Kurti: Jam i interesuar për marrëveshje – Serbia nuk kapitullon në Ohër, këtë e bëri në Kumanovë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është shprehur se është i interesuar për marrëveshje, një ditë përpara takimit të Ohrit, ku përballë do ta ketë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Kurti tha se në Ohër nuk do të mund të ketë kapitullim të Serbisë, pasi sipas tij, kjo tashmë ka ndodhur në Kumanovë më 9 qershor të vitit 1999.
“Jam i interesuar për marrëveshje, shkoj me vullnet të mirë, me qëllime të mira dhe gjithashtu me besim të mirë që t’i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë. Ndërkaq në Ohër nuk mund të ketë kapitull të Serbisë sepse kjo tashmë ka ndodhur në Kumanovë më 9 qershor 1999”, u shpreh kryeministri Kurti.
Kreu i ekzekutivit komentoi deklaratat pesimiste të presidentit serb, për të cilat tha se kjo nuk është qasje konstruktive.
“Edhe unë e dëgjova këtë deklaratë që refuzohet apriori refuzimi i një marrëveshje në Ohër. Unë nuk mendoj që kjo është qasje konstruktive dhe që dëshmon përkushtim. Nuk po them që nëse nuk ka nënshkrim atëherë kemi nënshkruar mosmarrëveshjen, por nuk mund të them se edhe pa nënshkrim mund të quhet marrëveshje me gjithë mend”, është shprehur Kurti për AlsatM, transmeton KosovaNews.
Tutje, ai tha se përkushtimi e kreativiteti nga pala nuk do të mungojnë, teksa shtoi se “këtë nuk mund ta garantoj edhe për palën tjetër”.
Në takimin e Ohrit mes Kurtit e Vuçiqit, i thirrur nga shefi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Jozef Borell do të merr pjesë edhe i dërguari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Rruga Press