Gjeopolitikë

Lufta e Tretë Botërore efektivisht ka filluar

Nga Tim Bartz & David Böcking “Der Spiegel

Nouriel Roubini, 64 vjeç, është një nga ekonomistët më të njohur në botë. Profesor i Shkollës së Biznesit në Universitetin e Nju Jorkut, parashikoi krizën financiare të vitit 2008 si dhe krizën e ekonomisë globale pas fillimit të pandemisë së koronavirusit. Ai u rrit në Turqi, Iran, Izrael dhe Itali, dhe sot është një shtetas amerikan.

Juve nuk ju pëlqen pseudonimi që ju kanë vënë “Dr.Apokalipsi”, dhe do të dëshironit të quheshit “Dr.Realisti”. Por në librin tuaj të ri, ju flisni për 10 kërcënime madhore” që rrezikojnë të ardhmen tonë…

Kërcënimet për të cilat shkruaj janë reale, dhe këtë nuk mund ta mohojë askush. Unë jam rritur në Itali në vitet 1960-1970. Në atë kohë, nuk shqetësohesha ndonjëherë për një luftë midis fuqive të mëdha apo për një dimër bërthamor, pasi kishte një rënie të tensionit midis Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit.

Nuk i kam dëgjuar kurrë fjalët ‘ndryshim klimatik’ apo ‘pandemi globale’. Dhe askush nuk shqetësohej se robotët do të ‘vjedhin’ shumicën e vendeve të punës. Në atë kohë kishim tregti dhe globalizim më të lirë, jetuam në demokraci të qëndrueshme, edhe nëse ato nuk ishin perfekte. Borxhi ishte shumë i ulët, popullsia nuk ishte e moshuar, dhe nuk kishte kriza në sistemin e pensioneve dhe atë shëndetësor. Kjo është bota ku u rrita. Dhe sot duhet të shqetësohem për të gjitha këto gjëra.

A janë të shqetësuar edhe të tjerët, apo ndiheni si një zë i vetmuar në shkretëtirë?

Isha në Uashington në takimin e fundit të FMN-së. Historiani ekonomik Niall Ferguson tha se ne do të jemi me fat nëse do të kemi një krizë ekonomike si ato e viteve 1970, dhe jo një luftë të armatosur si në vitet 1940. Këshilltarët e sigurisë kombëtare ishin të shqetësuar për përfshirjen e NATO-s në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, por edhe Iranit dhe Izraelit që janë në një kurs përplasjeje. Dhe pikërisht këtë mëngjes, lexova se administrata e Joe Biden pret që Kina të sulmojë së shpejti Tajvanin. E them sinqerisht: Lufta e Tretë Botërore ka fillar tashmë, sigurisht në Ukrainë dhe në hapësirën kibernetike.

Lexo më shumë  Bllokohet nisma hungareze për avancimin e integrimit të Serbisë në BE

Politikanët duken të mbingarkuar nga shumë kriza të mëdha të njëkohshme. Çfarë prioritetesh duhet të vendosin?

Sigurisht, ata duhet të merren me Rusinë dhe Ukrainën, përpara se të kujdesen për Iranin, Izraelin apo Kinën. Por politikë-bërësit duhet të mendojnë edhe për inflacionin dhe recesionet, pra stagflacionin. Eurozona gjendet tashmë në një recesion, dhe mendoj se ai do të jetë i gjatë dhe i rëndë.

Pandemia duket sikur është vendosur nën kontroll, por variante të reja të Covid-19 mund të shfaqen së shpejti. Dhe ndryshimi i klimës është një katastrofë me lëvizje të ngadaltë, që po përshpejtohet. Për secilin nga 10 kërcënimet që përshkruaj në librin tim, mund t’iu jap 10 shembuj që po ndodhin ndërsa flasim sot, jo në një të ardhme të largët. Këtë verë, ka pasur thatësira në të gjithë botën, edhe në Shtetet e Bashkuara. Gjysma e amerikanëve duhet të zhvendosen përfundimisht në Mes-Perëndim ose në Kanada. Këto janë fakte shkencore, dhe jo spekulime.

Ju paralajmëroni në libër se Rusia dhe Kina po përpiqen të ndërtojnë një alternativë ndaj dollarit dhe sistemit të pagesave SWIFT. Por deri tani kanë dështuar…

Problemi nuk është vetëm me sistemet e pagesave. Kina po shet në mbarë botën teknologjitë e saj 5G, të cilat mund të përdoren për spiunim. E pyeta presidentin e një vendi afrikan pse po e merr nga Kina dhe jo nga Perëndimi teknologjinë 5G. Më tha: Ne jemi një vend i vogël, kështu që dikush do të na spiunojë gjithsesi. Pastaj po e ble teknologjinë kineze, pasi është më e lirë. Kina po e shton fuqinë e saj ekonomike, financiare dhe tregtare në shumë pjesë të botës.

Por a do ta zëvendësojë realisht renminbi kinez, dollarin amerikan në planin afatgjatë?

Kjo do të kërkojë kohë, por kinezët janë të aftë në strategjitë afatgjata. Ata u kanë sugjeruar sauditëve që të nisin t`ua paguajnë naftën në renminbi. Dhe kinezët kanë sisteme pagesash më të sofistikuara se kushdo tjetër në botë. Platformat “Alipay” dhe “WeChat” përdoren nga 1 miliard kinezë çdo ditë për miliarda transaksione. Në Paris, mund të blini në dyqanet e Louis Vuitton duke paguar me “WeChat”.

Lexo më shumë  Ukraina godet një depo nafte ruse në perëndim të Rusisë

Rreziku kryesor që përshkruani në librin tuaj është ndryshimi i klimës….

Ne duhet të shqetësohemi për gjithçka në të njëjtën kohë, pasi të gjitha këto mega-kërcënime janë të ndërlidhura midis tyre. Një shembull: Tani për tani, nuk ka asnjë mënyrë për të reduktuar ndjeshëm emetimet e CO2 pa tkurrjen e ekonomisë globale.

Edhe pse ai i vitit 2020 ishte recesioni më i keq në 60 vjet, emetimet e gazit serë ranë vetëm me 9 për qind. Por pa një rritje të fortë ekonomike, ne s’do të mund ta zgjidhim problemin e borxhit. Pra, ne duhet të gjejmë mënyra për t’u rritur pa emetime të gazrave ndotës në atmosferë.

Duke pasur parasysh të gjitha këto kriza paralele, sa shanse ka demokracia të mbijetojë kundër sistemeve autoritare si në Kinë apo Rusi?

Jam i shqetësuar, sepse kur ka tronditje të mëdha demokracitë janë të brishta. Atëherë ka gjithmonë ndonjë udhëheqës autoritar që thotë “Unë do ta shpëtoj vendin tim!”, dhe që fajëson për gjithçka të huajt. Kjo është pikërisht ajo që bëri Putin me Ukrainën. Erdogan mund të bëjë të njëjtën gjë me Greqinë vitin e ardhshëm, dhe të përpiqet të krijojë një krizë, përndryshe mund të humbasë zgjedhjet.

Nëse Donald Trump garon përsëri dhe humbet zgjedhjet, ai mund t’u bëjë thirrje hapur supremacistëve të bardhë që të sulmojnë Capitol Hill. Pra mund të kemi shumë dhunë dhe një luftë të vërtetë civile në SHBA. Në Gjermani, gjërat duken relativisht mirë tani për tani. Por çfarë do të ndodhë nëse gjërat shkojnë keq në aspektin ekonomik, dhe njerëzit votojnë më shumë për opozitën e së djathtës ekstreme? /abcnews.al/

Marrë me shkurtime

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *