Dyndja e shqiptarëve me gomone në MB, lajm kryesor në mediat britanike. Rama “lan duart” nga çdo përgjegjësi
Shqiptarët që kalojnë me gomone nga France drejt Britanisë së Madhe, janë kthyer në një shqetësim për shkak se ia kanë kaluar për nga numri të gjithë vendeve e tjera, përfshirë edhe atyre që janë në luftë, apo kanë dalë nga lufta.
Ditët e fundit, kryeministri Edi Rama ka bërë disa deklarata mjaft agresive duke fajësuar autoritetet britanike për problemin dhe duke i akuzuar ata se po nxisin ksenofobi, veçanërisht duke iu referuar deklarimit të Sekretares së Brendshme, Suella Braverman, e cila tha se vendi po “pushtohet”.
Rama ka ngritur narrativën se shqetësimi britanik vjen si pasojë e dështimit të politikave të tyre për kontrollin e kufijve.
Megjithatë, shifrat tregojnë se shqiptarët po dynden drejt Britanisë me gomone në shifra të paprecedenta. Vetëm në vitin 2022, rreth 12 mijë emigrantë kaluan kanalin e La Mansh me gomone, për të ardhur drejt Britanisë. Një pjesë e tyre kërkojnë azil, duke pretenduar se u rrezikohet jeta për arsye të ndryshme, duke siguruar kështu qëndrim të përkohshëm, deri në shqyrtimin e aplikimeve të tyre.
Nëse kryeminstri ka gjetur një “shpjegim” për fajin e britanikëve, ai ende nuk ka shpjeguar përse shqiptarët po zgjedhin të largohen masivisht nga vendi që ai drejton dhe çfarë po i shtyn ata të rrezikojnë jetën në brigjet e Francës e Britanisë.
Ditën e sotme BBC është fokusuar edhe tek një fenomen tjetër shqetësuar. Bëhet fjalë për bandat shqiptare të drogës, të cilat po shfrytëzojnë kampet e emigrantëve në Francë, si një zonë e volitshme për rekrutimin e anëtarëve, duke ofruar në këmbim pagesën e rrugës së kalimit dhe punë në aktivitetin kriminal, pas mbërritjes në Britani, pra duke i shndërruar nga emigrantë të paligjshëm në anëtarë të bandave kriminale.
“Bandat shqiptare të drogës po përdorin kampet e emigrantëve në veri të Francës si një vend rekrutimi, duke u ofruar pagesën për kalimin në Britani, atyre që janë të gatshëm të punojnë në industrinë e drogës”.
BBC dhe shumë media të tjera britanike janë fokusuar te emigrimi i paligjshëm i shqiptarëve drejt Britanisë, pas shifrave alarmante, por e kanë shtuar vëmendjen edhe pas përplasjes së Ramës me autoritetet.
“Është një turp për civilizimin tonë, të dëgjosh fjalë të çmendura që hidhen në ajër si normalitet. “Pushtimi” ishte kulmi. Nuk ka lidhje me një person, por me një klimë që është krijuar, gjetja e deleve të zeza dhe fajësimi i të tjerëve edhe kur është shumë e qartë se edhe nga Tirana, që nuk është afër Londrës, që bëhet fjalë për politika të dështuara, jo për shqiptarët, alienët apo gangsterët. Kjo gjuhë nuk vjen për mirë. Kjo gjuhë nuk është program apo politikë, i hedh benzinë ksenofobisë dhe targeton komunitetet, duke dalë jashtë traditës britanike për integrimin e minoriteteve.
Britania ka qenë model për këtë, tani po kthehet në çmendinë!“, deklaroi Rama gjatë një intervsite për BBC.
Largimi i shqiptarëve në fakt nuk ndodh vetëm drejt Mbretërisë së Bashkuar, por fokusi i kohëve të fundit është në këtë vend, për shkak të rritjes shumë të lartë të personave që kalojnë me gomone dhe mediatizimit të çështjes.
Megjithatë, që prej vitit 2008, sipas Eurostat, rreth 700 mijë shqiptarë janë larguar drejt vendeve të BE, shifër kjo mjaft e lartë e cila nuk përfshin shtetet e tjera jashtë BE.
Kjo shpjegon se Shqipëria ka një problem serioz të shpopullimit dhe faji për këtë duhet kërkuar te mënyra se si qeveriset vendi dhe jo te politikanët britanikë.
Qeveria shqiptare nuk e ka pranuar asnjëherë se vendi ka një problem serioz me shpopullimin, por kryeministri Rama e ka quajtur largimin e shqiptarëve si fenomen normal që ndodh në çdo vend të botës.
Rruga Press