Sulmohet me armë zjarri vetura e Policisë së Kosovës në veri
Një automjet zyrtar i Policisë së Kosovës është sulmuar me armë zjarri këtë të premte në veri të vendit.
Policia njofton se persona të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të patrullës policore, e cila ka qenë me detyrë zyrtare në lokacionin Banjskë – Izvor të Komunës së Zveçanit.
Fatmirësisht nuk raportohet për zyrtar policor të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në veturën zyrtare të Policisë së Kosovës, përkatësisht në dritaren/xhamin e automjetit zyrtar nga ana e majtë e vozitësit, i cili dyshohet të ketë qenë edhe cak i sulmit me armë zjarri.
“Lidhur me rastin janë ndërmarr veprimet e nevojshme operative hetimore, përfshirë edhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes, nga ku është konstatuar se vetura është goditur me një predhë të armës së zjarrit”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje, thuhet se njësitet relevante policore kanë vazhduar me hetime intensive, duke arritur të identifikojnë një veturë të dyshuar të braktisur (xhip-opel), në një rrugë malore në distancë prej rreth 250 metra largësi, e cila dyshohet se mund të jetë e përfshirë në rast. Po ashtu në afërsi të automjetit të dyshuar janë vërejtur edhe gjurmët e personave të dyshuar të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur.
“Automjeti i dyshuar i cili ka poseduar targa të dyshuara, të cilat dyshohet se nuk i përkasin të njëjtit automjet, është konfiskuar nga Policia e Kosovës për të vazhduar me procedurat e mëtejme hetimore dhe të ekzaminimit”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti, vrasje në tentativë dhe sulm ndaj personit zyrtar.
Ndryshe, Policia e Kosovës kohëve të fundit është përballur disa herë me sulme në veri të vendit. Zyrtarët policorë përveçse me armë zjarri, janë sulmuar edhe me granata dore e shok-bomba.
Një incident me armë zjarri ka ndodhur edhe para katër ditëve në Bistricë të Leposaviqit, ku një veturë që ishte në lëvizje ka goditur automjetin e policisë duke rrezikuar jetën e zyrtarëve në vendin e ngjarjes.
Rruga Press