Kronika/ Sa herë ka mashtruar Ardi Veliu në dëm të viktimave
Vdekja e 32 vjeçarit Lear Kurti dhe versionet që dha policia për ktë ngjarje kanë rritur dyshimin në publik se diçka po tentohet të mbahet e fshehtë për të mos kallëzuar dhunën policore, apo mos zbatimin e protokolleve që mund të jenë bërë shkak për humbjen e jetës të të riut. Mospërputhjet e versionit të policisë me atë të spitalit, pamjet që shtypi ka arritur të nxjerrë nga kamerat e bizneseve private, si dhe dizinformatat që u përhapun në media për të përbaltur viktimën ka lënë shije se ka diçka që nuk shkon. Dhe kjo ndjenjë bëhet më e fortë kur dihet se versionet janë shpërndarë nga Agjenësia e Mbikqyrjes policore një institucion që që prej shtatorit e drejton ish drejtori i policisë Ardi Veliu, një personazh i damkosur si mashtrues publik. Pikërisht për këtë Lapsi.al ka evokuar edhe njëherë të gjitha ato raste kur ish kreu i uniformave blu është vënë në mbrojtje të fajtorëve dhe jo të viktimave.
1 Manipulimi në zgjedhje
Disa ditë para zgjedhjeve, ish polici i forcave Renea, Arbër Paplekaj, një vullnetar i mbrojtjes së votës në përbërje të grupeve të Partisë Demokratike, qëlloi për vdekje një eksponent të fushatës së Taulant Ballës në Elbasan.
Ndonëse ngjarja ishte shumë e rëndë, opozita pretendoi se njerëzit e saj ishin ndodhur aty, për shkak se viktima i shoqëruar nga një grup bashkëpuntorësh, me të shkuar kriminale, ishin duke shpërndarë para në këmbim të kartave të identitetit të votuesve.
Pra, ndonëse ajo që ndodhi nuk justifikohej, në gjenezë të krimit pretendohej të ishin ata që kishin ngritur banda me njerëz që gjoja “kërkoheshin” nga policia, për të manipuluar zgjedhjet.
Ky kishte qenë me kohë pretendimi i opozitës. Madje shefi i fushatës elektorale për Elbasanin, Gazmend Bardhi kishte bërë denoncim edhe në SPAK, kundrejt këtyre grupeve të gatshme që vidhnin vota në favor të rilindjes. Ndonëse të gjithë dëshmitarët pretendonin se grupi i mbrojtur prej Taulant Ballës kishte para, lista zgjedhësish dhe karta identiteti në makinat e tyre ku po kryenin blerjen e votës, drejtori i përgjithshëm i policisë, Ardi Veliu, ai që Edi Rama e ka mbrojtur publikisht edhe për të tjera skandale, gënjeu hapur publikisht në një konferencë shtypi, para 25 prillit duke thënë se në vendngjarje nuk ishin gjetur prova për krimin elektoral.
Menjëherë opozita përgatiti edhe një video ku kujtoheshin deklaratat e Ardi Veliut një ditë pas incidentit që përfundoi me vrasjen e Pjerrin Xhuvanit (këtu poshtë).
Siç do të rezultonte më pas, në makinën e kapur nga njësia e mbrojtjes së votës së opozitës gjendeshin pashaporta, karta identiteti dhe para. Pra ata që mbronte kryepolici ishin një njësi e strukturuar për blerjen e votës.
Fillimisht media investigative BIRN nxori dëshmi se në vendngjarje ishin gjetur blloqe pagesash dhe dhe karta ID të qytetarëve.
Më pas gazetarja e kronikës, Klodiana Lala, e cila ndoqi procesin e kësaj ngjarjeje, nxori dëshminë e prokurorit se provat që kishte fshehur Ardi Veliu ekzistonin. “Ne automjetin që Klement Xhaferri perdorte diten e ngjarjes se rënde të Elbasanit u gjeten karta identiteti, pasaporta dhe ID te qytetareve te ndryshem. Policia e fshehu kete fakt te rende”, shkruajti ajo në Facebookun e saj ku nxori edhe faksimile të dokumentit të prokurorisë.
2 Video e nënës rugaçe
Ardi Veliu i ka dalë në krah jo vetëm partisë së tij, por edhe policëve që kanë ushtruar dhunë, ai ka dëshmuar se nuk është sensibël ndaj torturës.
Në kohën e pandemisë, një video e publikuar në median sociale, tregonte disa policë duke dhunuar barbarisht një të mitur që kishte dalë me biçikletë në parkun e Liqenit Artificial, tronditi opinionin publik.
Kur pritej më së paku dorëheqja e drejtuesit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u shfaq në një takim të Komisionit të Sigurisë. Aty, jo vetëm që nuk kërkoi ndjesë, por sulmoi nënën e fëmijës së dhunuar duke e etiketuar si të pamoralshme dhe që i kishte edukuar fëmijët me kulturën e dhunës. Veliu tha se Zaida Çobo, nëna e djaloshit të dhunuar 15 vjeçar është fajtore për sjelljen e të birit pasi ka postuar video online me një pistoletë.
“Por a është e vërtetë që djali i është bindur të gjithë thirrjeve të policisë siç pretendon mamaja? Do iu shfaq një video të mamasë së tij, që të shikoni se nga çfarë familje vjen. Kjo është mamaja e djalit me pistōletë në dorë. Për të thënë se nga çfarë familje vjen. Jo se dua të mbroj policinë, por duhet të jemi realistë dhe të ftohtë në gjykim”, tha drejtori athere i policisë
Shumë shpejt u zbulua se videoja ishte pjesë e një filmi ku nëna e fëmijës që dhunuar luante si aktore. Por në këtë histori nuk qe e rëndësishme gafa prej injoranti, por mendësia që policia ka të dejtë të shembë në dru, fëmijën e një nëne të padenjë.
3 Manipulimi me rastin Rasha
Në 8dhjetor 2020 policia vrau një të ri, i cili sërish nuk po bënte asgjë. Klodian Rasha u ekzekutua me gjakftohtësi pranë shtëpisë së tij.
Megjithatë Ardi Veliu e nisi duke u përpjekur të manipulojë ngjarjen që në orët e para pas krimit të rëndë. Për mediat pranë qeverisë u shpërnda lajmi se i riu po vraponte të largohej pasi kishte një armë me vete. Më vonë u tha se i riu i kishte drejtuar armën policëve.
Gjashtë muaj pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha në Tiranë, kur prokuroria nxorri pretencën për policin e akuzuar, Nevaldo Hajdaraj, duke kërkuar 20 vite burgim për të, dolën edhe pamjet e plota filmike të ngjarjes që shokoi vendin.
Pikërisht ekzistenca e këtyre videove ku ngjarja duket e plotë do ketë bërë që versioni mbi ngjarjen të ndryshojë hap pas hapi, ndryshe nga alibia që ngriti fillimisht policia dhe mediat që ushqehen prej saj. (këtu poshtë).
Pamjet filmike tregonin se bëhej fjalë për një vrasje të pastër, nga një polic dhe se Rasha ishte i paarmatosur dhe ishte qëlluar në tejkalim të ligjit.
Por tentativat e para të drejtuesve të policisë ishin që ta mbanin të fshehur këtë ngjarje duke bërë fajtor viktimën.
4 Mbrojtja e deputetit Raja
Kur në Shqipëri shpërtheu skandali i keqtrajtimit dhe dhunimit të Xhisela Malokut, nga djali i deputetit socialist Raman Raja, në qendër të vëmendjes u vu edhe një polic, Emiliano Nuhu. Duke qenë se duhej të regjistronte kallëzimin për djalin e deputetit, Nuhu e pa veten në një sulm të vazhdueshëm nga fisi Rraja.
Mes të tjerash ai foli për një takim kur është kërcënuar nga Ramazan Rraja, pikërisht njeriu që më pas do të kapej në operacionin Atos në Belgjikë, si pjesë e një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të kokainës në Europë.
Nuhu tregoi se Ramazanin e kishte takuar në Tiranë. Ai i kishte thënë se “ligjin në Krujë e bënin ata dhe nëse donin mund të shkrinin edhe Komisariatin e Krujës”.
Ai u detyrua të largohet nga Shqipëria dhe të kërkojë azil politik. Por prej andej tregoi se e kishte informuar me dy emaile kryepolicin Ardi Veliu për kërcënimet dhe rezikshmërinë e fisit Raja, pa marrë kurrë përgjigje nga eprori i tij.
“Kam dërguar 2 emaile, një në datë 3 gusht (2018) dhe një në datën 14 gusht. Kur dërgova të parin nuk mora reagim mendova nga fluksi i punës. Kur e nisi për së dyti prapë nuk mora asnjë përgjigje nga Ardi Veliu siç kishim marrë më përpara nga drejtorë të tjerë të përgjithshëm.
Informacioni ka qenë për këtë grup kriminal, këtë familje mafioze që kryente kultivim dhe trafik droge brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ata e kanë filluar karrierën e tyre me vrasje me pagesë dhe kanë kaluar tek trafiku i drogës” tha Nuhu për një intervistë për ABC duke hedhur edhe njëherë dyshime se në anën e kujt renditej ish drejtori i policisë.
Emri i Ardi Veliut është përmendur edhe në “dorëzimin” e dyshimtë të Klemend Balilit të cilin ai e mori në makinën e tij, apo në përpunimin e dëshmitarit kontrovers të çështjes Babale, Fredi Alizoti, i cili pohoi se ish drejtori i policisë e ka takuar dhe i ka ushtruar presion, për të manipuluar dosjen në emër të vëllait të ish ministrit Xhafaj.
Prandaj është e vështirë të vazhdohet të besohet në të vërtetat që dalin nga zyra e Aedi Veliut, siç po ndodh në rasrin e humbjes të jetës së Lear Kurtit./Lapsi.al
Rruga Press