Sport

Medalje e artë dhe 1800 pikë për Distria Krasniqin

Distria Krasniqi ka fituar medaljen e artë në Mastersin e xhudos që po mbahet në Jerusalem të Izraelit. Në finale të kategorisë deri 52 kilogramë, Distria e mposhti britaniken Chelsie Giles.

Ndaj saj realizoi herët aksion për uazari, ndërsa më pas e kontrolloi luftën deri në fund.

Mastersi është prej garave më të mëdha të xhudos. Vetëm Kampionati Botëror jep më shumë pikë për ranglistën olimpike. Me të artën në Masters, Distria i ka fituar plot 1800 pikë në ranglistën botërore.

Në Masters paraqiten vetëm xhudistët më të mirë nëpër kategori.

Distria në xhiron e parë ishte e lirë. Më pas në xhiron e dytë e kaloi amerikanen Angelica Delgado. Me fitore ndaj spanjolles Ana Perez Box, zuri vend në gjysmëfinale. Në gjysmëfinale ishte më e mirë se hungarezja Reka Pupp.

Kështu Distria Krasniqi e mbyll me medalje të artë një vit shumë të suksesshëm të saj. Në janar ajo fitoi të artën në Grand Prix të Portugalisë. Në shkurt fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Parisit, ndërsa në Evropian, në fund të prillit fitoi medaljen e bronztë.

Në qershor garoi në Grand Slamin në Tbilisi dhe në Lojërat Mesdhetare në Oran. Fitoi dy të arta. Menjëherë në korrik ishte e dyta në Grand Prix në Zagreb, kurse në tetor, në Kampionat Botëror, fitoi medaljen e bronztë.

Distria në Masters ishte bartësja e gjashtë. Giles ishte bartësja e pestë. Aktualisht Distria është e shtata në ranglistën botërore, por do të përparojë për disa pozita pas suksesit në Jerusalem.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *