KryesoreOpinion/Aktualitet

DIPLOMATI I RRALLË / Ese mbi librat “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë” dhe “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë”

Nga Elvis Hoxha

Në duar kemi dy libra që flasin për fqinjët, por edhe më shumë për ne. Kur i njëjti studiues flet për dy fqinj, verior e jugor, atëherë ai po prodhon një kusht për mendimin integral kombëtar. Duke shtuar këtu se fqinjët janë faqet e dy politikave të jashtme të një atdheu të ndarë.

Në libra është edhe ngulmimi i diplomatit për të na kujtuar se sovraniteti dhe çështja kombëtare janë udhërrëfyesit e veprimtarisë diplomatike. Nëse ne ngurojmë në drejtësinë tonë, fqinjët nuk ngurojnë në padrejtësinë e tyre.

Ky kujtim e kjo kthjelltësi mund të na mësojë se si të programojmë veprimtarinë tonë institucionale në të gjithë rrafshet.

Le të rreshtojmë të tre rrafshet. Në horizontin gjeopolitik programi ynë është i kushtëzuar nga Kosova, e cila e shpie atë në aksin BE-ShBA dhe nga Serbia që e shpie në aksin BE-Rusi. Në terrenin gjeopolitik dhe gjeostrategjik kjo është fuqia jonë: ne kemi dy të vërteta shtetërore për çdonjërën nga dy sjelljet historike të fqinjëve – faktin e dobët të dobësisë ta përdorim për fuqi –, por ne jemi edhe nga ana e së drejtës – të drejtën ta përdorim si forcë.

Në terrenin e historisë politike, ne jemi përsëri nga ana e së drejtës. Ne dalim prej luftës çlirimtare me përkrahjen e NATO-s, ndërsa Serbia me luftëra gjenocidale dhe kundër NATO-s. Pra, linjën tonë të veprimit e kushtëzon e drejta. Nuk ka fat më të madh në politikën e jashtme.

Në aspektin politik nën temën e sovranitetit, në atë gjeo-politik nën temën e demokracisë perëndimore liberale apo social-demokrate, nën temën e historisë, aty ku lufta prin si rezultat qenësinë e shteteve, ne jemi në pozicionin më të plotë moral.

Por ç’kemi parë në diplomacinë tonë? Vetëm zbehje dhe mospërdorim të subjektivitetit politik, mosvlerësim të rrethanës gjeo-politike, fshehje dhe harrim të rezultatit historik. Ndaj edhe libri i z. Murati titullohet “Vetëvrasja diplomatike”, dhe flet për vetëvrasjen e dy Republikave tona. Autori nuk na flet pra për vetëvrasje politike. Por ai na flet ama për vetëvrasje. Sepse fshehja e subjektit në kuadrin politik, gjeo-politik dhe atë historiko-politik është vetëvrasje diplomatike.

Pavarësisht se ajo është kryer nën drejtimin e përfaqësuesve tanë politikë, ajo është kryer në terrenin diplomatik. Ne e kemi nxjerrë virtytin republikan të kombit jashtë vetes, e kemi reduktuar në kredi të palës tjetër në dialog. Substancën e së drejtës e kemi kthyer në monedhë, dhe monedhën rrethanore të dialogut në substancë të vetes.

Vetëvrasja diplomatike është kthimi i dialogut në monolog. Dhe dihet atëherë se kujt i mbetet fuqia e fjalës dhe kujt pafuqia e heshtjes. Ngjan se kapja totale na tremb.

Çfarë mund të përvetësojmë nga librat e Shaban Muratit, si virtyte të profesionit, si kufij të veprimit, si cilësi të opinionit, është grupi i temave në librat e z. Murati, duke na treguar se diplomacia e bërë mirë ka aftësinë ta përkufizojë politikën si raport forcash dhe jo si forcë e një subjekti mbi një objekt. Në këtë rast të dytë do të quhej dhunë. Pra sjellja e z. Murati, me analizat e tij, si ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, nuk e lejon rrethanën ndërkombëtare të kthehet në dhunë me një kahje, mbi ne. Le t’i shohim përcaktimet e tij si dimensione të diplomacisë:

– Kur diplomati bën punën e tij, ai nxjerr në pah rëndësinë e arkivës, kronikën politike të diplomacisë në një fushë të gjerë, mjeshtërinë e përdorimit empirik të kujtesës së të dhënave shtetërore. Në aspektin e gjendjes së institucioneve tanë, një diplomat si z. Murati, vë në dukje edhe diçka tjetër: te ne rëniet e regjimeve ideologjike marrin me vete në theqafje edhe burokracinë dhe teknokracinë, gjë që do të thotë se sovraniteti shtetëror ka qenë gjithnjë nën hyqmin e autoritetit të ideologjive.

Në këtë rast, fati ynë është i lidhur me talentin e ndonjë individi. Dhe i mbetet individit të përballojë i vetëm prodhimin ideologjik të perandorive, si dhe të teorizojë e vërtetojë se synimet kombëtare prodhojnë atdhe.

Lexo më shumë  Drejtoresha që e lidh bandën e Suel Çelës drejtpërdrejt me Ramën

– Realiteti prodhohet çdo ditë, ndërsa diplomacitë shqiptare punojnë për një kundër-realitet, atë ku shqiptari nuk ekziston subjektivisht. Libri përfshin tre vite vëzhgim të diplomacisë. Ai na dëshmon se kur nuk jemi të qartë në atë se ç’duam, as të shkuarën nuk mund ta përdorim. Një e ardhme pa qëllime të qarta kërkon më së pari të zhdukë dijen e së shkuarës.

E ardhmja nuk është abstrakte, sepse është e ardhme kombesh dhe shtetesh. Ne nuk po shkojmë drejt një bote të ç’interesuar. Me studimin e arkivës, z. Murati na tregon qartësinë që vjen prej arkivës ku gjenden operacionet, marrëveshjet, opinionet, negociatat, prirjet gjeo-politike nëpër kohë. Duke e shmangur të shkuarën dhe duke e zhveshur nga qëllimet tona të ardhmen, ne e marrim të tashmen për një absolut një-dimensional. Diplomacia jonë kthehet në masë an-historike, e që këtej ajo nuk ka çfarë t’i mësojë politikës. Mendjelehtësia na bën të harrojmë se jetojmë në botën e shtet-kombeve.

– Nëse politika është perspektiva shumatore e interesave tanë, diplomacia është shprehje e diferencuar e saj në sferën e jashtme. Nëse politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë, diplomacia është shprehje e diferencuar e politikës. Dhe kjo sepse diplomacia është vlerësim i rezultateve historikë dhe politikë.

Në këtë prizëm, librat e z. Murati na qartësojnë përgjithësisht lidhur me mjegullnajat që lindin prej përkrahjes së propozimeve serbe, qofshin konferenca ndërkombëtare, zajednicë, shkëmbime territoresh, ballkan i hapur, anëtarësim në OKB, konferenca ndërkombëtare për statusin e Kosovës. Nëse i lexojmë ne nuk i harrojmë. Po patëm kujtesë, propozime të tillë do të na bëhen rrallë. Diplomacia ndërlidhet me përtacinë shoqërore. Edhe një herë, përtacia jonë vjen nga fakti se totali na tremb.

– Në shoqërinë tonë thuhet se diplomati nuk bën politikë, dhe kjo jo ngaqë ata që e propagandojnë këtë nuk e njohin diplomacinë, por ngaqë nuk njohin politikën. Merrni si shembull shkrimin e parë, atë të datës 30 korrik 2018 “Në Bruksel po vërtitet Konferenca e Londrës. Pse nuk ndihet Shqipëria?”.

Që këtej vëreni karakteristikat e gabuara që i veshim diplomatit. Ai mendohet tekstualisht i urtë, gjë që në gjuhën tonë të përditshme është cilësimi me të cilin maskojmë kompleksin e inferioritetit. Duke zgjedhur ambasadorë të dobët në kulturë, ne e kemi të sigurtë se ata do të kyçen në marrëdhënie prej ku do të mund të përfitojë personalisht ai që i ka ngritur në atë post dhe jo institucioni i shtetit.

– Kompleksi i inferioritetit vjen nga mungesa e dijes së shkuar dhe ajo e përgjegjësisë shtetërore. Gjë që bën që çdo frazë sporadike që dëgjojmë në korridoret e diplomacisë na duket si kusht i pashmangshëm. Diplomatët tanë flasin gjuhën e të huajve dhe e deklarojnë atë si kusht për mendimin e ekzistencës sonë politike. Kur diplomacia, e cilësuar si marrëdhënie e butë, shuan karakterin subjektiv të politikës, atëherë ne vendosim të normalizojmë marrëdhëniet me kërcënimin e sovranitetit tonë.

Pa njohur perspektivën historike të negociatave, horizontin juridik të sovranitetit, vektorët e opinionit mediatik dhe të inteligjencave në rajon dhe më gjerë, njohjen e gjeografisë së rajonit dhe socio-ekonominë që e rrethon, ne arrijmë deri aty sa refuzojmë parimet.

– Për pasojë, dhëniet e sovranitetit janë bërë të shpeshta, me dy rastet më flagrante: deti, çështja kufitare e të cilit është e zgjidhur në 1926-n, dërgohet në Hagë; ideja që statusi i Kosovës, i kaluar tashmë edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ripropozohet nga vetë ne si çështje për një konferencë ndërkombëtare. Injoranca mbërrin rrafshin e ligësisë. Ne e dërgojmë sovranitetin tonë si çështje në arenën ndërkombëtare. Dhe kjo është sjellje e njëjtë me kapitullimin. Mbrojtjen shtetërore të sovranitetit nuk e kthejmë në refleks të pakushtëzuar, por në temë dialogu.

Ne nuk lexojmë analitikisht dhe ditë për ditë sjelljet tona diplomatike e as raportet gjeopolitike në botë. Në idenë tonë për sovranitetin, nuk quhet radikal ai që e jep sovranitetin, por ai që e mbron me çdo kusht! Po ta kthejmë në zakon shtetëror mbrojtjen e përditshme të sovranitetit, nuk do ta kemi më të mundur as të mendojmë delegimin e tij dhe as dhënien e përfaqësimit.

Mjaft të merrni si shembull rastin e presidentit të Serbisë që përfaqëson para presidentit të Francës interesat e Republikës së Shqipërisë lidhur me Ballkanin e hapur. Librat e z. Murati janë shembujt më të mirë për të kuptuar se si analizohet ditë për ditë nga pozitat e mendimit sovran.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

– Një politikë solide është diplomaci e ngutshme për bashkimet kombëtare dhe jo për ndarjet. Rasti i ngutit me Greqinë dhe me “Ballkanin e kapur”, si dhe indiferenca me të cilën u kryen deri tani marrëveshjet ndërshtetërore mes dy republikave shqiptare, ndërhyrja ruse në rritje në Ballkan, implikimi i Serbisë në çdo marrëdhënie të Shqipërisë dhe Kosovës, rehabilitimi i krimeve të Serbisë në gjuhën e Tiranës zyrtare, preferenca e një Ballkani të kapur kundër një Evrope të ngadaltë, ngatërrimi i shqiptarëve në tema, siç ishte zëvendësimi i njohjeve të Kosovës me anëtarësimin në BE, nxjerrja e Serbisë si më pro-evropiane me pretekstin se është pro integrimeve ballkanike të propozuara nga ajo vetë, pra ngatërrimi i konceptit të integrimit evropian me atë të Jugosllavisë, sovranitetit i dyfishtë i Kosovës, po temë e shpikur nga Serbia, janë shembuj të bollshëm se ne flasim për tema të shpikura jo nga ne, por nga Athina dhe Beogradi.

– Diplomati është shprehësi publik i interesave të shtetit të tij dhe jo zëdhënës i ndërkombëtarëve ose shteteve të huaj. Është një sëmundje më e gjerë shoqërore kjo e diplomatit. Ne duam të kemi domosdoshmërisht opinion, por përtojmë përjetësisht të ndërtojmë mendim.

Pasojat:

– Rasti i mirë nuk përdoret te ne për të transformuar politikisht mjedisin tonë, por për të ndërtuar shpresën se mjedisi gjeopolitik do të ndryshojë për ne.

– Nuk ka aleat absolut, por aleat strategjik e ndoshta vendimtar. Aleati strategjik dhe vendimtar rezulton prej konjunktimit të sjelljes sonë dhe gjendjes globale. Nuk ka absolut në gjendjen globale. Ky absolut mund të krijohet nga puna jonë e përditshme, intelektuale dhe analitike, morale dhe politike, nga gjendja e së drejtës që ne ndërtojmë në formën e shtetit. Por unë nuk di që të ftohet z. Murati në vendet ku ne prodhojmë me qindra diploma marrëdhëniesh ndërkombëtare. E në këto kushte diplomati, ambasadori, drejtuesi i akademisë diplomatike kthehen në intelektualë që i bëjnë thirrje shtetit dhe institucioneve.

Ky është shteti që i humb kuadrot e vet. Ndërkohë, bota është poliarki, dhe, në një botë të tillë, vetëm fatalizmi psikologjik që vjen prej mungesës së besimit në vete mund të ngjizë idenë e “absolutisht i dobët”. Vetëtradhtia punon me sinoniminë mes absolutit të aleatit dhe absolutit të dobësisë. Ndaj na lipset edukimi i kuptimit ideal, aty ku inkurajimi i ushtrimit të reflektimit bën që koncepti i së drejtës ta ndaloj vetvetiu dobësinë absolute.

Ja edhe disa nga përmendjet që na përfshijnë prej leximit e që duhet të na shërbejnë si referenca minimale të domosdoshme:

1.Në çdo hap me Serbinë duhet të kuptojmë: Kosova nuk ka qenë pjesë e Serbisë, por e Jugosllavisë. 1244 nuk i transmeton asnjë të drejtë Serbisë, e cila në atë vit nuk ishte ende e njohur nga OKB-ja.

2.Në vitin 1926 është mbyllur për Shqipërinë çështja e kufijve, dhe është e vështirë të interpretohet lëvizja e ndërmarrë nga përfaqësuesi qeveritar i republikës së Shqipërisë për çdo ripërcaktim të kufijve.

3.Nuk është Serbia ajo që e anëtarëson Kosovën në OKB, por është njohja e Kosovës ajo që e anëtarëson Serbinë në BE. Dhe kjo e dyta është mundësia më e pamundshme.

4.Në kujtesën tonë shtetërore mungojnë një numër i madh notash proteste, jo sepse po i kërkojmë e nuk po i gjejmë në arkivat e institucioneve, por sepse institucionet e shtetit tonë nuk i kanë bërë kurrë.

5.Marrëveshja e 4 shtatorit 2020 nuk nënshkruhet nga presidenti i Amerikës, qoftë ky edhe Trumpi, por nënshkruhet nga një kryeministër i paligjshëm i Kosovës; zotimet nuk përputhen në dy gjuhët, fenomen që e njohim edhe me marrëveshjen mes presidentëve në rastin e demarkacionit me Malin e Zi.

Neve na takon, para së gjithash neve vetë, t’i bindim ndërkombëtarët se drejtësia dhe e vërteta e sjellin stabilitetin e jo fshehja e krimit dhe tolerimi pa kufi i Serbisë.

——-

Botuar në DITA. Autori është drejtor i “Institutit Politik të Studimeve Humane”

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *