KryesoreOpinion/Aktualitet

Ç’është sot një fashist?

Nga Jan-Werner Mueller

Një zhvendosje drejt fashizmit mund të ndodhë shpejt

Thuajse saktësisht një shekull pas marshimit të liderit fashist Benito Mussolini në Romë dhe ngjitjes në krye të Italisë, një politikane partia e së cilës e gjen burimin nga fashistët origjinalë, Giorgia Meloni, është emëruar si kryeministre e Italisë. A jemi dëshmitarë të rikthimit të fashizmit me shkronja të vogla – një fenomen politik që ka rezonuar shumë përtej Italisë që nga viti 1922?

Në mënyrë të parashikueshme, Meloni bëri shumë përpjekje për t’u distancuar nga fashizmi në fjalimin e saj të parë në parlament.

Megjithatë, në shqyrtimin e çështjes së fashizmit sot, duhet kujtuar se ai ka kaluar nëpër faza të ndryshme. Teksa sot në Evropë apo në Amerikë nuk ka regjime fashiste, pa dyshim që janë disa parti – përfshirë ato qeverisëse – të cilat mund të zhvendosen gradualisht në një drejtim më fashist.

Ashtu si çdo sistem besimi politik, fashizmi mund të pritet të evoluojë. Liberalizmi sot nuk është ai që ishte njëqind vjet më parë, dhe konservatorizmi – për të mos u ngatërruar me një qëndrim reaksionar apo edhe rreptësisht ortodoks – e gjen vetë kuptimin e tij në përshtatjen me kujdes ndaj rrethanave në ndryshim. Ajo që i përcakton këto sisteme janë zotimet ndaj vlerave bazë, të cilat duhet të njihen me kalimin e kohës. Liberalët tregojnë histori për lirinë; konservatorët ndalen në rreziqet e ndryshimit të shpejtë dhe kufijtë e arsyes njerëzore në ribërjen e shoqërisë.

Po fashistët? Fillimisht, ata kanë qenë të gjithë nacionalistë që premtuan rilindjen kombëtare – domethënë për ta bërë vendin përsëri të madh. Por jo të gjithë nacionalistët janë fashistë dhe shumë politikanë premtojnë një formë rigjenerimi.

Fashistët kanë promovuar hierarki të rrepta gjinore, kombëtare dhe racore, me racat që në veçanti supozohet të jenë të mbërthyera në konflikt të përhershëm dhe vdekjeprurës.

Politika e përjashtimit dhe dhunës

E djathta ekstreme e sotme është padyshim në punën e rivendosjes së roleve dhe hierarkive tradicionale gjinore, dhe ajo e merr shumë energjinë e saj nga një politikë e pamëshirshme e përjashtimit: ata që janë të huaj për kombin duhet të mbahen jashtë, që të mos vijnë për të zëvendësuar dominantin. Por ekziston gjithashtu një rrezik i perceptuar nga brenda: domethënë, “elitat liberale” dhe pakicat që nuk konsiderohen si anëtarë të asaj që populistët e ekstremit të djathtë e konsiderojnë “njerëzit e vërtetë”.

Megjithatë, kjo politikë e përjashtimit nuk shkon domosdoshmërisht krah për krah me glorifikimin e dhunës dhe luftës si një mjet për t’u siguruar burrave (zakonisht burrave) jetë kuptimplote, të disiplinuar, heroike. Tipari i fundit, në fund të fundit, doli nga mobilizimet masive të Luftës së Parë Botërore, me Musolinin që lavdëronte “Llogorokracinë”(Sundimi i ish-ushtarëve italianë që luftuan në Luftën e Parë Botërore): një aristokraci luftëtarësh trima – në krahasim me luftëtarët e sotëm të tastierës – të cilët ishin vëllazëruar në luftime. Meqenëse lufta kishte përfunduar, ndjekësit e Musolinit vazhduan dhunën në shtëpi. Po kështu, ngritja e Hitlerit është e pakuptueshme jashtë kontekstit të milicive të etur për gjak të krahut të djathtë që u shfaqën në Gjermani në fillim të viteve 1920.

Nuk është rastësi që regjimet fashiste lindën në vende që ose humbën (në rastin e Gjermanisë) ose u ndjenë sikur kishin humbur një konflikt ushtarak (në rastin e Italisë). As nuk është rastësi që regjimet fashiste herët a vonë hynë në luftë, ndryshe nga qeveritë tradicionale autoritare, të cilat zakonisht nuk preferojnë të mobilizojnë shoqëritë e tyre.

Është kjo atmosferë gjithëpërfshirëse e dhunës që sot mungon. Po, veteranët janë të mbipërfaqësuar brenda grupeve më të dhunshme të së djathtës ekstreme dhe liderët e sotëm të së djathtës ekstreme sjellin atë që filozofi Kate Manne e quan ‘trickle-down aggresion’. Por edhe kur e djathta ekstreme ka ardhur në pushtet, ka kërkuar të çmobilizojë qytetarët dhe të bëjë paqen e saj me kapitalizmin konsumator.

Pra, a duhet ta lëmë pas debatin për fashizmin? Kjo do të ishte shumë e nxituar. Siç ka treguar historiani i shquar Robert Paxton, fashizmi vjen në faza të ndryshme. Urtësia aktuale konvencionale thotë se teksa demokracitë në lëngatë në shekullin e njëzetë u vranë zakonisht me grusht-shteti të dhunshëm, demokracitë e shekullit njëzet e një kanë më shumë gjasa të bien në duart e autoritarëve me aspirata, të cilët në mënyrë delikate manipulojnë ligjet me kalimin e kohës për ta bërë praktikisht të pamundur heqjen e tyre nga posti. Një autokratizim i tillë – një neologjizëm i shëmtuar, por i domosdoshëm – thuhet se është më efektiv për shkak se është më i vështirë për t’u zbuluar.

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi

Por ky kontrast anashkalon faktin se fashizmi – pavarësisht glorifikimit të dhunës – shpesh nuk kishte nevojë të përfshihej në dhunë për të arritur qëllimet e tij. Vetë Musolini nuk marshoi në Romë. Ai mbërriti me makinë nga Milano pasi mbreti i Italisë dhe elitat tradicionale kishin vendosur t’i jepnin pushtetin, me shpresën se ai do t’i jepte zgjidhje rrëmujës politike që askush tjetër nuk dukej i aftë ta menaxhonte.

Për më tepër, harrohet gjerësisht se Musolini qeverisi për vite me radhë brenda strukturave të demokracisë italiane, madje duke përfshirë edhe shumë liberalë të vetëshpallur në kabinetin e tij. Ai praktikoi atë që sot shpesh përshkruhet si ‘legalizëm autokratik’. Ai ndoqi germën e ligjit duke shkelur frymën e tij; ose miratoi legjislacion në mënyra që ishin proceduralisht korrekte, por që vendosnin sundimin e njeriut mbi shtetin e së drejtës. Sigurisht, ka pasur edhe shumë dhunë të tmerrshme, më famëkeqja vrasja e politikanit socialist Giacomo Matteotti. Por ishte në vitin 1925, kur Musolini u bë qartazi diktator (teksa Hitleri la pak dyshime për sundimin racist totalitar që do të vendoste që nga dita kur u emërua Kancelar).

Është dështim i gjykimit politik të ngatërrosh të djathtën e sotme ekstreme dhe fashizmin. Por, është e domosdoshme të shikohet nga afër se si zhvillohet e djathta ekstreme me kalimin e kohës. Një zhvendosje drejt fashizmit – e përfaqësuar nga angazhimet e hapura ndaj autoritarizmit dhe glorifikimit të dhunës – mund të ndodhë shpejt, por gjithashtu mund të ndodhë edhe mjaft ngadalë. Në çdo rast, sjellja e elitave tradicionale është një faktor kyç për t’u parë. Ky është një nga mësimet më pak të kuptuar të ngritjes së fashizmit të Musolinit në Italinë e shekullit të njëzetë./Marrë me shkurtime në Ips-journal.eu, përkthyer nga Rruga Press

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *