Kurti: Propozova gjashtë pika për marrëveshjen kornizë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka raportuar për takimin që pati në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
Ai ka thënë se në takim ishte paraparë të diskutohej vetëm për dy tema – diskutimi për elemente të marrëveshjes finale dhe çështjet aktuale.
Kurti ka thënë se te tema e parë ka elaboruar në detaje këndvështrimet e Kosovës për marrëveshjen kornizë dhe elementet që duhet të përfshihen në të.
“Kemi elaboruar në gjashtë kapituj. Kapitulli i parë të definonte qartë statusin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve e kontekstin ndërkombëtar, që nënkupton në njërën anë njohje reciproke e në anën tjetër rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në organizata ndërkombëtare. Në kapitullin e dytë duhet të trajtojmë ballafaqimin me të kaluarën, të adresojmë të kaluarën ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale, personat e zhvendosur, drejtësia tranzicionale, dëmet materiale dhe jomateriale të luftës, kthimi i dokumentacioneve publike dhe artefakteve arkeologjike e etnologjike. Pas trajtimit të plotë të së kaluarës mund të diskutojmë për të ardhmen, që ka të bëjë me vendosjen e bashkëpunimit me dy vendeve. Pas trajtimit të plotë të së kaluarës mund të diskutojmë për hapat e të ardhmes, që kanë të bëjnë me vendosjen e bashkëpunimit”, ka thënë Kurti.
Ai ka treguar se si pikënisje e bashkëpunimit janë katër liritë themelore të procesit të Berlinit.
“Në kapitullin e katërt kemi ofruar trajtimin e barabartë të pakicave respektive, si për serbët në Kosovë ashtu edhe shqiptarët në Serbi. Në kapitullin e pestë duhet të konsiderojmë marrëveshjet e deritashme, por jo me idenë e rinegocimit të tyre, siç është plasur dezinformata nga pala tjetër, por shqyrtimi i asaj se cilat nga këto marrëveshje veçse janë tejlaluar nga pranimi e nënshkrimi i marrëveshjes finale ligjërisht të obligueshme e cilat prej tyre duhet të vazhdojnë të implementohen. Kapitulli i fundit ka të bëjë me vendosjen e mekanizmave për zbatimin e marrëveshjeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale gjatë zbatimit. Ka qenë pritja jonë që pika e parë e agjendës të konsumonte pjesën më të madhe të kohës, e për këtë arsye kemi qenë të gatshëm të qëndrojnë përtej të enjtes”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se elaborimi i tij nuk është shoqëruar me kontribut pozitiv nga pala serbe.
“Duhet të bisedojmë për kornizën e marrëveshjes së përgjithshme ligjërisht obliguese, e jo menaxhim krize me hapa të vegjël e probleme eventuale e potenciale të sigurisë. Unë isha atje si kryeministër i Kosovës, e jo si polic, doganier, prokuror, gjykatës, apo shef i kadastrit. Shkova si kryeministër”, ka thënë Kurti.
Rruga Press