërsa shpenzimet në monedhën vendase. Një monedhë vendase e mbiçmuar është një faktor me ndikim negativ në konkurrueshmërinë e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve.

Forcimi i lekut ndaj euros dhe shumicës së valutave të huaja ka dhënë një ndikim negativ edhe në bilancin e Bankës së Shqipërisë. Vitin e kaluar, banka qendrore pësoi një humbje prej afërsisht 14.5 miliardë lekësh nga zhvlerësimi i monedhave të rezervës valutore kundrejt lekut. Humbjet e Bankës së Shqipërisë nga ulja e vlerës së valutës mbulohen me transferim ose emetim letrash borxhi nga qeveria, ndaj kanë një ndikim negativ dhe në nivelin e borxhit publik. 

Lexo më shumë  Murati për subvencionimin e tarifave të energjisë: Plotësoni numërin e saktë të pjestarëve të familjes

Gjithashtu, forcimi i lekut mund të ketë një ndikim negativ në të ardhurat buxhetore, që dominohen nga TVSH-ja dhe sidomos nga ajo e përfituar prej mallrave të importuar. Vitin e kaluar, forcimi i lekut nuk pati një efekt të rëndësishëm negativ në të ardhura, për shkak të ndikimit shumë më të lartë pozitiv nga rritja e çmimeve. Por, me frenimin e rritjes së çmimeve, këtë vit efekti i forcimit të lekut mbi të ardhurat buxhetore mund të jetë më i ndjeshëm.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *