Bota

Moldavia ia refuzoi hyrjen grupit të tifozëve të Partizanit të Beogradit

Policia kufitare e Moldavisë konfirmoi se mbrëmjen e 13 shkurtit se ia refuzoi hyrjen një grupi prej 12 tifozësh të Partizanit nga Beogradi, të cilët u kthyen nga aeroporti.

Policia kufitare i tha shërbimit të Moldavisë të Radios Evropa e Lirë se disa shtetasve të huaj iu refuzua hyrja në Moldavi, me arsyetimin se nuk i plotësojnë kushtet për të kaluar kufirin shtetëror.

“Ata nuk mund të justifikonin qëllimin e udhëtimit të tyre në Moldavi dhe nuk kanë dokumentet e nevojshme në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.

Një pjesë e tifozëve të skuadrës së futbollit të Partizanit u kthyen nga Kishinau në Beograd mëngjesin e 14 shkurtit, pasi iu dha zyrtarisht vendimi për ndalimin e hyrjes në atë vend, është bërë e ditur në një nga llogaritë e tifozëve të Partizanit në Instagram.

Siç thuhet, ata kanë udhëtuar drejt Moldavisë për ndeshjen ndërmjet Partizanit dhe Sherifit të Tiraspolit në kuadër të Ligës së Konferencës.

Gjithashtu u bë e ditur se pjesa tjetër e tifozëve do të largohet nga Moldavia pas orës 14:00, me fluturimin për në Bukuresht.

Partizani: Për arsye sigurie, ndeshje pa publik

Klubi i futbollit Partizani ka deklaruar përmes një njoftimi se, Federata e Futbollit të Moldavisë, me urdhër të shërbimit të sigurimit të Moldavisë, ka vendosur që ndeshja ndërmjet skuadrave Sherif nga Tiraspoli dhe Partizani nga Beogradi të luhet pa praninë e publikut.

“KF Partizani, së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, po i ndërmerr të gjitha masat e sigurisë për qëndrimin e qetë të ekipit dhe përfaqësuesve të klubit në Moldavi”, thuhet në njoftim. Klubi i futbollit Partizani njoftoi tifozët se hyrja në Moldavi dhe ndjekja e ndeshjes nuk është e mundur dhe u kërkoi që të mos udhëtojnë.

Lexo më shumë  Seuli: Rusia, raketa kundërajrore Koresë së Veriut në këmbim të ushtarëve

Në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, thuhet se tifozët që nuk kanë mundur të hyjnë në Moldavi, e kanë organizuar udhëtimin në mënyrë personale.

Më 13 shkurt, presidentja moldave, Maja Sandu, njoftoi në një konferencë për media se Rusia planifikon të përdorë sabotues të huaj për të rrëzuar udhëheqjen e vendit të saj, për të ndalur anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe ta përdorë këtë në luftën kundër Ukrainës.

Ajo deklaroi se plani përfshinë qytetarë të Rusisë, Malit të Zi, Bjellorusisë dhe Serbisë që hyjnë në Moldavi për të provuar të provokojnë protesta në një përpjekje për të “ndryshuar qeverinë legjitime me një qeveri të paligjshme të kontrolluar nga Federata Ruse”.

Daçiqi i kërkon Moldavisë detaje rreth akuzave të presidentes

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka mohuar deklaratën e presidentes së Moldavisë, Maja Sandu, për pjesëmarrjen e mundshme të qytetarëve serbë në aksione subversive që synojnë destabilizimin e Moldavisë.

Daçiqi ka kërkuar që Moldavia urgjentisht t’i dërgojë të gjitha informacionet që ka, sepse siç ka thënë ai, Serbia nuk ka marrë asnjëherë një informacion të tillë nga Moldavia.

“I kam dhënë urdhër ambasadorit tonë të akredituar në Kishinau, që të kërkojë urgjentisht sqarimin e deklaratës së tillë të presidentes së Moldavisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme moldave, si dhe të na japin urgjentisht të gjitha informacionet për personat që dyshohen se mund të jenë pjesëmarrës në veprime të tilla të dhunshme”, tha Daçiq për Tanjug.

Lexo më shumë  Rusët gjatë këtij viti kanë bombarduar “aksidentalisht” 150 herë territorin e vetë

Në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, theksohet se Daçiq ka thënë se në skenën ndërkombëtare ka shumë shembuj të lajmeve të rreme.

Ai përkujtoi se sipas ligjeve të brendshme, çdo pjesëmarrje e shtetasve serbë në konfliktet e armatosura jashtë vendit është vepër penale.

Më 14 shkurt, Rusia hodhi poshtë akuzat e presidentes së Moldavisë se Moska po planifikonte të destabilizonte ish-republikën sovjetike.

“Pretendime të tilla janë krejtësisht të pabaza dhe të pavërtetuara”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, raportoi Reuters.

Më 14 shkurt, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u takua me ambasadorin rus, Aleksandar Bocan Kharchenko. Kharchenko i dorëzoi Vuçiqit një mesazh urimi nga presidenti rus, Vladimir Putin, me rastin e Ditës së shtetësisë së Serbisë.

“E vlerësojmë shumë kursin e balancuar të politikës së jashtme që Beogradi e zbaton në rrethanat aktuale komplekse ndërkombëtare”, thuhet në urimin e presidentit rus.

Serbia është i vetmi vend në Evropë, së bashku me Bjellorusinë dhe Turqinë, që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës fqinje.

Putini shtoi se është i bindur që zhvillimi i mëtejshëm i partneritetit strategjik ruso-serb korrespondon plotësisht me interesat e “kombeve vëllazërorë”.

Sipas një komunikate nga kabineti i presidentit të Serbisë, Vuçiqi dhe Kharchenko nuk i komentuan deklaratat e presidentes së Moldavisë./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *