Në Zubin Potok serbët brohorasin kundër Petar Petkoviqit dhe krerëve të Listës Serbe: “Turp të keni, shqiptarët po na mbrojnë”
Gjatë ceremonisë qendrore të ndezjes së pemës së Krishtlindjes, që u mbajt këtë vit në Zubina Potok, serbët e mbledhur kanë brohoritur edhe kundër drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq dhe krerëve të Listës Serbe, që ishin të pranishëm aty.
Siç raporton “Nova.rs”, gjatë fjalimit të peshkopit Teodosije për Rashkë-Prizren, një grup serbësh filluan të thërrasin “Petkoviq, a është kjo 50:0 për ne? Turp të keni, shqiptarët po na ruajnë”, më pas i kanë drejtuar një sërë sharjesh.
Priftërinjtë e pranishëm, si dhe peshkopi Teodosije, gjatë gjithë kohës u përpoqën t’i qetësonin masën, por nuk ia dolën dot.
Disa qytetarë me këmbëngulje e pyesnin Petkoviqin: “A po ju ruajnë edhe juve shqiptarët?”. “Është e lehtë për juve atje lart në Beograd”.
Rruga Press