Policia nis sot shqiptimin e masës së qortimit, Sveçla: Qytetarët të mos mbesin peng i interesave politike e grupeve kriminale
Ka hyrë në fuqi vendimi i ri i qeverisë për targat “masa e qortimit” ndërkaq, lidhur me këtë ka shkruar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla në një postim në Facebook fton të gjithë qytetarët që posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS.
Ai inkurajojë qytetarët që të mos mbesin peng të interesave politike dhe grupeve kriminale.
Lexoni të plotë postimin e ministrit:
Sot, Policia e Kosovës, në përputhje me vendimin e ri të Qeverisë dhe legjislacionin në fuqi, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, fillon shqiptimin e masës së qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në cilëndo nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.
Ftoj të gjithë qytetarët tanë të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe kështu të përmbyllim me sukses këtë proces që kontribuon drejtpërdrejtë në sigurinë publike, sigurinë në trafik dhe kthimin e ligjshmërisë në vend.
Inkurajoj qytetarët që të mos mbesin peng të interesave politike dhe grupeve kriminale por të shfrytëzojnë të gjitha lehtësirat dhe të regjistrojnë mjetet e tyre në të gjitha Qendrat e Regjistrimit, pa marrë parasysh vendbanimin apo vendqëndrimin.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të ofroj siguri dhe sundim të ligjit në gjithë vendin dhe për të gjithë qytetarët e saj pa dallim.
Rruga Press