GjeopolitikëKryesore

2027: Viti i Autonomisë Strategjike Evropiane

Nga Camille Brugier dhe Pierre Haroche, në Geopolitique.eu

Përkthyer nga Rruga Press

Teksa skenat e Evropës dhe Azisë Lindore të operimit mund të shihen si të largët nga njëra-tjetra, ne sjellim argumentin se vitet e ardhshme do të ilustrojnë ndërvarësinë e tyre të fortë. Çdo strategji e qëndrueshme për të ardhmen e Evropës duhet ta marrë parasysh këtë realitet.

Roli kryesor i luajtur nga SHBA-ja në mbështetjen e Ukrainës kundër agresionit rus, i ilustruar nga 35 miliardë dollarë asistencë në siguri për Ukrainën dhe shtimi me 20,000 trupa i forcave amerikane të stacionuara në Evropë, ka bërë që shumë analistë të shpallin një qendërzim të ri të SHBA-së drejt Evropës dhe vdekjen e parakohshme të projektit evropian të “autonomisë strategjike”, që synonte të reduktonte varësinë ushtarake të shteteve evropiane nga kapacitetet e SHBA-së. Evropianët nuk janë gati për të mbrojtur kontinentin e tyre pa përfshirje të fortë amerikane dhe lufta e Rusisë kundër Ukrainës i ka bërë ata të bëhen më të varur nga SHBA-ja, jo më pak.

Megjithatë, përfundimi se objektivi i një Evrope më autonome strategjikisht është bërë i parëndësishëm është dritëshkurtër për sa i përket kohës dhe hapësirës. Të paktën që nga viti 2018, Pentagoni ka konsideruar se forcat amerikane nuk janë në gjendje të triumfojnë në dy luftëra të njëkohshme të fuqive të mëdha. Kjo ka krijuar një dilemë gjeostrategjike midis skenave të operimit të Evropës dhe Azisë Lindore, me burimet dhe kapacitetet e investuar në njërën skenë, e që humbasin për tjetrën dhe anasjelltas. Edhe pse administrata Biden i ka dhënë prioritet mbështetjes për Ukrainën kundër Rusisë në muajt e fundit, ajo e sheh qartë adresimin e sfidës kineze si prioritetin kryesor strategjik të SHBA-së në dekadat e ardhshme. Në vend që ta marrin si të mirëqenë mbështetjen e fortë të SHBA-së, evropianët duhet të hamendësojnë se kjo mbështetje mund të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme në varësi të zhvillimeve të ardhshme në skenën e Azisë Lindore.

Evropianët duhet të integrojnë rrezikun e një fronti të dyfishtë në llogaritjet e tyre strategjike. Meqenëse Rusia ka hapur tashmë një front të parë në Evropë, faktori Tajvan po bëhet një variabël më thelbësor në sigurinë evropiane. Megjithëse Kina aktualisht nuk është në gjendje të pushtojë Tajvanin në afat të shkurtër, shumë vëzhgues besojnë se do të jetë në gjendje ta bëjë këtë që në vitin 2027, që është një moment historik vendimtar në procesin e modernizimit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore. Implikimet për sigurinë evropiane janë të dyfishta. Së pari, amerikanët dhe evropianët duhet ta shohin mbështetjen e tyre ushtarake për Ukrainën jo vetëm si mbështetje për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, por edhe si një mjet për të dobësuar aftësitë sulmuese ruse në terma afatgjatë. Qëllimi duhet të jetë që deri në vitin 2027, kur Kina të jetë në gjendje të hapë një front të dytë, Rusia të mos jetë më një kërcënim i madh në Evropë. Së dyti, evropianët duhet të investojnë në autonominë e tyre strategjike për të garantuar që kur Kina të jetë në gjendje të pushtojë Tajvanin, rishpërndarja e mundshme e përpjekjeve të SHBA-së midis teatrove nuk e lë Evropën në një pozitë të cenueshme.

Problemi i dy fronteve

Duke filluar me Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes të vitit 2018, SHBA-ja ka kërkuar të përgatisë forcat e saj për një konfrontim me një fuqi të madhe ushtarake, Kinën ose Rusinë. Sipas kësaj logjike, SHBA-ja nuk mund të triumfojë në dy skena operimi në të njëjtën kohë, por mund të mposht një fuqi të madhe duke penguar përpjekjet oportuniste të një tjetre. Teksa përkrahësit e kësaj doktrine janë të vetëdijshëm për rrezikun që SHBA-ja të detyrohen të luftojnë në dy skena, ata argumentojnë se mënyra më e mirë për të shmangur një luftë të dytë të madhe është të prodhohet një demonstrim parandalues ​​i forcës në skenën e parë. Presidenti Biden dukej se ndoqi këtë logjikë kur në maj të vitit 2022 theksoi se një përgjigje e fortë ndaj Rusisë në Ukrainë do të ndihmonte për të penguar Kinën në përpjekjet për një veprim të ngjashëm në Tajvan.

Dilema e dy skenave bëhet edhe më e thekshme nga mundësia e kthimit të luftës në intensitet të lartë, që konsumon sasi masive të pajisjeve dhe municioneve. Edhe nëse SHBA-ja nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në luftën Rusi-Ukrainë, mbështetja e saj ushtarake për Ukrainën tashmë ekspozon të metat e bazës industriale të mbrojtjes amerikane; Kështu, një front i dyfishtë do të rrezikonte të fundoste kapacitetet e saj.

Sigurisht, dilema e dy skenave duhet të vihet në perspektivë, pasi kërkesat për kapacitete në Evropë janë kryesisht të bazuara në ato tokësore, ndërsa një konfrontim me Kinën do të përfshinte kryesisht fuqinë ajrore dhe detare. Megjithatë, prania tokësore e SHBA-së në Evropë ka implikime për mbështetjen logjistike dhe financiare që mund të jetë gjithashtu e dobishme në Azi. Për më tepër, çdo përforcim substancial i pranisë së ushtrisë amerikane në Evropë do të përfshinte mjetet e transportit detar dhe të mbështetjes ajrore. Në anën tjetër, aftësitë tokësore të SHBA-së luajnë rol të rëndësishëm në parandalimin konvencional në Azi dhe mund të nevojiten për të përgatitur forcat tokësore tajvaneze për t’u përballur me një pushtim kinez. Mbështetja ushtarake për Ukrainën ka shkaktuar tashmë vonesa në dërgesat e armëve në Tajvan, duke ilustruar se si një front i dyfishtë do të impononte zgjedhje të vështira për SHBA-në.

Prioritet për Azinë

Evropianët duhet të konsiderojnë rrezikun e një fronti të dyfishtë si një faktor thelbësor në llogaritjet e tyre strategjike, veçanërisht pasi adresimi i kërcënimit kinez në Tajvan është qartësisht prioriteti numër një i SHBA-së. Angazhimi i administratës Biden për mbrojtjen e Evropës ka çuar tashmë në kritika nga kampi “Azia së pari”, sipas të cilit Ukraina është një shpërqendrim nga Tajvani dhe përpjekjet e SHBA-së duhet të fokusohen në frenimin e Kinës. Zgjedhja e një Dhome Republikane të Përfaqësuesve e cila është më ngurruese për të mbështetur Ukrainën, e ka përforcuar këtë argument. Ndërkohë që janë propozuar shumë opsione për t’i mundësuar SHBA-së të adresojë dilemën e dy skenave – për shembull, duke ndarë Kinën dhe Rusinë, duke u fokusuar në Azinë Lindore, duke përforcuar koordinimin dhe ndarjen e barrës midis aleatëve, ose duke përshtatur një strategji “lighter-footprint” – ekziston një konsensus i gjerë për prioritetin që duhet t’i jepet Kinës dhe skenës së Azisë Lindore.

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi

Politikat e administratës Biden ndaj Ukrainës mund të interpretohet gjithashtu përmes kësaj premise. Deklarata e Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin më 25 Prill të vitit 2022, se qëllimi i SHBA-së ishte të shihte Rusinë “të dobësuar në atë masë sa nuk mund të bënte gjërat që ka bërë në pushtimin e Ukrainës” mund të shihet si një shprehje e dëshirës për të parë kërcënimin rus të zvogëlohet deri në atë pikë sa të lejojë fuqinë amerikane të ripërqendrohet plotësisht në sfidën kineze. Një Rusi e suksesshme në Ukrainë do të rrezikonte të angazhonte burime shtesë të SHBA-së për Evropën në afatgjatë dhe do të pengonte rëndë aftësinë e Pentagonit për të balancuar në mënyrë efektive kapacitetet në rritje të Kinës në Azinë Lindore. Investimi aktual i fuqishëm i SHBA-së në Evropë duhet të interpretohet si një formë investimi indirekte në aftësinë afatmesme të SHBA-së për t’u fokusuar te kërcënimi kinez. Strategjia Kombëtare e Mbrojtjes 2022 priret ta vërtetojë këtë hipotezë. Ajo bën dallimin në mënyrë eksplicite midis një sfide kineze “të ritmuar” (domethënë, një sfidë afatgjate) dhe një kërcënimi “akut” (domethënë, një kërcënim më i lartë, por afatshkurtër) rus, që nënkupton se mbështetja për Ukrainën nuk duhet të jetë në kurriz të kapacitetit afatgjatë të SHBA-së për t’iu përgjigjur kërcënimit kinez.

Rrjedhimisht, evropianët duhet të parashikojnë se hapja e mundshme e një fronti të dytë në Azinë Lindore do të kishte pasoja dramatike për sigurinë evropiane. Siç deklaroi një ish-komandant i ushtrisë amerikane në Evropë në vitin 2018, “SHBA-ja ka nevojë për një shtyllë shumë të fortë evropiane”. Sipas kësaj logjike, evropianët duhet të investojnë në autonominë e tyre strategjike për të qenë më të përgatitur ndaj Rusisë në rast të një krize në Azi. Anasjelltas, nëse dobësia e evropianëve e detyron SHBA-në të ruajë angazhim shumë të madh në Evropë, që do të ulte kapacitetet e saj në Azinë Lindore, kjo mund ta bëjë Uashingtonin të ndihet i zënë në kurth dhe do të kërcënonte marrëdhëniet transatlantike.

2027-ta, pikë kthese

Në cilën pikë rreziku i frontit të dytë në Azi duhet t’i shtyjë evropianët të shfaqin më shumë autonomi strategjike në Evropë? Përkimi në kohë është krucial. Manifestimi më i qartë i dilemës së dy skenave do të ishte përpjekja kineze për të pushtuar Tajvanin. Veprimet më të kufizuara ushtarake në Ngushticën e Tajvanit, të tilla si sulmet ajrore ose embargoja detare, nuk do të kërkonin të njëjtin mobilizim të forcave amerikane dhe kjo do të përbënte një dilemë më zbutur në lidhje me dy frontet. Një pushtim i Tajvanit në shkallë të plotë do të ishte perspektivë realiste vetëm kur Kina të arrijë epërsinë e dukshme ajrore dhe detare, kur do të mund të transportojë trupa pushtues këmbësorie me flotë të madhe amfibe, të cilën aktualisht nuk e ka.

Sipas disa analistëve dhe burimeve të inteligjencës, edhe Kina ka qenë e befasuar nga qëndrueshmëria dhe rezistenca e forcave të armatosura ukrainase, pavarësisht epërsisë – të paktën numerike – të ushtrisë ruse. Paralelizimi me rastin Kinë-Tajvan e bën skenarin e pushtimit të Tajvanit të duket edhe më i rrezikshëm për Ushtrinë Çlirimtare Popullore, duke pasur parasysh vështirësitë specifike që lidhen me pushtimin e një ishulli. Meqenëse kostoja politike e një pushtimi të dështuar do të ishte e lartë për regjimin komunist, udhëheqësit kinezë do të hezitonin të fillonin një pushtim nëse nuk ishin të sigurt se ushtria kineze mund ta ekzekutonte me sukses atë. Sipas një raporti të Departamentit amerikan të Mbrojtjes të vitit 2022, pushtimi i Tajvanit do të ishte “risk domethënës politik dhe ushtarak” për Kinën”.

Megjithatë, është e qartë se këto pengesa materiale nuk kanë asnjë ndikim në dëshirën fondamentale të Pekinit për ta kthyer ishullin në krahun kinez, në afatgjatë- një “mision historik i partisë”, sipas Xi Jinping-ut. Afati zyrtar i Xi-së është i paqartë; viti 2049, i cituar shpesh nga paraardhësit e presidentit, nuk është më në fjalimet e tij ose në raportet shtetërore të mbrojtjes së Kinës. Për sa i përket mjeteve të një ribashkimi të tillë, një raport i tillë së fundmi nuk përjashton përdorimin e forcës. Në fakt, paradigma e zhvillimit dhe sigurisë së Kinës ka ndryshuar në vitet e fundit. Hulumtimet e fundit kanë treguar se Partia Komuniste Kineze e Xi-së i ka shtyrë çështjet e sigurisë në një nivel me objektivat e zhvillimit. Kjo do të thotë se, edhe pse ruajtja e zhvillimit është ende një nga prioritet kryesorë për PKK-në, ajo nuk është më prioriteti i parë i vendit. Kina tani është gati të përballojë humbje domethënëse ekonomike nëse percepton se siguria e saj është e dëmtuar.

Inteligjenca amerikane beson se Kina po forcon në mënyrë aktive kapacitetet e saj për të pushtuar Tajvanin në afatshkurtër. Në qershor të vitit 2021, gjenerali Mark Milley argumentoi se Kina dëshironte të kishte kapacitet për të pushtuar ishullin brenda gjashtë viteve të ardhshme, por mund të mos kishte ndërmend ta bënte këtë brenda një afati të afërt. Në mënyrë të veçantë, viti 2027 shpesh paraqitet si një datë e mundshme për një pushtim, kryesisht për shkak të vlerës së tij simbolike: do të ishte 100-vjetori i ushtrisë kineze – një nga momentet historikë të modernizimit të saj – dhe viti i ofrimit të Xi-së për një mandat të katërt. Teksa kjo nuk do të thotë se PKK-ja planifikon të pushtojë Tajvanin, Xi do të donte ta kishte këtë opsion deri atëherë.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Përgatitja e Evropës

Evropianët duhet të supozojnë se nga viti 2027 e tutje, hipoteza e pushtimit të Tajvanit nga Kina do të bëhet e besueshme dhe SHBA-së gjithnjë e më shumë do t’i duhet të ripërqendrojë vëmendjen dhe burimet e saj në frenimin e Kinës. Kjo do të ishte e vërtetë me një administratë miqësore me Evropën, por është edhe më e mundshme nëse një administratë republikane vjen në pushtet në zgjedhjet e vitit 2024 në SHBA. Më së voni deri në vitin 2027, evropianët do të duhet të marrin mbi supe drejtimin e mbështetjes ushtarake perëndimore për Ukrainën dhe mbrojtjen e Evropës kundër Rusisë. Përballë një krize të madhe në Lindjen e Mesme ose Afrikë, edhe nëse ajo përfshin Rusinë ose Kinën, evropianët gjithashtu do të duhet të jenë në gjendje të përgjigjen pa u mbështetur në udhëheqjen e fortë të SHBA-së. Kjo qasje nënkupton se projekti i Evropës për “autonominë strategjike” nuk ka vdekur, por duhet të rigjallërohet dhe të futet nëpër faza.

Në fazën e parë – para vitit 2027 – ka të ngjarë që SHBA-ja të mund të mbetet e përfshirë në Evropë, ndërkohë që përgatitet për veprim të kufizuar kinez në Azinë Lindore. Megjithatë, mbështetja e SHBA-së për Ukrainën mund të zbehet edhe për arsye të brendshme politike. Objektivat e përbashkët të evropianëve dhe amerikanëve duhet të jenë të tillë që t’u mundësojnë ukrainasve të mbrohen dhe të dobësojnë ndjeshëm kapacitetin rus për të zhvilluar luftë sulmuese. Nëse Ukraina, me mbështetjen e fortë perëndimore, arrin ta dobësojë fuqinë ruse në vitet e ardhshëm, zhvendosja e pranisë së SHBA-së për t’u marrë me pushtimin e mundshëm të Tajvanit nuk do ta lërë Evropën në pozitë shumë të cenueshme. Forcat ruse në Ukrainë kanë pësuar tashmë humbje njerëzore dhe materiale përtej parashikimeve fillestare, dhe disa analistë besojnë se erozioni i aftësive ruse dhe forcimi i NATO-s së shpejti do t’i lejojë SHBA-së t’i japë përparësi Azisë.

Objektivi duhet të jetë që deri në vitin 2025 evropianët të mund të ofrojnë pjesën më të madhe të mbështetjes ushtarake për Ukrainën, dhe deri në vitin 2027 – faza e dytë – ata të mund të pengojnë agresionin rus vetëm me mbështetje të kufizuar nga SHBA-ja. Duhet pranuar se detyra do të ishte më e lehtë kundër një Rusie të dobësuar nga disfata, por nuk mund të përjashtohet që Rusia të riarmatosej shpejt. Në këtë rast, Evropa duhet të jetë në gjendje të mbështet te përvoja unike e Ukrainës, te aftësia ushtarake dhe forca morale, idealisht, duke e integruar atë në NATO dhe BE. Duke kombinuar investimet evropiane me mbështetjen e fortë fillestare të SHBA-së, dobësimin e Rusisë dhe shtimin e forcave ukrainase, autonomia strategjike evropiane mund të bëhet perspektivë realiste kur kërcënimi kinez të arrijë një fazë kritike në Azinë Lindore.

NATO duhet ta shoqërojë këtë lëvizje duke mbështetur në mënyrë eksplicite objektivin e autonomisë strategjike evropiane si një kusht thelbësor për qëndrueshmërinë dhe efektivitetin e tij. Në kontekstin e zbatimit të Modelit të Forcës së Re të dakorduar në Madrid në qershor të vitit 2022, i cili parashikon disponueshmërinë e shpejtë të 300,000 trupave, debati mbi “evropianizimin” progresiv të NATO-s ose për një “shtyllë evropiane” të NATO-s duhet të të ringjallet. Do të jetë thelbësore të dërgohen sinjale publike në lidhje me këtë shtyllë evropiane, në mënyrë që edhe skenari më i keq i një pushtimi kinez në shkallë të plotë të Tajvanit, i cili do ta detyronte SHBA-në të përqendronte përpjekjet në skenën e Azisë Lindore, të mos ndikojë te besueshmëria e parandalimit konvencional të NATO-s në Evropë dhe të mos shihet si dritare mundësie për Rusinë.

Objektivi i BE-së duhet të jetë që të balancojë kolektivisht kapacitetin prodhues mbrojtjës të Rusisë. Duhet të bëhen investime të konsiderueshme në nivel evropian për të mbështetur prokurimin e përbashkët të të njëjtave pajisje ushtarake nga disa shtete anëtare dhe përshtatjen e shpejtë të kapaciteteve të industrisë evropiane të mbrojtjes. Prokurimi i përbashkët, përveç lejimit të shpenzimeve më të mira duke gjeneruar ekonomi të shkallës, do të promovonte ndërveprimin e ushtrive evropiane, do të lehtësonte dërgimin e pajisjeve të standardizuara në Ukrainë dhe do të stimulonte lidhje më të ngushta midis industrive evropiane të mbrojtjes. Duke pasur parasysh sfidën e paraqitur nga rreziku i një fronti të dyfishtë nga viti 2027 e tutje, BE-së do t’i duhet gjithashtu të shkojë përtej instrumenteve financiare të synuara dhe ad hoc, që aktualisht i ka në fuqi – European Peace Facility për mbështetjen ushtarake ndaj Ukrainës, Fondi Evropian i Mbrojtjes dhe Përforcimi i Industrisë Evropiane të Mbrojtjes Nëpërmjet Aktit të Përbashkët të Prokurimit për të mbështetur industrinë e mbrojtjes—dhe për të krijuar një buxhet të mirëfilltë evropian të mbrojtjes, përmes të cilit BE-ja do të ishte në gjendje të blejë pajisje ushtarake, mundësisht të prodhuara nga industria evropiane, për Ukrainën, shtetet anëtare ose vetë BE-në. Vetëm një hap i tillë do ta bënte të besueshme aftësinë e evropianëve për të siguruar vazhdimësinë e mbrojtjes së tyre në rast të një lufte me intensitet të lartë në Azinë Lindore.

Evropianët tani janë të përqendruar tek Ukraina dhe nevojat e saj imediate. Teksa kjo është e kuptueshme, strategjia e zbatueshme, edhe në afat të mesëm, duhet të bazohet në një vizion global të hapësirës (dilema e dy skenave) dhe në përkimin e kohës (2027-ta dhe ritmi i kërcënimit kinez). Duke zgjeruar fokusin, është e qartë se autonomia strategjike nuk ka vdekur; ajo është më jetike se kurrë. /Geopolitique.eu

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *