“Zamallopërpak!” – tha kori jodiplomatik i sorrave, tue vajtu e tue u habitë që qeveria Kurti nuk ra dhe katastrofa nuk ndodhi
Nga Agim Morina
ERDHËN ZGJEDHJET E SERBISË…..
Qeveria e Kurti i tha ‘jo’ zgjedhjeve të Serbisë në Republikën e Kosovës. Ashtu qysh e kishte kundërshtu gjithmonë këtë veprim shovinist të Serbisë klerofashiste.
Kori diplomatik në Kosovë tha se “nuk asht mirë”, “duhet me u angazhu për marrëdhanie të mira fqinjësore”, “ky nuk ka me qenë një veprim i duhun sipas vlerave europiane” e të tjera fraza marrë kallëp nga manuali i kurseve fillestare diplomatike: “Çfarë të thuhet në kohë krizash e mosmarrëveshjesh, sa për me la gojën?”
Kori jodiplomatik i Kosovës, pseudogazetarë marioneta, analistë të vonuem të analizave të hedhun tashma në koshe plehu të zyrave ndërkombëtare, mjelës fondesh, ngjeshatorë gënjeshtrash, pseudopolitikanë që ngordhin për pushtetin e fituem pa vota, thoshin: “Hajt ta shohim tash çka po ban stalinisti antiamerikan Kurti”, “Mori fund ky manipulant popullist!”, “Iu çjerr maska rusofile putiniste!”… Ma e keqja: “Baza ushtarake e Bondstillit po tërhiqet.”
Dang! Vučići u tërhoq. Serbia lëpiu pështymën e vet helmuese klerofashiste. Kori diplomatik heshti Kori jodiplomatik mbeti tue ndjekë bishtin e rrenave të veta.
Korit diplomatik iu kujtu se, vërtet, ata vetë e kishin njohë pavarësinë e Kosovës dhe pohuen se “Kosova asht shtet i pavarun dhe ajo vetë i merr vendimet për vete”.
“Zamallopërpak!” – tha kori jodiplomatik i sorrave, tue vajtu e tue u habitë që qeveria Kurti nuk ra dhe katastrofa që e parashikonin nuk ndodhi.
ERDHI REFERENDUMI I SERBISË…
Hala pa e marrë veten mirë nga dështimi i mbajtjes së zgjedhjeve në një shtet të huej, Serbia nisi një mësymje tjetër shoviniste. Tha se ka me ba referendumin e së ashtuqujtunës Republikë të Serbisë në Republikën e Kosovës. Qeveria Kurti i tha “jo“.
E njëjta gjamë, nga të njëjtit gjamatarë e vajtojca mbi kakërdhitë referendumiane të Vučićit. Nisën vajin dhe gjamën. Gjamën dhe vajin. “Na la Perëndimi”, “U prishëm me ShBA-në”… Ma e keqja: “Baza ushtarake e Bondstillit po tërhiqet.”
Dang! Serbia, me sy të përgjakun, tue lëpi plagët e veta klerofashiste u tërhoq. Vučići u mbyll në nevojtoren e vet shoviniste dy ditë me radhë. Doli pak ma i trashë.
Korit diplomatik iu kujtu se, vërtet, ata vetë e kishin njohë pavarësinë e Kosovës dhe pohuen se “Kosova asht shtet i pavarun dhe ajo vetë i merr vendimet për vete”.
“Zamallopërpak!” – tha kori jodiplomatik i sorrave, tue vajtu e tue u habitë që qeveria Kurti nuk ra dhe katastrofa që e parashikonin nuk ndodhi.
U NIS ME ARDHË “ZAJEDNICA”…
Rasti i “Zajednicës” në Manualin Diplomatik asht në kapitullin e dytë. Aty thuhet:
“Të provohet me presion ndaj të dyja palëve. Ajo palë që lëshon pe, e baftë me shëndet! Kushdo që s’mundet me mbrojtë veten, s’meriton përkrahjen e kurrkujt.”
Por kori jodiplomatik i vrimave të fyellit histerik gjamatar ia ka nisë tashma së njëjtës kangë. Tue fry në të njëjtën grykë të zorrës së trashë, tue i rrehë gishtat mbi të njëjtat vrima të zorrës së hollë, me të njëjtin ritëm të lëvizjeve të muskujve të gjuhës tashma të stërvitun.
Dhe me cakun e njëjtë: a po bjen qeveria Kurti.
Si duket, prapë kanë me përfundu me psherëtimën e njëjtë:
“Zamallopërpak!” “Zamallopërpak!” “Zamallopërpak!”
Rruga Press