KryesoreOpinion/Aktualitet

Shqiptarë! Shqipëria nuk është koloni e Italisë

Nga Flamur Shala

Në kuadër të turit të quajtur “BalkanGiro”, këngëtari italian Vinicio Capossela me muzikën e tij folk/jazz performoi në datën 6 Nëntor në Tiranë, në Teatrin Kombetar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Dy ditë më parë, bashkë me grupin e tij kishte mbajtur koncert në Teatrin Migjeni në Shkodër. Kurse në datën 8 Nëntor këngëtari italian do të performojë në Pejë, në Kinemanë Jusuf Gërvalla.

Mes qyteteve shqiptare Shkodër, Tiranë dhe Pejë qëndron Beogradi dhe Shkupi, ku e nisi (Beograd) dhe ku do ta përfundojë (Shkup) turin e tij që e konsideron Ballkanik.

Të qëndrojmë paksa në Tiranë, në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit, ku koncerti i kantautorit italian erdhi si bashkëpunim mes Institutit Italian të Kulturës, Ambasadës së Italisë, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Tiranë dhe TKOBAP.

Pasi koncerti kishte mbaruar Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se ishte “një atmosferë e jashtëzakonshme në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit”.

Por, ministrja nuk përmend një episod të shkurtër, që në nisje të koncertit. Nuk ishte ajo që ta hapte koncertin me ndonjë fjalë hapëse dhe mikëpritëse për kauntantorin italian dhe grupin e tij, as ndonjë përfaqësues i ministrisë shqiptare, as i Bashkisë Tiranë, as i Teatrit të Operas dhe Baletit. Këtë hapje e bëri drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.

Lexo më shumë  Sulmohet stacioni policor në Zveçan, hidhen dy granata dore

Do të ishte shumë e udhës që këtë mikpritje ta bënte një shqiptar, sepse fundja, Vinicio Capossela erdhi në Shqipër, te një publik shqiptar (edhe pse me një prani të madhe të qytetarëve italianë në sallë, të cilët jetojnë në Shqipëri). Ose bashkë me një italian në skenë të ishte një shqiptar. Por, populli ynë shquhet për tolerancë, edhe atëherë kur tolerancë do të thotë, në fakt, kompleksim. Por gjithsesi, këtu nuk ka vërtet ndonjë problem.

Drejtori italian i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, filloi të flasë vetëm italisht brenda një institucioni shqiptar të kulturës, përballë publikut shqiptar, pa pushim e pa përkthyes, a thua se gjendej në Itali, brenda një institucioni italian të kulturës, përballë një publiku italian.

Presupozimi i parë, qoftë i ndërgjegjshëm, qoftë i pandërgjegjshëm i drejtorit italian: Këtu të gjithë kuptojnë dhe flasin italisht.

Presupozimi i dytë, me siguri i pandërgjeshëm: Shqipëria është koloni italiane dhe si e tillë e ndjen më mirë kulturën kur i vjen nga gjuha e kolonit kulturëmbajtës dhe kulturësjellës.

Po t’i thuhej drejtorit italian se kjo sjellje është tipike prej koloni, me gjasë do ndihej keq, por ai s’ka për tu ndjerë kësisoj përsa kohë që ndër gjithë ata të tredhur shqiptarë, asnjëri nuk e sjell në diskutim që ngjitur tij duhet rrijë një përkthyes, i cili do shqipërojë atë ç’thotë, edhe sikur të jetë fjalimi më bosh dhe i mërzitshëm në historinë e njerëzimit, edhe sikur ajo sallë në mes të Tiranës të ishte 100% me italianë dhe shqiptarë italisht-folës.

Lexo më shumë  FSK shënon sot Ditën e Forcës

Por, asnjë italian, apo çfarëdo qoftë, nuk ka vërtet faj. Fundja, ai është drejtor i një instituti kulture dhe synon hegjemoninë e kulturës, gjuhës së tij mbi çdo individ apo popull. Kjo është krejtësisht normale.

Normal nuk është ai popull, të cilin secili drejtor instituti, edhe ai më i rëndomti, e zhvesh në sekondë nga çdo përkatësi të mundshme mes gjuhës së tij dhe kulturës. Besimi dhe dinjiteti fillon nga fakti i thjeshtë i të ndjerit të kulmeve të botës nga vendi dhe gjuha e përkatësisë kontingjente. Kur kjo lidhje është këputur, ky popull i jepet destinit për ndërgjegje të skllavit. Kur skllavi has në buk dhe në kulturë ai e konsumon shpejt dhe është falenderues ndaj asaj dore bamirëse, sepse ka bindjen që ai nuk mund të prodhojë ndonjëherë, as bukën, as kulturën. Kjo ndërgjegje nuk bëhet kurrë bashkëprodhuese, bashkëshijuese…vetëm konsum pa themel prej inferiori.

Në fund, publiku shqiptar i bërë spektator duartroket…

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *