Trajkoviq: Qeveria e Serbisë dhe Vuçiqi financuesit kryesorë të Veselinoviqit dhe Radoiçiqit
Politikania serbe Rada Trajkoviq ka thënë se Qeveria e Serbisë dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq janë financuesit kryesorë të kriminelëve Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq.
Trajkoviq në një intervistë për “Deutsche Welle”, ka thënë se Qeveria e Serbisë po i jep projektet më fitimprurëse Veselinoviqit e Radoiçiqit, ndonëse ata janë në listën e zezë të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, ku cilësohen si mafiozë transnacionalë.
Trajkoviq ka akuzuar edhe bashkësinë ndërkombëtare dhe Vuçiqin, duke thënë se kanë lejuar që integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës “të bëhet nga mafia”.
“Ata kanë lejuar që integrimin e serbëve ta bëjë mafia. Dhe kur e bën mafia rezultati duhet të jetë fitimi. Në momenti kur u pa se po u kërcënohej fitimi, ata dolën në incidente, destabilizim të veriut të Kosovës dhe vetë Kosovës. Qeveria e Serbisë dhe z. Vuçiq, sipas mendimit tim, janë financuesit kryesorë të Veselinoviqit dhe Radioçiqit, të cilët përndryshe janë në listën e Departamentit të Thesarit të SHBA-së si kriminelë apo mafiozë transnacionalë dhe të dyshuar për krimin ndaj Oliver Ivanoviqit. Përkundër gjithë kësaj, ata ende i marrin projektet më fitimprurëse nga Qeveria e Serbisë dhe Ana Bërnaboviqi”, tha Trajkoviq.
Trajkoviq ka folur edhe për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës dhe faktin se ata po kompensohen nga Qeveria e Serbisë.
“Është shantazh financiar dhe kontroll i serbëve që nënshkruajnë kontratë me punëdhënësin e tyre – Qeverinë e Serbisë. Në këtë mënyrë Qeveria serbe detyron njerëzit të jenë besnikë. Për aktivitetet e ardhshme, ata janë duke rekrutuar popullatën në drejtimin e kontrollit të tyre”, tha Trajkoviq.
Trajkoviq, që është këshilltare e ministrit të Kosovës për komunitete e kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se “ajo po punon për të qetësuar situatën në Kosovë dhe se dy kombet duhet të arrijnë së bashku në Evropë.
Trajkoviq ka folur edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Z. Kurti nuk e kupton apo ende nuk e pranon se mbijetesa e serbëve është shumë e rëndësishme dhe se modeli i Republika Sërpskas edhe për shkak të numrit të serbëve që jetojnë në Kosovë nuk është vërtetë diçka që do ta mundësojë bashkësia ndërkombëtare, por jep hapësirë për ta krijuar njëfarë modaliteti të mbijetesës funksionale dhe shumë ekspertë, që e kuptojnë zgjidhjen evropiane për probleme të tilla, po punojnë në këtë drejtim”, tha Trajkoviq.
Ajo thotë se në Serbi ndihet si në “arrest shtëpiak”, e në Kosovës thotë se ndihet më e relaksuar.
Ajo thotë se ekzistojnë dy realitete për serbët në Kosovë.
Ajo ka thënë se problemi në dialog deri më tani ka qenë se “nuk kanë marrë pjesë njerëz inteligjentë”.
Trajkoviq ka shtuar se nuk beson se mund të arrihet një marrëveshje finale Kosovë – Serbi, porse tensionet mund të ulen, me kushte që Serbia të jetë në anën e Evropës, Amerikës dhe NATO-s.
Rruga Press