Si Putini po tenton të zgjerojë hartën e konfliktit dhe frika e destabilizimit në Ukrainë
Ata janë mbledhur para Pallatit Presidencial në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau, ashtu siç kanë vepruar prej javësh tashmë. Burra të moshuar, të veshur me pantallona sportive dhe gratë fshatare me shami në kokë. Janë me mijëra njerëz që po protestojnë kundër çmimeve të energjisë, të cilat janë shumëfishuar në Moldavi që nga viti i kaluar.
Flamuri moldav valëvitet kudo dhe demonstruesit brohorasin në rusisht “Maia Sandu duhet të largohet nga pushtetit!”. Kur udhëheqësi protestave, politikani i opozitës pro-ruse, Ilan Şor, shfaqet direkt në një ekran të madh, nëpër turmë dëgjohen zëra kundërshtimi.
Një gjykatë e dënoi Şor me 7 vite e gjysmë burg për mashtrim. Por për t’i shpëtuar burgut, ai u arratis në Izrael. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka vendosur sanksione ndaj tij për nxitjen e trazirave në Moldavi me ndihmën e Moskës. Şor pretendon se presidentja Sandu e ka shkatërruar ekonominë e Moldavisë dhe se vetëm partia e tij mund ta shpëtojë vendin.
Moldavia, një vend i pozicionuar midis Rumanisë dhe Ukrainës, ka një popullsi prej vetëm 2.5 milionë banorësh. Me të ardhura vjetore për frymë prej rreth 5100 eurosh, ajo është një nga vendet më të varfra në Evropë. Por pavarësisht se është një vend shumë i vogël, ajo është në qendër të konfliktit midis Rusisë dhe Perëndimit.
Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 1991, Moldavia është qeverisur pothuajse vazhdimisht nga forcat politike pro-ruse, raporton abcneës.al
Ndërkohë në nëntorin e vitit 2020, votuesit zgjodhën Maia Sandu, e diplomuar në Universitetin e Harvardit në SHBA, dhe një ish-ekonomiste e Bankës Botërore.
Ajo i largoi zyrtarët pro-rusë nga aparati shtetëror dhe pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainë, u rreshtua hapur në anën e Kievit.
Kjo ka të ngjarë të jetë një nga arsyet pse Bashkimi Evropian vendosi në samitin e qershorit të shpallte Moldavinë një vend kandidat për të hyrë në union.
Nga ana tjetër Moska, po bën gjithçka që mundet për ta destabilizuar këtë vend. Kështu kompania “Gazprom” përgjysmoi këtë muaj furnizimet me gaz natyror ndaj Moldavisë.
Ndërkohë, raportet e inteligjencës ukrainase të raportuara nga “Washington Post” ofrojnë dëshmi se Kremlini e ka mbështetur fuqishëm kundërshtarin e Sandu, Ilan Şor.
Pa ndihmën e Evropës, qeveria Sandu mund të bjerë brenda këtij dimri, duke u zëvendësuar nga një regjim pro-rus, një zhvillim që do të kishte pasoja për të gjithë rajonin. Sandu, 50 vjeçe, na pret e ulur në zyrën e saj në Pallatin Presidencial.
Mban veshur pallton e saj dimërore, sepse e ka fikur kondicionerin për të kursyer energjinë. Deri kohët e fundit, Moldavia i plotësonte nga “Gazprom” 100 për qind të nevojave të saj për gaz natyror.
Rreth 2/3 e sasisë mbërrinin përmes Transnistrisë, një rajon separatist në Moldavinë Lindore që mbështetet nga Moska, ndërsa 1/3 vinte përmes Ukrainës.
Por tani Rusia e ka ndërprerë pjesërisht furnizimin me gaz për Moldavinë, ndërsa edhe Transnistria po refuzon të vazhdojë furnizimin me energji elektrike të Kishinaut.
Problemet shtohen edhe për shkak se Ukraina nuk ka eksportuar energji prej disa javësh për shkak të sulmeve të rënda të ushtrisë ruse ndaj infrastrukturës së saj civile.
“Ne jemi duke u shantazhuar nga Moska”, thotë Sandu.
Qeveria e saj po përpiqet ta zgjidhë problemin duke blerë gaz dhe energji elektrike në tregun evropian, teksa një pjesë e madhe e energjisë po vjen nga Rumania. Por çmimet janë aq të larta sa që Sandu e ka të vështirë të gjejë para për të paguar.
“Ne rrezikojmë të përjetojmë ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike këtë dimër”, thotë ajo. Sandu e mori detyrën 2 vjet më parë si një reformatore, që u zotua të luftojë korrupsionin dhe të rrënojë pushtetin e oligarkëve.
Ndërsa presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i premtoi Sandu 250 milionë euro ndihmë gjatë një vizite që zhvilloi Kishinau më 10 nëntor, llogaritjet e qeverisë tregojnë se Sandu ka nevojë për të paktën dyfishin e asaj shume. Dhe nëse paratë nuk arrijnë shpejt, zyrtarët e lartë moldavë paralajmërojnë se shteti do të përballet me falimentimin.
Nëse ndodh kjo e fundit, qeveria nuk do të jetë më në gjendje të paguajë pagat e nëpunësve civilë, dhe dritat do të fiken në Kishinau dhe qytete të tjera. Dhe ky është skenari tek i cili shpreson shumë diktatori rus Vladimir Putin. Shërbimi sekret rus, FSB, ka depërtuar prej vitesh në qeverinë moldave.
Zyrtarët moldavë pretendojnë se agjencia ka punuar kryesisht me Igor Chayka, të dërguarin moldav të “Delovaya Rossiya”, një shoqatë biznesi pro-Kremlinit. Sipas të dhënave të inteligjencës ukrainase, Chayka dhe kontakti i tij në FSB kanë komunikuar më shumë se 6000 herë midis dhjetorit 2020 dhe qershorit 2022.
Në tetor, Departamenti Amerikan i Thesarit e vendosi Chayka-n në listën e personave që janë nën sanksione. Departamenti i Thesarit e akuzon se ka zhvilluar “plane të detajuara” së bashku me zëdhënësin e Kremlinit Dimitry Peskov për të minuar qeverinë e presidentes Sandu dhe “rikthimin e Moldavisë në sferën ruse të ndikimit”.
Më tej thuhet se Moska i ka përdorur kompanitë e Chayka-s si një bazë për të derdhur para për partitë politike moldave që bashkëpunojnë me Moskën. Chayka dhe FSB u mbështetën kryesisht tek politikani pro-rus Şor. 35-vjeçari u pasurua kur ishte kreu i një banke.
Nëse qeveria aktuale bie për shkak të krizës energjetike, ekspertët kanë frikë se kjo mund të ketë pasoja edhe për luftën në Ukrainë. Kjo sepse ndihma ndaj Ukrainës mbërrin rregullisht edhe përmes Moldavisë. Edhe refugjatët e luftës kalojnë përmes këtij vendi në rrugën e tyre për në vendet e BE-së. /Der Spiegel
Rruga Press