Kurti-opozitës: Fjalët që m’i thoni mua, thuajani me të njëjtin zell edhe Escobarit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ironizuar me opozitën, duke thënë se me aq zell sa i thonë atij që mos të pranojë marrëveshje pa njohje reciproke, t’ia thonë edhe përfaqësuesit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Ju inkurajoj, qysh ashtu që jeni të vendosur se Kosova nuk duhet të pranojë marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër. Aman ja thoni kështu me të njëjtin zell edhe Escobarit, jo vetëm mua. Kur e takoni Escobarit, paramendojeni se e keni përpara Kurtin dhe ja thoni këto fjalë. Shërbim më të madh Kosovës nuk mundeni me i bë”, ka thënë Kurti.
Kreu i ekzekutivit ka këmbëngulur se ka qenë transparent sa i përket planit evropian. U tha liderëve opozitarë se janë ftuar ta lexojnë planin dhe atë mund ta bëjnë çdo ditë, por sipas tij, rregullat e bisedimeve nuk e lejojnë që ai plan të dalë nga zyra e tij.
“Propozimi evropian për marrëveshje, nuk ka qenë merre ose leje. I kam pyetur emisarët a është ky propozim merre ose leje. Nëse nuk është, kam thënë është bazë e mirë për diskutim të mëtejshëm. Sepse nuk më kanë thënë lëre ose merre. E kam thënë që e pranoj si platformë solide për me ecë përpara. Platforma është vendi prej nga nisesh, jo ku banon dikush. Si destinim, nuk më është ofruar. Është procesi negociator që i paraprin destinimit. Është kundër logjikës së negociatave”, ka shtuar Kurti.
Është pajtuar që të ketë seancë të jashtëzakonshme, ashtu siç kërkoi opozita, por ka thënë se në një ditë tjetër, pasi sot Kuvendi, siç tha Kurti, ka disa pika të rëndësishme.
Rruga Press