Lajme

Smith: Pavarësia e Kosovës është realitet dhe jo çështje kompromisi, vetë Vuçiqi është i vetëdijshëm për këtë

Eksperti britanik për marrëdhënie ndërkombëtare Daniel Smith ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet ta kuptojë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje kompromisi, por e njohjes së realitetit.

Smith ka thënë se janë intensifikuar përpjekjet e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit.

“Aktivitetet e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit janë intensifikuar, gjë që ilustrohet më së miri nga prania e mercenarëve të Wagnerit apo formacionit ‘Ujqërit e natës’, në barrikadat që strukturat e Serbisë kishin vendosur me urdhra të Vuçiqit në veri të Kosovës.

Ai ka shtuar se këto grupe shihen në çdo protestë pro-ruse në Beograd, Banja Llukë, Podgoricë, Jarinje apo në veri të Kosovës.

Smith, pas pushtimit rus të Ukrainës, kishte filluar të ekspozonte më aktivisht propagandën ruse dhendikimin rus në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.

“Në kontekstin e luftës në Ukrainë, destabilizimi i Ballkanit Perëndimor do të ishte shumë i favorshëm për Rusinë, për të mbajtur Putinin në pushtet dhe për të shtyrë fitoren e Ukrainës, e cila është e pashmangshme. Rritja e ndikimit rus, veçanërisht në Mal të Zi dhe Bosnjë, paraqet një kërcënim të drejtpërdrejt për sigurinë e NATO-s dhe euaroatlantike”, ka thënë Smith.

Eksperti britanik ka thënë se Vuçiqi po e shfrytëzon temën e Kosovës për të shpëtuar nga problemet reale me të cilat përballen qytetarët e Serbisë.

Lexo më shumë  Kurti takon Baerbockun: Gjermania, kyçe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

“Nuk është sekret që Vuçiqi temën e Kosovës e shfrytëzon për të shpëtuar nga problemet reale me të cilat ballafaqohen qytetarët e Serbisë, jeta e të cilëve po bëhet çdo ditë e më e vështirë për shkak të politikës autoritare të Vuçiqit dhe të krizës ekonomike. Vuçiqi dhe elita politike në Serbi nuk janë shkëputur nga mentaliteti i Millosheviqit, ata kanë kontaminuar opinionin publik në Serbi me tema të nacionalizimit, urrejtjes për të tjerët dhe kundër vlerave perëndimore”, tha Smith.

Smith ka thënë se Vuçiqi po tenton që nëpërmjet strategjisë “përshkallëzim dhe ulje të tensioneve”, po tenton ta destabilizojë Kosovën e Ballkanit, për të përfituar si nga Perëndimi ashtu edhe nga Lindja. Ai ka thënë se me strategji të tillë Vuçiqi po qëndron në pushtet.

“Rrjedhimisht, derisa të mos arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese mes Kosovës dhe Serbisë e të jetë me njohje të ndërsjellë, Vuçiqi do të shkaktojë sërish tensione që do të kërcënojnë seriozisht paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Vuçiqi duhet të kuptojë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje kompromisi, por njohje e realitetit, për të cilin edhe vetë Vuçiqi është i vetëdijshëm. Njohja e pavarësisë së Vojvodinës mund të quhet kompromis për Serbinë për integrimin e saj në BE, apo autonomia e Sanxhakut dhe Luginës së Preshevës, por jo edhe pranimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, të cilin vetë e kishte kërkuar Serbia.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti kërkon mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Eksperti britanik për marrëdhënie ndërkombëtare, Smith, ka thënë se Perëndimi është i interesuar që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Por, ajo që Perëndimi duhet të ketë parasysh është se Kosova s’mund të bëjë kompromis me shtetësinë e saj, karakterin unik dhe multietnik që ka. Historia ka vërtetuar se entitete si Republika Sërpska janë të rrezikshme për stabilitetin e shteteve multietnike, stabilitetin rajonal dhe mund të shërbejnë si një mjet për Serbinë dhe Rusinë për ta destabilizuar Ballkanin. Kosova është një rast i veçantë në Evropë dhe botë për ofrim të një game të gjerë të lirive e të drejtave të pakicave. Këto të drejta të garantuara merren si të mirëqena. Ajo që është evidente është se Vuçiqi dhe Serbia nuk po interesohen për të drejtat e serbëve në Kosovë, pasi realizimi i këtyre të drejtave do t’i çlironte serbët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës nga regjimi i Vuçiqit. Vuçiqi është i interesuar t’i përdorë serbët e Kosovës si skllevër personal, për të forcuar nacionalizimin, për vota dhe për të qëndruar në pushtet sa më gjatë”, ka thënë Smith.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *