Mbi 200 mjekë rusë nënshkruajnë peticion drejtuar Putinit: Ndalo abuzimin me Alexei Navalny!
Më shumë se 200 mjekë rusë kanë nënshkruar një letër të hapur duke i kërkuar presidentit të Rusisë, Vladimir Putinit, të “ndalojë abuzimin” me kritikun e burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny.
Në peticionin e tyre, mjekët nga i gjithë vendi thanë se paraqitja e zotit Navalny i bëri ata “shumë të shqetësuar për jetën dhe shëndetin e tij” dhe pretenduan se ai ishte “dëmtuar qëllimisht”.
Ata gjithashtu thanë se nga pikëpamja mjekësore, ishte e qartë se ai “nuk po merrte ndihmën e mjaftueshme mjekësore”.
Mjekët e përfunduan letrën e tyre të hapur duke thënë: “Ne kërkojmë që të realizohet e drejta e Alexei Navalny për kujdes të plotë mjekësor dhe të zbatohen nenet e Kushtetutës së Federatës Ruse, garantuesi i së cilës jeni ju”.
Kujtojmë se në natën e Vitit të Ri, z. Navalny u vendos në izolim për të dhjetën herë nga autoritetet në burgun ku ai po vuan dënimin e tij 9-vjeçar.
Navalny ka dalë prej kohësh hapur kundër Putinit dhe u dënua në mars me 9-vjet burg pasi u shpall fajtor për mashtrim në shkallë të gjerë dhe përbuzje të gjykatës.
Antony Blinken, sekretari amerikan i shtetit, i përshkroi më parë akuzat si të dyshimta. Edhe liderët europianë mbajtën të njëjtin qëndrim.
Rruga Press