Një mënyrë dinake për të mbytur kombin
Nga Shaban Murati
Në djep, në familje, në shkollë, në farefis e në shoqëri, shqiptarët si popull janë edukuar t’i përulen vetëm Flamurit Kombëtar dhe të japin jetën vetëm për Flamurin Kombëtar.
Atdheshitësit e sotëm nga politika nuk mund të pajtohen me atdhetarizmin, i cili si shtyllë kurrizore mban të bashkuar kombin rreth Flamurit Kombëtar. Në mënyrë tinzare, për t’ua zhdukur shqiptarëve identitetin kombëtar dhe idealin e Flamurit Kombëtar, atdheshitësit nga politika po përpiqen ta zëvendësojnë atë ideal me idhujtarinë e kolltukut të tyre dhe po dalin sot me thirrjet që shqiptarët duhet të japin jetën për flamurin e bajraktarit dhe për flamurin e kullës së bajraktarit.
Kjo don të thotë që shqiptarët të theren me njeri-tjetrin për bajraktarin dhe të mos mbeten më shqiptarë që të japin jetën për Flamurin Kombëtar. Në plan afatgjatë kjo synon që të mos ketë më as Shqipëri, as Kosovë e as komb shqiptar.
Është kobi, që armiqtë e kombit shqiptar janë përpjekur me shekuj ta ndjellin në tokat tona: të zhbëjnë kombin shqiptar dhe mbi varrin e tij të tundet flamuri i reckosur i bajraktarit të 100 flamujve dhe i kullës së bajraktarit.
Rruga Press