Studentët marshojnë kundër Asociacionit
Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës ka njoftuar se më 15 shkurt do të mbajë marsh kundër themelimit të Asociacionit të komunave serbe.
Në njoftimin e publikuar të enjten në Facebook, Parlamenti i studentëve të Universitetit “Hasan Prishtina” bëhet e ditur se grumbullimi do të nisë në orën 16:00 te Biblioteka Kombëtare. Marshi mban moton “Bashkë kundër Asociacionit”, ndërsa kjo datë është zgjedhur edhe për 53-përvjetorin e themelimit të Universitetit. Në njoftim, Parlamenti Studentor e ka cilësuar UP-në si vend të rezistencës, duke përmendur protestat e viteve 1968, 1981 e 1997.
“Ndonëse në rrethana krejtësisht të ndryshme, përsëri është i domosdoshëm mobilizimi e organizimi studentor për të kundërshtuar një të keqe që po provohet të instalohet brenda shtetit tonë. Asociacioni një etnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës sonë. Kështu sepse asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të thotë më shumë të drejta për komunitetin serb, por më shumë ndikim të Serbisë mbi territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Rruga Press