Bota

Ministrja gjermane i përgjigjet Macronit: Evropa të veprojë me qasje të gjerë në botë

Evropa, jo vetëm që duhet ta mbrojë paqen e saj, por duhet të veprojë si mbikëqyrëse në gjithë botën, ka thënë ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, të hënën, pas bisedimeve që ka pasur për Kinën, me homologët e grupit të shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7).

Komentet e saj kanë ardhur pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, ka nxitur polemika, meqë në vizitën e tij të fundit në Pekin, ka thënë se Evropa duhet të shmangë “krizat që nuk janë tonat”.

Evropianët “nuk duhet të izolohen në territorin tonë. Ne nuk duhet të kufizojmë veten për të mbrojtur paqen evropiane, sepse është nën sulm”, ka thënë Baerbock në një konferencë për media në Japoni, ku është mbajtur takimi i diplomatëve të G7-ës.

Lexo më shumë  I nominuari i Trumpit për shef të Pentagonit sulmon NATO-n e OKB-në

“Ne duhet të veprojmë në mënyrë sovrane dhe të pavarur, me qasje të gjerë në botë, sidomos kur të tjerët veprojnë në dëmin tonë, ose në dëmin e të tjerëve”, ka shtuar ajo.

Baerbock, po ashtu, ka paralajmëruar se Kina “dëshiron të zëvendësojë rregullat aktuale ndërkombëtare, me rregullat e saj”, duke përmendur qasjen agresive të Pekinit në ujërat e kontestuar, siç është ndërtimi i ishujve artificialë.

Veprime të tilla “rrezikojnë rregullin ndërkombëtar në Indo-Paqësor. E gjitha kjo e bën të qartë pse është aq e rëndësishme, sidomos në këto kohë, që shtetet, të cilat besojnë në ligjin ndërkombëtar, të qëndrojnë bashkë”.

Përgjatë vizitës së saj të fundit në Pekin, javën e kaluar, Bearbock ka paralajmëruar për “skenar të tmerrshëm”, në rast të “përshkallëzimit ushtarak” në Ngushticën e Tajvanit.

Tajvani është ishull që vetëqeveriset, por të cilin e pretendon Pekini.

Autoritetet kineze besojnë se do ta kontrollojnë këtë ishull dikur, qoftë edhe me forcë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *