‘Bloomberg’: Shqipëria e sheh tani aleatin e Rusisë, Serbinë si partner
Përpara samitit mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, agjencia e njohur Bloomberg, shkruan se popullariteti i BE-së në këtë rajon ka nisur të zbehet.
“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e shohin aleatin rus, Serbinë, si partner,” thekson agjencia.
Në shkrim thuhet se samiti në Tiranë mund të shihet si një shans për të ringjallur shpresat te BE-ja dhe anëtarësimi në bllok.
Ndërkohë, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë pritur për shumë vite që të nisin negociatat me BE-në.
“E lënë po ashtu në harresë në lidhje me BE-në, Serbia ka dhënë një dorë, duke u përpjekur të rrisë ndikimin e saj në një rajon që dikur dominohej nga Beogradi, përpara shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, që po xhoglon mes lidhjeve të ngushta me Rusinë dhe dëshirës për t’u bashkuar me BE-në, ishte i pari që dërgoi vaksinat anti-Covid në Maqedoninë e Veriut dy vjet më parë. Dhe qeveria e tij ndryshoi ligjet në tetor në mnyrë që të mund të fillonte eksportin e gazit natyror te fqinji i saj jugor.
Vuçiç po bën presion për të forcuar forumin e Ballkanit të hapur, i cili lehtëson tregtinë dhe udhëtimin në rajon. Ai argumenton se pa një datë të qartë objektive për anëtarësim në BE, shtetet e Ballkanit duhet të forcojnë lidhjet ekonomike.
BE-ja e ka kritikuar iniciativën, së bashku me zyrtarë nga disa vende të Ballkanit, që i janë shmangur asaj. Ata janë të shqetësuar se vendet që luftuan për t’u bërë të pavarur nga njëri-tjetri në vitet ’90, mund të humbasin fokusin te integrimi.
“Është një zëvendësues i padëshiruar dhe shpërqendrim nga integrimi evropian,” tha në një deklaratë Ministria e Çështjeve Europiane të Malit të Zi, duke shtuar se forumit të Ballkanit të Hapur i mungon transparenca dhe mbështetet në marrëdhëniet personale të ‘udhëheqësve karizmatikë’,” thuhet në shkrim.
Rruga Press