Shtimi i barrikadave në veri, Policia e Kosovës del me një njoftim për situatën e fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se në veri të vendit, gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë.
Referuar informacioneve zyrtare, policia thotë se janë vendosur edhe dy barrikada me mjete të rënda.
“Njëra prej barrikadave është vendosur në udhëkryqin te shkolla teknike, ndërsa tjetra është vendosur te vendi i quajtur Kershi i Dudes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Serbët lokalë që 18 ditë kanë ngritur barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq.
Institucionet e Kosovës kanë thënë se Pantiq dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Që kur janë ngritur barrikadat, në veri të Kosovës janë shënuar një numër i incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në veri të Kosovës, duke thënë se synon të garantojë siguri për të gjithë qytetarët.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se “bandat kriminale që mbështeten nga Serbia” qëndrojnë pas barrikadave. Qeveria e Kosovës ka thënë se shteti ka kapacitete që t’i heqë barrikadat, por i ka dhënë kohë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të heqë barrikadat.
Rruga Press