“Bomba e pisët” e Vuçiqit: Futja e dronëve nga Kosova, akt agresioni ndaj Serbisë
Presidenti serb e ka quajtur akt agresioni futjen e dronëve në Rashkë, e, sipas tij, ata hynë në territorin e Serbisë nga Kosova. Tha se ushtria serbe ka rrëzuar një dron, porse është dashur më shumë të rrëzojë. Sipas tij, dronët ishin komercialë për të fshehur gjurmët
Akt agresioni ndaj Serbisë e ka quajtur presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, fluturimin e dronëve mbi kazermat në Rashkë, qytet fare pranë Kosovës.
Vuçiqi të enjten lavdëroi batalionet e ushtrisë serbe të vendosura pranë kufirit me Kosovën pasi, sipas tij, ato rrëzuan një dron të mërkurën mbrëma, që po filmonte kazermat dhe pozicionet e ushtrisë serbe.
“Problem është kur dikush futet në Rashkë apo edhe në Novi-Pazar. Dëshironi t’i lejojmë që të na futen në kazerma dhe të na numërojnë edhe sa plumba i kemi. Është një lloj akti i agresionit mbi vendin”, ka deklaruar Vuçiq.
Ai tha se këto batalione të vendosura në jug të Serbisë po i mbrojnë edhe Beogradin e Novi-Sadin.
Sipas Vuçiqit, u rrëzua një dron, por duhej të rrëzoheshin më shumë, duke lënë të kuptohej se ishin disa. Shtoi se dronët ishin komercialë dhe pas kësaj, sipas tij, fshihej sherri.
“Menduan se me dronë komercialë do të fshiheshin. Ata që i shfrytëzuan menduan se nuk do të dihet të kujt janë, çfarë qëllimi kishin, por ne e dimë se çfarë prodhimi ishin, të kujt ishin, por na lejoni të bëhemi pak naivë”, është shprehur Vuçiq.
Vuçiqi tha se dronët u futen në Serbi nga drejtimi i pikave kufitare Kosovë – Serbi, Bërnjak dhe Jarinjë.
Mohoi se ata ishin të KFOR-it.
Për punën e dronëve të martën mbrëma reagoi edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj.
“Në lidhje me deklarimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për gjoja lëvizjen e dronëve të panjohur nga territori i Republikës së Kosovës mbi vendbanimin e Rashkës, njoftojmë qytetarët se këto pretendime janë plotësisht të pavërteta dhe çfarëdo diskursi i tillë është vetëm pretekst për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës, si mjet për përhapjen e një gjendjeje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve”, ka thënë Mehaj.
Tensioni i krijuar nga Serbia ndodh në kohën kur shtetet perëndimore po bëjnë trysni për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë.
Rruga Press