Lajme

Thirrjet fashiste ndaj shqiptarëve mbërrijnë në shkollat fillore të Serbisë

“Mirëmbrëma. Ju kërkoj prindërve të djemve që të flasin me fëmijët e tyre për sjelljet e sotme në zhveshtore pas orës së Edukatës Fizike. Thirrja ‘vraje dhe preje, që shqiptari të mos ekzistojë’ është rreptësisht e ndaluar në shkollë. E kuptoj se ndoshta nuk e dinë çka është, por nuk arsyetohet”, ka shkruar një mësuese e një shkolle fillore në Novi Sad të Serbisë në një grup të Viberit me prindërit e nxënësve duke shtuar se disa prej fëmijëve menjëherë “kanë pranuar se kanë bërë gabim”, ndërsa të tjerët kanë mohuar pjesëmarrjen në këndim.

“Secili prej tyre e di mirë nëse ka kënduar apo jo. Janë ende fëmijë, tema të tilla s’janë për ta dhe është detyrë e jona e përbashkët t’i mësojmë e edukojmë, t’ua shpjegojmë që diçka është e keqe dhe t’ua bëjmë këtë me dije”, ka shkruar mësimdhënësja tutje, raporton mediumin “N1” në Serbi.

Kjo mësimdhënësve është vetëm një nga shumë në Serbi që është përballur me situata të tilla, që po shpeshtohen, e që kanë bërë jehonë pas ndeshjes së futbollit Zvicër – Serbi në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Lexo më shumë  Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona

Siç shkruan ky medium, fyerje të tilla konsiderohen vepra kriminale për ata që janë mbi moshën 18-vjeçare. Për fëmijët në shkolla, dënimi mund të jetë vetëm verbal.

Thirrjet “vraje dhe preje, që shqiptari të mos ekzistojë” në shkollë për Marko Milosavljeviqin nga Iniciativa për të Drejta të të Rinjve në Serbi, fatkeqësisht, janë të pritshme.

“Nëse përfaqësuesit e autoriteteve bëjnë thirrje në mënyrë përçmuese ‘shiptari’ ose ‘llumi terrorist’ dhe u thonë njerëzve që ikin nga lufta dhe varfëria se Serbia s’është parking për refugjatë’, praktikat diskriminuese, thirrjet raciste dhe dhuna e përgjithshme, janë normale dhe inkurajohen”, ka thënë ai.

Sipas Qendrës për Zhvillim Pozitiv të Fëmijëve dhe të Rinjve (CEPORA), në Serbi, pos shqiptarëve, sjellje negative të shoqërisë ka edhe ndaj kroatëve, romëve e anëtarëve të komunitetit LGBT. Një hulumtim, që ka përfshirë 465 nxënës të shkollave fillore e të mesme në Vraçar, ka nxjerrë se deri 40 për qind e tyre kanë sjellje pro diskriminimit – “se në shkolla s’duhet të mësohet për komunitetin LGBT, se minoritetet ankohen shumë për diskriminim, se s’duan të shoqërohen me njerëz të kulturave të tjera apo të mësojnë për ta në shkolla”. Në të njëjtën kohë, hulumtimi ka treguar se rreth 70 për qind e të rinjve besojnë se të gjithë kanë të drejtë në zgjedhjen e tyre të stilit të jetës, besimin fetar e zgjedhje seksuale.

Lexo më shumë  Dosja e SPAK/ Banda e Suel Çelës shoqëroi Edi Ramën në Elbasan

Sipas Lidija Bukviq nga CEPORA, sjelljet e tilla polarizuese priten “sepse janë rritur në kontekst shoqëror në të cilin kanë mundësinë që të ndihen se nuk mund t’i ushtrojnë të drejtat e tyre, ashtu që nuk është befasuese se ndihen të kërcënuar kur shohin se vëmendja po shkon kah të drejtat e grupeve të tjera”.

Fundjavën e shkuar, opinioni radikal serb u ushqye me gjuhën fashiste të përzgjedhësit të Serbisë në futboll, Dragan Stojkoviq, që shau futbollistët shqiptarë të Zvicrës duke përdorur termin fyes “shiptari”. Njëjtë bënë edhe tifozët e kombëtares serbe në Vjenë. Policia në Vjenë ka konfirmuar se janë marrë masa, por në Serbi policia nuk reagon ndaj veprimeve e thirrjeve të tilla.

Për sjelljet e palës serbe në ndeshjen me Zvicrën, FIFA tashmë ka nisur hetim.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *