“Dhurata” e SHBA-së që po ndryshon luftën në Ukrainë
Përpjekjet ruse për të prishur mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe për të çaktivizuar infrastrukturën e saj energjetike me dronë shpërthyes me ndihmën e dronëve iranianë po bëhen gjithnjë e më të vështira. Për këtë ka folur edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ka thënë se ushtria e tij e filloi Vitin e Ri me shkatërrimin masiv të dronëve iranianë. “Kanë kaluar vetëm dy ditë që nga fillimi i vitit dhe numri i dronëve iranianë të rrëzuar mbi Ukrainë është tashmë më shumë se 80”, ka zbuluar Zelensky të hënën pas mesnate.
Rusia ka nisur tjetër sulm masiv ndaj objektivave brenda Ukrainës të hënën, por të 39 dronët u rrëzuan nga armë kundërajrore, raketa tokë-ajër dhe avionë luftarakë – një gjë e rrallë – me 20 dronë të rrëzuar vetëm mbi Kiev. Në tetor, Rusia pati nisur valë pas valë sulmesh me dronë dhe raketa lundrimi për të ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe ujë për civilët, duke lënë deri në 25 për qind të Ukrainës pa energji. Në fjalim, Zelensky ka zbuluar se Qeveria ukrainase ka inteligjencë që sugjeron se nuk ka fund në horizont për sulmet ruse duke përdorur “Shahedin”. “Ne kemi informacione se Rusia po planifikon sulme afatgjata me dronë. Ata po llogarisin mbi lodhjen e njerëzve tanë, mbrojtjen tonë ajrore, sektorin tonë të energjisë”.
Por të dhënat për dronët iranianë tregojnë se forcat ukrainase po përmirësohen në rrëzimin e dronëve përpara se t’i godasin objektivin e tyre, duke i dhënë Ukrainës atë që presidenti Zelensky e quajti “fitore të vogla mbi terroristët dhe terrorin”. Sipas New York Times, një arsye për suksesin kundër fushatës së dronëve ka të ngjarë të jetë vendimi i Shteteve të Bashkuara për të furnizuar Ukrainën me një sistem të avancuar raketash tokë-ajër, të njohur si NASAMS. Ai përfshin radarë, sensorë, lëshues dhe një qendër komandimi me celular.
Sistemi NASAMS përbëhet nga radari Sentinel, raketa të avancuara ajër-ajër me rreze të mesme dhe një sistem lëshimi raketash, i projektuar nga Kongsberg Defense & Aerospace (KDA) e Norvegjisë, pjesë e grupit të njohur KOG i specializuar në sistemet raketore të ndryshme. NASAMS është produkt i bashkëpunimit mes KDA-së dhe American Raytheon, dhe është në përdorim që nga viti 1998 dhe është i destinuar për mbrojtje kundër dronëve, helikopterëve, raketave shpërthyese dhe aeroplanëve, të cilët i identifikon dhe i godet me saktësi shumë të lartë. Dorëzimi i këtyre sistemeve të mbrojtjes kundërajrore në Ukrainë u njoftua nga Pentagoni më 1 korrik, si pjesë e një pakete ndihme ushtarake me vlerë 820 milionë dollarë. Dy NASAMS mbërritën në Ukrainë në gusht, secila me 12 sisteme të lëvizshme të lëshimit të raketave dhe me gjashtë raketa.
Sipas Qendrës për Komunikimet Strategjike dhe Sigurinë e Informacionit, një agjenci qeveritare ukrainase, ky sistem raketor amerikan luajti rol në sulmin e së hënës. “Pavarësisht se ne mësuam t’i operonim vetëm pak javë më parë, ushtria jonë i përdori pothuajse si artileri duke i ringarkuar sa më shpejt. Përdorimi shumë i suksesshëm i këtyre armëve tregon se ushtarët tanë po mësojnë shpejt”, ka njoftuar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës në Twitter.
Kjo u konfirmua nga Mick Mulroy, një ish-zyrtar i lartë i Pentagonit dhe oficer në pension i CIA-s, i cili ka shpjeguar se trajnimi ka ndihmuar forcat ukrainase të bëhen gjithnjë e më të mira në trajtimin e armëve të sofistikuara. Nga ana tjetër, siç ka shtuar ai, Rusia duket se po heq dorë nga ideja për të fituar luftën përmes luftimeve tradicionale tokësore, të paktën në të ardhmen e afërt. “Duket sikur ideja e tyre është thjesht të hedhin në erë Ukrainën, por kjo është strategjia e gabuar sepse nuk mund ta fitosh një luftë vetëm me sulme ajrore”, ka parashikuar Mulroy.
Rruga Press