Shtetet ku mund të mbijetohet nëse nis një luftë bërthamore
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusisë dhe Kinës, janë rritur javët e fundit dhe bota po përjeton edhe një herë një frikë që nuk e kishte ndjerë për një kohë të gjatë: atë të një lufte bërthamore.
Një buton i vetëm i shtypur nga një prej superfuqive mund të ndryshojë planetin përgjithmonë, gjë që do të sillte pasoja shkatërruese jo vetëm në çast, por efektet e tyre do të ndiheshin edhe shumë vite më vonë.
Një studim i fundit i kryer nga revista “Nature Food” shpjegoi se lëshimi i bombave atomike nga Moska dhe Uashingtoni do të shkaktonte një zi buke të paprecedentë, për shkak të ndërprerjeve në furnizimin me ushqime, dhe dy të tretat e njerëzimit mund të vdesin nga uria. “Të dhënat na tregojnë një gjë: ne duhet të parandalojmë që të ndodhë një luftë bërthamore. Nëse ekzistojnë armë bërthamore, ato mund të përdoren dhe bota i është afruar disa herë luftës bërthamore. Ndalimi i armëve bërthamore është zgjidhja e vetme afatgjatë”, tha në një deklaratë shkencëtari i klimës Alan Robock, bashkautor i studimit.
Profesori i shkencës ushqimore në Universitetin Teknologjik Nanyang të Singaporit dhe drejtori i një programi të sigurisë ushqimore të lidhur me qeverinë, William Chen, tha se “ndikimi psikologjik mund të jetë më i madh se dëmi në vetvete”. Kështu, për t’u përgatitur për paqëndrueshmëri të mëtejshme globale, shtoi ai, vendet duhet të largohen nga bujqësia tradicionale dhe të diversifikojnë burimet e tyre ushqimore. Kultivimi i kërpudhave, bujqësia në ambiente të mbyllura dhe prodhimi i proteinave të insekteve ose ushqimit të bazuar në mikroalga mund të jenë alternativat e duhura. Sipas studimeve, Argjentina dhe Australia kanë shpresën më të mirë që shoqëria e tyre të mbijetojë për një dekadë nëse shpërthen një luftë bërthamore.
Robock shpjegoi për “The Times” se arsyeja pse këto vende kanë avantazh është sepse ato tashmë rritin kultura më rezistente, si gruri, në sasi të mëdha. Të qenit nga vendet më larg hemisferës veriore, nga qendra e Evropës dhe nga fuqitë kryesore, i japin Argjentinës dhe Australisë mbrojtje shtesë, sepse vala e shpërthimit nga bombat bërthamore nuk do të arrinte në këto territore. Në këtë mënyrë, argjentinasit dhe australianët mund të qëndronin të ushqyer për shumë më gjatë.