KryesoreLajme

Çfarë është Republika Srpska?

Republika Srpska është një entitet politik i pazakontë që u ngrit nga shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë. Është e pavarur në disa mënyra, por edhe pjesë e vendit më të madh që është Bosnja dhe Hercegovina.

Republika Srpska është një nga dy entitetet që i përkasin Bosnjës dhe Hercegovinës. Nuk është njësoj si Serbia.

Gjeografi e komplikuar

Republika Srpska përbëhet nga dy njësi të veçanta, të lidhura nëpërmjet një distrikti neutral, Brcko, në veri. Distrikti Brcko u krijua pas luftës në vitin 1995 për të siguruar që serbët e Bosnjës të mos kontrollonin një territor të vetëm, të vazhdueshëm brenda Bosnjës dhe Hercegovinës, në kufi me Serbinë. Brcko ka statusin e vet administrativ brenda Bosnjë-Hercegovinës.

Republika Srpska dhe Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës

Së bashku, Republika Srpska dhe Federata e Bosnje dhe Hercegovinës përbëjnë shtetin e Bosnjë dhe Hercegovinës. Është shtëpia e boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve.

Sipas kushtetutës së tij, shteti i Bosnjë-Hercegovinës është përgjegjës për punët e veta të jashtme, tregtinë e jashtme, politikën doganore dhe valutore, si dhe çështjet e emigracionit, zbatimin e ligjit ndërkombëtar, telekomunikacionin dhe hapësirën e tij ajrore. Ajo gjithashtu fitoi kontrollin mbi politikën e saj të mbrojtjes në vitin 2006, pas miratimit të ligjit të ri për mbrojtjen e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Fuqishëm pro-ruse

Teksa BE-ja është jo e pëlqyer në Republikën Srpska, Rusia ka shumë mbështetës. Më 9 janar, Presidenti i Republika Srpska-s, Milorad Dodik i dha presidentit rus, Vladimir Putin nderimin më të lartë të entitetit për “interesimine tij patriotik dhe dashurinë për Republikën Srpska”.

Lexo më shumë  Avokati Niniq, në lidhje me hetimin e Beogradit për rastin e Banjskës: Pyetja është nëse Vuçiqi do të arrijë ta bindë Radoiçiqin të sakrifikohet për të

Nderimi u bë në 31-vjetorin e krijimit të subjektit, i cili nuk është saktësisht shtet dhe as kërkon të jetë i tillë. Përkundrazi, Republika Srpska dëshiron të shohë “të gjithë serbët të bashkuar në një shtet të vetëm” – një provokim i madh për Bosnje dhe Hercegovinën dhe për Evropën.

Selia de-fakto e qeverisë së Republika Srpska ka qenë Banja Luka që nga viti 1998

Si u themelua Republika Srpska

Më 9 janar 1992, asambleja serbe e Bosnjës e shpalli Republikën Srpska “Republikën e pavarur të popullit serb të Bosnjës dhe Hercegovinës”. Njoftimi konsiderohet të jetë një nga shkaqet e luftës në Bosnje, e cila çoi në vdekjen e 100,000 njerëzve, me qindra mijëra të tjerë të detyruar të ikin.

Gjatë luftës, aktorë nacionalistë nga të gjitha palët ndërluftuese kryen krime. Nga pala serbe, lideri politik Radovan Karaxhiç, Ratko Mlladiç dhe ish-kryetarja e parlamentit, Biljana Plavsiç hynë në histori për rolin e tyre në urdhërimin, ose lënien në harresë të spastrimit etnik.

Njihet status quo-ja e re territoriale

Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995 i dha fund luftës, por gjithashtu njohu status quo-në e re territoriale. Që atëherë, pothuajse gjysma e Bosnjë-Hercegovinës përbëhet nga Republika Srpska, e banuar nga 1,2 milionë njerëz, shumica e të cilëve janë serbë.

Sistemi i pavarur politik

Republika Srpska ka sistemin e saj politik me gjyqësor të pavarur. Edhe pse Sarajeva është kryeqyteti i saj zyrtar sipas kushtetutës, selia de-fakto e qeverisë ka qenë Banja Luka, që nga viti 1998.

Fantazmat e së shkuarës

Ballafaqimi me kriminelët e dënuar të luftës ka qenë një çështje thellësisht e diskutueshme në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila ende mbetet nën vëzhgimin ndërkombëtar. Në mënyrë kontroverse, disa kriminelë lufte ende nderohen sot në Republikën Srpska.

Lexo më shumë  Bekim Hamëz Jashari: Nuk kam fjalë! Për aksionet e policisë në veri thonë dhunë, për institucionet paralele prokuroria thotë s'ka prova

Përfaqësues i Lartë

Disa javë më parë, Përfaqësuesi i Lartë i Gjermanisë për Bosnje dhe Hercegovinën, Christian Schmidt, u kujtoi njerëzve dhe politikanëve të Republikës Srpska se Karaxhiçi dhe Mlladiçi ishin “autorë të gjenocidit”, të dënuar si kriminelë lufte nga gjykatat ndërkombëtare.

Identitetet kombëtarë dhe feja

Ka pak dallime mes boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve. Emrat dhe mbiemrat ndryshojnë, po ashtu edhe gjuha. Dallimet më të theksuara mund të shihen në përkatësitë fetare. Boshnjakët priren të jenë myslimanë, kroatët janë katolikë dhe serbët janë të krishterë ortodoksë.

Dallime të tillë kanë qëndruar në rrugën e krijimit të një shteti dhe shoqërie të bazuar në qytetari për vite me radhë. Në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës, për shembull, pothuajse të gjitha pozitat zyrtare ndahen midis boshnjakëve dhe kroatëve. Individët që nuk ndiejnë besnikëri ndaj ndonjërit prej tre kombeve përbërëse përjashtohen nga mbajtja e posteve të caktuara politike.

Probleme të vazhdueshme

Në përvjetorin e krijimit të Republikës Srpska, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dërgoi djalin e tij Danilo atje për të shënuar këtë ngjarje. Kjo nënvizoi mbështetjen politike të Serbisë për përpjekjet e presidentit të këtij entiteti, Milorad Dodik për të arritur pavarësinë për Republikën Srpska. Ambasada e SHBA-së në Sarajevë e kritikoi këtë lëvizje në Twitter.

Artikull i Deutsche Welle, i përkthyer në shqip nga Rruga Press

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *