Kurdët i vënë flakën Parisit për të dytën ditë radhazi
Kanë vijuar për të dytën ditë radhazi përplasjet e dhunshme mes komunitetit kurd dhe policisë së Parisit, pas vrasjes së 3 personave një ditë më parë në një qendër kulturore kurde nga një i moshuar i armatosur.
Qindra persona u grumbulluan sërish në qendër të kryeqytetit francez dhe i vunë zjarrin kazanëve të mbeturinave si dhe shkatërruan dhjetëra makina përpara se të përplaseshin me forcat e policisë.
Ngjarja ndodhi në sheshin e Republikës, një zonë tashmë e njohur për demonstrata, ku kurdët kishin mbajtur më herët një manifestim paqësor.
Dhuna nisi menjëherë kur pjesëmarrësit në protestë u larguan nga sheshi dhe u përplasën me policinë, e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.
Protestat shpërthyen një ditë më parë kur një person i armatosur hyri në një qendër kulturore kurde në distriktin e 10 dhe hapi zjarr ndaj personave të pranishëm. Për pasojë 3 persona humbën jetën ndërsa 2 të tjerë mbetën të plagosur, në një sulm që është ende i paqartë për autoritetet, të cilit vunë menjëherë në pranga autorin.
Policia ka arrestuar një 69-vjeçar, i cili u lirua së fundmi nga paraburgimi, ndërsa priste gjykimin për një sulm në një kamp emigrantësh në Paris një vit më parë.
Prokurorja e Parisit Laure Beccuau tha të premten se motivet e mundshme raciste do të ishin pjesë e hetimit, por përfaqësuesit kurdë thanë se rasti duhet të trajtohet si një sulm terrorist.
“Ne e dimë se jemi nën kërcënim, kurdët në përgjithësi, aktivistët dhe militantët kurdë. Franca na ka borxh mbrojtje”, tha për BFM TV Berivan Firat, zëdhënës i CDK-F.
Vrasjet ndodhën në një kohë kur komuniteti kurd po përgatitej për përkujtimin e dhjetë të vrasjes së tre grave kurde në Paris.
“Komuniteti kurd ka frikë. Ai tashmë ishte e traumatizuar nga vrasja e trefishtë (2013). Ai ka nevojë për përgjigje, mbështetje dhe konsideratë,” u tha gazetarëve të premten avokati i CDK-së, David Andic.