Kurti: Presioni t’i bëhet Beogradit, jo vendit më pro-evropian, pro-amerikan dhe demokratik në Ballkanin Perëndimor
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se njohja e Kosovës nga Serbia do t’i ndihmonte Beogradit të integrohej në Bashkimin Evropian. Ai kërkoi që presioni ndërkombëtar t’i bëhet Serbisë, duke përmendur se Beogradi po kërkon kthim prapa në kohë.
“Pengesa jonë më e madhe është këmbëngulja dhe kërkesa e Beogradit për një makinë kohe. Ata duan të kthehen në kohë dhe kjo nuk është e mundur. Kosova është vend i pavarur dhe do të jetë më mirë që edhe Serbia ta njohë Kosovën”, tha Kurti të mërkurën në një intervistë për “AFP”.
Për kërkesën për ta themeluar Asociacionin e komunave serbe, Kurti tha se Kosova nuk mund as të shantazhohet e as të frikësohet, derisa kërkoi trajtim të drejtë, barazi dhe njohje reciproke.
“Nuk është e drejtë që të bësh presion mbi vendin më pro-evropian, pro-amerikan dhe demokratik në Ballkanin Perëndimor. Presioni duhet të bëhet mbi Beogradin”, u shpreh Kurti.
Rruga Press