Peci: Kemi paraparë 3 milionë euro për kompensimin e dëmeve në sektorin e bujqësisë
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se Komisioni qeveritar për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në të mirat materiale, është duke i bërë vlerësimet në terren, pas vërshimeve me të cilat u përballën disa komuna.
Ai ka thënë se Ministria që ai drejton, ka paraparë një kompensim për dëmet në sektorin e bujqësisë në vlerë prej 3 milion euro dhe këtë do ta procedojë nesër për miratim në Qeveri.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ai ka thënë se prej datës 30 shtator të këtij viti është themeluar Komisioni qeveritar qendror për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga të mirat materiale ku bëjnë pjesë ministritë përkatëse.
“Në fazën në të cilën jemi aktualisht komiteti qendror i këtij mekanizmi është duke bërë vlerësimet dhe është duke marrë të dhënat nga tereni dhe nga komunat, ndërsa nëse flasim specifikisht për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ne kemi të paraparë një kompensim për dëmet në sektorin e bujqësisë në të i cilin vlera monetare përkrahjes është 3 milionë euro, dhe ne si Ministri nesër do ta procedojmë për në Qeveri për mbledhjen e radhës”, ka thënë Peci.
Rruga Press