EditorialKryesore

Grida Duma dhe Top Channel PËRPUTHEN

Grida Duma njoftoi largimin si deputete, mes kritikave për udhëheqjen dhe forcën politike të cilës i shërbeu më shumë se 5 vite si përfaqësuese në Parlamentin e Shqipërisë.

Ajo tha se ka bërë gjithçka për bashkimin dhe ruajtjen e balancave të PD-së. Ajo theksoi se ka bërë çmos që PD të jetë një parti pro-amerikane, ndërsa shtoi se kjo parti duhet të vijojë të ketë në krah aleatin e saj strategjik SHBA-në.

Duma do të marrë rolin e drejtueses së emisionit “Top Story” në Top Channel. Mandati i Grida Dumës i kalon Ori Nebiajt, pasi në zgjedhjet e 2021 ka siguruar 5599 vota preferenciale. Ende nuk dihet nëse Nebiaj do ta pranojë mandatin, pasi ajo gjithashtu është e angazhuar në botën e televizionit, në po të njëjtin televizion, drejtuese e emisionit showbiz “Përputhen”.

Zonja Duma provoi që dorëheqjes së saj t’i japë një kahje të veprimit moral, akt përgjegjësie, “duke dhënë një model që ndoshta sot dhe në të ardhmen ndryshon për ujërat e ndenjura që durojmë të gjithë me kompromise”.

Duke marrë parasysh mënyrën e dorëheqjes, premisën politike të Dumës dhe rrethanat ku bëhet kjo dorëheqje, ngarkesa morale e këtij akti duket krejtësisht i diskutueshëm.

Grida Duma zgjodhi Bashën përballë Berishës, dhe pas fitores së Berishës në këtë përplasje ka dalë periferike brenda partisë, për pasojë shuhen ëndrrat e kandidimit për Bashkinë e Tiranës dhe sheh se ajo s’ka të ardhme në parti.

Pas këtij triumfi të Berishës në PD, ai vetë u shpreh se ka ardhur koha për ribashkim të subjektit, duke u bërë thirrje mbështetësve të Bashës të ktheheshin te partia. Por, është shumë e qartë që “të rikthyerit”, si Grida Duma, nuk do ta heqin dot njollën e faktit të rreshtimit me Bashën, të paktën për një kohë të gjatë. E deri atëherë, Duma dhe të tjerë të ngjajshëm nuk do ta kenë besimin nga njëra anë, dhe do marrin ndëshkimin nga ana tjetër, duke u lënë në rendin të dytë të gjërave.

Vlen të theksohet se në përplasjen Berisha-Basha, Grida Duma nuk mori pozicionim sipas ndonjë parimi, veçse sipas kalkulimit për llogari individuale. Thënë shkurt, me Berishën e shpallur Non-Grata, me Bashën që kishte në dorë formalisht partinë dhe me Ramën që mbështeste Bashën dhe vendosi në shërbim të tij institucionet, për shembull Policia e Shtetit, Duma kalkuloi Bashën fitues dhe zgjedhja për të qëndruar në anën e tij ishte e kuptueshme. Për më tepër, askush nuk do kishte të ardhme në karrierën politike brenda një partie që ka për lider një të shpallur Non-Grata nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe më vonë. Kështu pra, një radhitje sipas kalkulimit, jo sipas parimit.

Grida Duma i përket një lloji profilesh që aq sa duket i veçantë, aq është në thelb i përgjithshëm dhe i kudondodhur sot. Është figura e individualizmit (neo)liberal që realitetin e sheh si masë të këtij individi. Sipas këtij përfytyrimi realiteti dhe bota nuk janë valenca në vetvete. Ato marrin vlerë përsaqë ato vihen në shërbim të përfitimit të individit.

Në këtë frymë, në “ideologjinë” e Grida Dumës, Shqipëria, Populli, Parlamenti, por edhe partia, janë vetëm mjetet, rrugët dhe shkallët që Duma ngjit drejt karrierës së saj individuale. Kush kërkon pak në rrjete sociale do të gjej disa video të ashtuquajtura motivuese, ku zonja Duma flet për lidership, për lidera të cilët në fund të ditës janë të vetmuar. Kë udhëheqin këta lidera? Një botë e përfytyruar sipas këtyre premisave na paraqet vetëm lidera “të mirë”, të suksesshëm, ku nuk ka ndjekës, ka vetëm individë që ëndërrojnë të shkëlqejnë në karrierë. Këta lidera pa popull, drejtues pa njerëz të drejtuar janë pikërisht deputeti pa elektorat real, politikani shuan idenë e të përbashkëtës dhe publikes, kryeministri që drejton interesin oligarkik, kundër atij të popullit që udhëheq.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Nuk ka ndonjë terren më të mirë për këtë lloj “ideologjie” se Shqipëria. Në këtë vend me liderë që pretendojnë se i kapin përmasat globale, ndërkohë që populli shkon gjithnjë në zbrazje, në format e varfërimit të konceptit kolekiv politik dhe në format e emigrimit.

Grida Duma është prej tyre që i ka dhënë shumë zë këtij lloj lideri, i cili përfundon të ngelë pa njerëz, sepse që në fillim njerëzit e tjerë i shihte në funksion të ngjitjes së individit. Edhe ajo është një lidere individualiste, e cila braktisi elektoratin që e votoi, vetëm sepse humbi “ndjekësit” brenda partisë, nëpërmjet të cilëve do ngjiste shkallët e karrierës.

Ky lloj lideri në vend se të udhëheqë të tjerët për synime kolektive, ai shfrytëzon të tjerët për synime individuale. E shumta, ndjekësi i liderit të rremë, mund të përfitojë diçka, individualisht, teksa punon që lideri individualisht të fitojë shumëçka. Këtë lloj “ushëheqësi” dhe “ndjekësi” shqiptarët e njohin shumë mirë, këta kanë shekuj që po ua marrin frymën. Grida Duma dhe të tjerë vetëm sa i japin këtyre përfytyrimeve një pamje më moderne, më “cool”. Në rastin më evident ky lider dhe ky ndjekës ka emrin e kandidatit mafioz për deputet, i cili blen me para votat dhe ndjekësit e tij. Mafiozi përfiton duke u bërë deputet dhe të gjithë përfitimet që i vijnë më pas, kurse ndjekësi-votues përfitoi një grusht lekësh, apo një vend pune diku në një cep. Situatë win-win…vetëm Shqipëria humb, e pastaj ndjekësi dhe populli, në fund, e kuptojnë se kishin humbur qysh në fillim.

Kjo pra është, e përmbledhur, gjithë parulla “Si të bëhesh i sukseshëm?!”.

Këtu merr përgjigje pyetja se si ka mundësi që një deputet/deputete e zgjedhur nga populli, lë mandatin e deputetit pa sens përgjegjësie ndaj votuesit, me ngarkesën që i prodhon direktiva të zgjidhjes individuale. Deputeti, duke analizuar rrethanat e disfarvorshme brenda partisë, gjykon se i sjell më shumë dobi largimi sesa të qëndruarit dhe vazhdimi i betejës për të cilën është mandatuar, autorizuar nga populli.

Se si Grida Duma përmes veprimit të dorëheqjes kërkoj t’ja zgjidhë hallin vetes, këtë po e analizojmë në vijim.

Pyetja se si kjo deputete mund ta lërë mandatin në atë mënyrë, pa sens përgjegjësie reale, bëhet shumë e vështirë për tu shtruar, po të marrim parasysh faktin se deputetja në fjalë që në premisë ka pozicion të gabuar. E ardhmja në lidhje me të bëhet fatalisht e parashikueshme. Nuk kemi pse presim 5 vite për të gjykuar gabimin e saj. Mjafton vetëm fillimi për të dëgjuar se çfarë thotë dhe bën për t’i prerë shpresat e ndonjë pritshmërie. Përqafimi i kultit të individit nga ana e saj është argumenti i mjaftueshëm për të menduar se kjo figurë nuk i shton asgjë të re apo të duhur skenës së vjedhur dhe zvjerdhur politike të Shqipërisë.

E ky fakt e bën të vështirë edhe gjykimin për politikanët shqiptarë, nuk i jep asnjë shans habisë…fakti se ata nuk na nxisin mendim, por vetëm ngushtim të horizontit për ta menduar të mundshmen publike të Shqipërisë, të shqiptarëve në raport me vetveten, me shqiptarët jashtë Shqipërisë dhe në raport gjeopolitik rajonal apo botëror.

Pavarësisht këtyre vështirësive që e mbysin interesin për të shtjelluar të keqen, dobësinë dhe shuarjen e vullnetit, është e rëndësishme që këto situata të mjerimit të përgjithshëm të mos kalojnë pa u artikuluar. Artikulimi i të keqes që ka bllokuar terrenin për mendimin e të mundshmes ndihmon në vendosjen e pikëndalesave, datave, situatave të cilat duhet të luftohen. Nuk mund të nisë të artikulohet vullneti politik, pa e bashkëartikuluar edhe sabotuesin e kësaj energjie për shtetndërtim dhe shtet të së drejtës. Të bërit e dallimeve përmes artikulimit është hapi i patejkalueshëm që ndërton hartografinë e betejës politike të një populli, nëpër të cilën ai lëviz dhe shpërndan valencat moralo-politike.

Përmes largimit nga Partia Demokratike dhe përmes lënies së mandatit të deputetes, Grida Duma i jep vetes një shans për rinisje të përpjekjes për karrierë të premisës së individualizmit. Ajo tani ka mundësinë që në emisionin “Top Story”, në rolin e moderatores së emisionit me tema politike, të bëjë gazetaren “objektive”, “neutrale”. Ashtu siç më parë ishte një politikane klishe, tani do kemi rastin ta shohim si një gazetare klishe, që bën pak dallim nga skena mediatike e mbushur me gazetarë që mbajnë për të shenjtë “neutralitetin”, emri tjetër i të cilit është të mos paturit e mendimit vërtet politik, por vetëm të atij përllogaritës, kalkulues, parashikues, për një të ardhme që s’na sjell asgjë të re, asgjë të paparashikueshme që hap horizontin publik. Do të jetë aty për të na thënë se sa të pritshme janë rezultatet e ardhshme, shterpë, të një konfigurimi partishë të cilave dëshira për ta bërë zap Shqipërinë kush e kush më parë, kush e kush më shumë, u vezullon si yll në ballë duke u shndërritur sytë.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Tani Grida Duma ka mundësinë që nga politika aktive, pa aktivitet politik, të kalojë te analiza politike e konstatimit pa horizont.

Ka mundësinë që nevojën e papërmbajtur për karrierë partiake ta përmbushë në karrierë mediatike. Emëruesi i përbashkët ngelet nevoja e kotë për karrierë, pa dobi publike.

Ka mundësi që figurën e saj, imazhin e saj (nuk dihet nëse ka diç më shumë se imazhi) të gruas së pashme në karrierë ta ngrejë në nivele më të larta. Në stomakun e uritur për karrierë tretet e shpërfytyrohet imazhi i një feminizmi të çuar në gradët e larta të imazhit, të gjuhës dominuese të trupit, gjuhës vokale, të grimit, shikimit dhe posturës “agresive” por të përmbajtur, të paraqitjes bindëse, tërheqëse, që synon të ngjallë besim dhe garanci. Për çfarë? Jo për figurën e gruas, por për atë të gruas në karrierë. Emëruesi i përbashkët: Karrierë.

Ka mundësinë që të largohet e dobët nga partia, e të kthehet pas një kohe e fuqishme, pas gjithë autoritetit që do i japë ekspozimi i vazhdueshëm në televizion. E ku i dihet, ndoshta atëherë do rifitojë besimin në elektorat përmes paraqitjes së spektaklit televiziv (sado emision politik), e do kthehet në parti duke u imponuar për të arritur drejtpërdrejt atje lartë, ku nuk do arrinte dot nëse do qëndronte në parti edhe 30 vite të tjerë. Vazhdim karriere në televizion si kalkulim për karrierë të pasuruar në parti në të ardhmen.

Kjo rrethanë e re për ish-deputeten Duma është mundësi e re edhe për televizionin Top Channel. Ky televizion së fundmi i ka hapur “luftë” kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Nuk dihen mirë arsyet e kësaj ndarjeje, pas bashkëjetesës së gjatë me përfitime të dyanshme, me mbrojtje dhe propagandë për Ramën nga ana e televizionit, e nga ana tjetër… (ç’janë këto gojë të liga që flasin për koncesione, për favore ekonomike shtetërore?).

Top Channel largon njerëz të afërt me Ramën, si Sokol Balla, ish-drejtuesi i emisionit “Top Story” dhe afron njerëz të larguar nga PD-ja. Sado “neutrale dhe objektive”, Grida Duma vjen nga PD-ja dhe Top Channel e di mirë se përmes saj dhe emisionit që do drejtojë ajo do të luftohet pushteti i Ramës, i cili për ta dje ishte jashtëzakonisht i mirë, dhe sot tmerrësisht i keq, me tendenca për nga autokracia.

Jo vetëm prapavija dhe përvoja në një parti politike e Grida Dumës, por edhe ana e saj e imazhit, ana e imazhit të gruas së fuqishme në karrierë që lekton për kurim imazhi dhe duket vetë e kuruar janë vlerë e shtuar për Top Channelin dhe emisionin e këtij televizioni. Të gjitha këto përbëjnë një përputhje të madhe mes zonjës Duma dhe televizionit. PËRPUTHEN interesat e ngushtë dhe vizionet e tkurrur që të dy palët i ofrojnë spektatorit (jopublikut, jopopullit) shqiptar.

Ndërkohë, po presim akoma të mësojmë nëse drejtuesja e emisionit “Përputhen”, Ori Nebiaj, do lërë emisionin e spektaklit në Top Channel për ta zënë vendin e ish-deputetes Grida Duma në Parlamentin e Shqipërisë.

YouTube player

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *