“Gjermanët prisnin humbje të shpejtë të Ukrainës”, vjen reagimi ndaj Johnsonit: Ish-kryeministri argëtues gjithnjë me qëndrim unik ndaj së vërtetës
Gjermania reagoi ashpër ndaj pretendimit të ish-kryeministrit britanik Boris Johnson i cili tha dje se krerët gjermanë shpresonin në një humbje të shpejtë të Ukrainës nga Rusia, duke mohuar këtë pretendim.
Steffen Hebestreit, një zëdhënës i kancelarit gjerman Olaf Scholz, komentoi atë që tha Johnsoni në një intervistë për CNN.
“Ne e dimë se ish-kryeministri shumë argëtues ka pasur gjithmonë një qëndrim unik ndaj së vërtetës dhe këtë herë nuk bën përjashtim”, ka thënë Hebestreit.
Akuzat e Johnsonit u mohuan edhe nga ambasadori gjerman në Britaninë e Madhe, Miguel Berger. Deklaratat e Johnsonit janë të ngjashme me deklaratat e ish-ambasadorit të Ukrainës në Gjermani, Andriy Melnik, i cili deklaroi se disa politikanë gjermanë i thanë se prisnin që Ukraina të mposhtej brenda tre ditësh dhe se ishte e kotë që ta ndihmonin atë në çfarëdo mënyre.
Ai më vonë deklaroi se ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, ishte kundër ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe se ishte kundër përjashtimit të Rusisë nga Shoqata për Telekomunikacionet Ndërkombëtare Financiare Ndërbankare (SWIFT).
Rruga Press