Lajme

Koncesioni për Butrintin/ Ish-kongresmeni me origjinë arbëreshe, DioGuardi: Ia kam bërë të ditur Kongresit amerikan veprimet manipuluese të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim

Deputetja demokrate Ina Zhupa ka marrë një letër nga ish-kongresmeni Joseph DioGuardi për dhënien me koncesion të Butrintit tek Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim [AADF].

Në letrën e shkruar, ish-politikani shprehet se “i ka shpjeguar administratës amerikane në Uashington, si dhe miqve të mi në Kongresin e SHBA, veprimet politikisht manipuluese dhe të paligjshme të ndërmarra nga AADF në lidhje me Butrintin. Unë u kam shkruar edhe disa anëtarëve të Kongresit të SHBA.”

Ish-kongresmeni Joseph DioGuardi shprehet se është i interesuar dhe mbështetës për sfidën juridike thelbësore që Zhupa ka bërë përpara Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

“Ky është një moment historik për të cilin ju duhet të ndiheni shumë krenare dhe unë po mendoj seriozisht të vizitoj Shqipërinë për të marrë pjesë në seancat publike në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që të perceptohem si i interesuar drejtpërdrejt për çështjen e Butrintit për të raportuar më pas në Kongresin dhe administratën amerikane”, shtoi ai.

Deputetja Zhupa pas marrjes së letrës, shprehet se kjo “ish kongresmeni me origjinë arberëshe është gjithmonë zë i parë kur flitet për interesat kombëtare të shqiptarëve dhe ishte njeriu i parë që ktheu vëmendjen e gjithë Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi Kosovën dhe gjendjen në të cilën ishte vendi”

“Është kënaqësi të njoftoj që kongresmeni ka shprehur angazhimin e tij për të ardhur në Shqipëri dhe do të jetë prezent në krahun tim, në krahun e Butrintit, në krahun e shqiptarëve, në krahun e kushtetutës në seancën publike që do zhvillohet në Gjykatën Kushtetuese”, shtoi ajo.

Lexo më shumë  FSK-ja drejt përmbylljes së fazës së parafundit për t’u bërë ushtri

Lavdëroj me gjithë zemër luftën tuaj parimore, të guximshme dhe të vendosur për të shpëtuar Parkun Kombëtar të Butrintit nga marrja e paligjshme e menaxhimit nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim [AADF]. Në këtë mënyrë mund të jemi të sigurt se xhevahiri i kurorës së historisë së Shqipërisë menaxhohet vetëm dhe ekskluzivisht nga qeveria shqiptare dhe vetëm për të mirën e popullit shqiptar. Si ish-kongresmen i SHBA-së, kam ndjekur me shumë interes veprimet tuaja legjislative për ndryshimin e ligjit aktual shqiptar për Trashëgiminë Kulturore.

Kam investuar shumë nga koha ime për t’u shpjeguar administratës amerikane në Uashington, si dhe miqve të mi në Kongresin e SHBA, veprimet politikisht manipuluese dhe të paligjshme të ndërmarra nga AADF në lidhje me Butrintin. Siç mund ta dini, unë u kam shkruar disa anëtarëve të Kongresit të SHBA, duke përfshirë Kryetarin e Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë Robert Menendez, dhe administratores së USAID-it, Samantha Power, si dhe organeve të UNESCO-s në Paris.

Unë jam po aq i interesuar dhe mbështetës për sfidën juridike thelbësore që ju keni bërë përpara Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Ky është një moment historik për të cilin ju duhet të ndiheni shumë krenare dhe unë po mendoj seriozisht të vizitoj Shqipërinë për të marrë pjesë në seancat publike në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që të perceptohem si i interesuar drejtpërdrejt për çështjen e Butrintit për të raportuar më pas në
Kongresin dhe administratën amerikane.

Lexo më shumë  FOTO/ Sulmi mbi Komunën e Zveçanit, dalin pamjet e dëmeve të shkaktuara

Shfrytëzoj rastin të ritheksoj se, kur Kongresi i SHBA krijoi Fondet e Ndërmarrjeve, asgjë në ligjin përkatës nuk mund të “interpretohet se i quan Fondet e Ndërmarrjeve, si agjenci ose institucione të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.

Prandaj, jam i bindur se veprimet e AADF për të marrë përsipër menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit nuk përfaqësojnë as objektivat e politikës së jashtme të qeverisë së SHBA dhe as qëllim legjislativ të Kongresit të SHBA. Ndryshe nga ajo që propozohet tani për Parkun Kombëtar të Butrintit në Shqipëri, parqet tona kombëtare në pronësi publike në SHBA që janë vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s menaxhohen vetëm dhe ekskluzivisht nga Shërbimi ynë i Parqeve Kombëtare, një agjenci e Departamentit të Brendshëm të SHBA.

Në mbyllje, ju përgëzoj edhe një herë për punën tuaj të shkëlqyer për të rivendosur dinjitetin e shtetit shqiptar dhe për të forcuar më tej lidhjet e vërteta SHBA-Shqipëri.

Mezi pres t’ju takoj personalisht në Shqipëri.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *