Ukraina: Në Soledar po vazhdojnë luftimet e ashpra
Sulmi i Rusisë ndaj qytetit të Soledarit në rajonin e Donjeckut ka vazhduar gjatë natës, pavarësisht se më herët Moska pretendoi se ka marrë kontrollin e këtij qyteti në lindje të Ukrainës.
Gjatë natës, forcat ruse kanë përdorur artileri, raketa dhe avionë për të sulmuar Soledarin, i cili gjendet në verilindje të qytetit strategjik të Bahmutit.
Sipas imazheve satelitore të publikuara nga Maxar Technologies më 11 janar, shfaqën Soledarin e shkatërruar nga javë të tëra të luftimeve intensive.
Gjatë adresimit të rregullt, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, tha se “linja e Donjeckut është ende duke u mbajtur” edhe pse Soledari, qyteti i minierave të kripës, është “pothuajse krejtësisht i shkatërruar nga pushtuesit”.
Në një deklaratë të ndarë, edhe Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase po ashtu tha se luftimet po vazhdojnë. Shtabi tha se për të marrë kontrollin e gjithë rajonit të Donjeckut, Rusia po tenton që të sulmojë edhe Bahmutin dhe po tenton që të ndërpresë rrugët furnizuese për Soledarin.
Më 11 janar, Yevgeny Prigozhin, që udhëheq grupin rus të mercenarëve, Vagner, tha se forcat e tij kanë marrë qytetin.
Po ashtu, gjatë natës raportohet se Rusia ka granatuar qytetin e Zaporizhjës, kanë thënë zyrtarët ukrainas.
Nga granatimet, që ndodhën pak pas orës 03:00, është dëmtuar infrastruktura, por nuk raportohet për viktima, tha zyrtari i këshillit të qytetit, Anatoliy Kurtev.
Që nga tetori, Rusia ka kryer sulme në mbarë Ukrainën që kanë për cak rrjetin e saj elektrik dhe infrastrukturën tjetër civile, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, ujit dhe ngrohjes.
Më herët gjatë 11 janarit, Moska njoftoi se ka ndryshuar komandantin e ushtrisë, duke e emëruar shefin e Stafit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov, në krye të luftës në Ukrainë, që Rusia e quan “operacion të posaçëm ushtarak”.
Gerasimov do të zëvendësojë në këtë detyrë gjeneralin Sergei Surovikin, i cili është emëruar zëvendës i Gerasimovit.
Ndërkaq, Instituti për Studime të Luftës pretendoi më 11 janar se Rusia po përballet me “mungesë të municioneve” që kanë “penguar aftësinë e forcave ruse për të mbajtur operacionet e ofensivës”.
Rruga Press