Rusia ia redukton Francës furnizimin me gaz
Evropa po përballet me një shtrëngim të mëtejshëm në furnizimet ruse të energjisë, pasi “Gazprom” i tha ndërmarrjes franceze “Engie SA” se do të reduktojë dërgesat e gazit duke filluar nga e marta për shkak të mosmarrëveshjeve mbi disa kontrata, njoftoi Reuters të martën.
Moska në mënyrë progresive i ka zvogëluar furnizimet me karburant në Evropë si hakmarrje për sanksionet që lidhen me luftën e saj në Ukrainë.
Shkurtimet, të cilat deri më tani kanë synuar kryesisht Gjermaninë dhe Evropën Lindore, e kanë zhytur kontinentin në krizën e tij më të keqe energjetike në 50 vitet e fundit, duke i çuar çmimet në rritje mes shqetësimeve për mungesat gjatë dimrit që po vjen.
Njoftimi vjen pas thirrjes të së hënës nga kryeministrja franceze, Elisabeth Borne, për bizneset, që të shkurtojnë përdorimin e energjisë ose do të përballen me reduktime të mundshme këtë dimër, në raste se Rusia ndalon dërgesat e gazit.
Një numër shumë më i lartë se zakonisht i ndërprerjeve në reaktorët bërthamorë të vjetruar të “Electricite de France SA” po tensionon gjithashtu tregun e energjisë, duke çuar në rekord çmimet e gazit dhe energjisë elektrike në Evropë.
“Gazprom ka informuar Engie për një reduktim të dërgesave të gazit, duke filluar nga sot, për shkak të një mosmarrëveshjeje midis palëve për zbatimin e disa kontratave”, tha kompania franceze në një deklaratë të martën.
“Siç ishte paralajmëruar më parë, Engie ka siguruar tashmë vëllimet e nevojshme për të përmbushur angazhimet e saj ndaj klientëve dhe kërkesave të veta dhe ka vendosur disa masa për të reduktuar ndjeshëm çdo ndikim të drejtpërdrejtë financiar dhe fizik që mund të rezultojë nga një ndërprerje e furnizimit me gaz nga Gazpromi”, thuhet më tej në deklaratë.
Rruga Press