”Plumbi i artë”, arrestohet një tjetër i kërkuar pas dëshmisë së Nuredin Dumanit
Një tjetër person është vënë në pranga në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”. Policia njofton se është arrestuar 49-vjeçari Agim Gjini si pjesë e grupit të Nuredin Dumanit. Sipas bluve të Durrësit, Gjini u kap dje pas informacioneve të marra në rrugë operative për vendin ku ndodhej ai.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar për 49-vjeçarin masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprat penale “Vjedhja me dhune” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Policia ka arrestuar Nuredin Dumaninin dhe disa të tjerë në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”, ndërkohë që ndodhen në arrati ende Talo Çela, Ervis Martinaj, Alban Bengasi, etj.
Dumani u arrestua mbrëmjen e 29 marsit në Fier pak pasi kishte marrë mjekim për plagosje në shpinë nga tre mjekë në një shtëpi private.
Dyshohet se Dumani mbeti i plagosur gjatë një atentati që kishte organizuar kundër Talo Çelës, një tjetër person i shumëkërkuar.
Dumani konsiderohet një nga personat më të rrezikshëm në Shqipëri, i akuzuar për një seri ngjarjesh kriminale.
Pas arrestimit të Dumanit u lëshuan 32 urdhër-arreste.
Rruga Press