Korrupsioni ndikon te kostoja e lartë e rrugëve në Shqipëri
Gazetari Klodian Tomorri foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi projektin e rrugës Adriatiko-Joniane dhe kostot e ndërtimit.
Tomorri thekson se në Shqipëri ka përgjithësisht kosto të lartë të ndërtimit të rrugëve, ku ndikim ka korrupsioni. Tomorri shprehet se as koncesioni dhe as tenderi nuk janë imunë nga korrupsioni.
Kostoja është 250 milionë, shifra 1,3 miliardë euro është fluksi i të ardhurave që koncesionari pritet të arkëtojë në 35 vite. Është kostoja e mirëmbajtjes së rrugës dhe fitimi i kompanisë koncesionare. Janë dy gjëra të pakrahasueshme, kostoja e ndërtimit dhe fluksi i të ardhurave. Në rrugët me tender, fituesi e ndërton rrugën dhe qeveria e paguan nga buxheti. Metoda tjetër është ajo me PPP. Kanë kosto të ndryshme. Kostoja klasike e tenderit, paratë i paguhen kompanisë menjëherë, kompani e paguan rrugën me paratë e shtetit. Ndërsa me koncesion, kompania e ndërton me paratë e veta, dhe do të marrë koston e kapitalit, fitimin e saj, e kështu me radhë. Kur paguan nga buxheti i shtetit mund të marrësh në vlerë ndërtimi një kosto më të ulët, por do marrësh borxh. Në Shqipëri ka një kosto relativisht të lartë të ndërtimit të rrugëve, dhe ndikon korrupsioni. Ky ryshfet që jepet shkon në rritjen e kostos që paguajnë qytetarët. Ka raste flagrante se si rrugë kanë përjetuar rritje dramatike të kostos. Kemi rrugën Qukës- Qafë Plloç, që është rast unikal, që ka filluar të ndërtohej prej më shumë se 10 vjetësh, që ka konflikt interesi, korrupsion të zyrtarëve, që në finalë kanë prodhuar një rritje të jashtëzakonshme të kostos për qytetarët. Sa i përket autostradës joniane është e rëndësishme që projekti të vazhdoj përpara, pastaj nëse duhet bërë me koncesion apo tender, ka avantazhet dhe disavantazhet e veta”.
Duke folur mbi rrugën Adriatiko-Joniane, Tomorri thotë se ajo do të ketë një tarifë kalimi 2,1 euro për automjetet. Ai thotë se shpesh bizneset në Shqipëri marrin përsipër të ndërtojnë vepra që s’i realizojnë dot, duke i lënë ato peng.
Burimi i financimeve është i qartë. Rruga ndërtohet me fondet e kompanisë private, se ku do t’i gjejë paratë ne se dimë. Mund të ketë para të veta, mund t’i marrë në banka, kjo është çështje e kompanisë private. Rruga do ketë tarifë kalimi 2,1 euro për veturat. Ndërsa për kamionët një tarifë disa herë më e lartë. Gjithë këto të ardhura që do merren nga tarifa e kalimit, do të prodhojnë një të ardhur totale prej 1,3 miliardë euro. A do të jenë raste suksesi? Këtë nuk e dimë. U tentua dhënia e një segmenti tjetër po në këtë aks nga Miloti në Balldren te një kompani tjetër, e cila parashikonte ndërtimin nga kompania dhe shlyerjen nga buxheti për 130vjeçare. Ajo kompani deri më sot s’ka arritur të sigurojë fondet dhe projekti as është filluar fare. Në këtë vend shpesh bizneset nga tahmaja e madhe kërkojnë të marrin përsipër gjëra që si bëjnë dot dhe e lënë vendin peng të këtyre kontratave”.
Lidhur me ankesat e ish-ministrit Ahmetaj se sektori bankar nuk po tregohej aktiv në financimin e projekteve të infrastrukturës, Tomorri tha se bankat në Shqipëri s’kanë kapacitete për të financuar projekte të mëdha.
I gjithë Veriu i Shqipërisë sot është në ngërç, nga Tirana në Lezhë trafiku është i tmerrshëm, mund të duhen edhe 4 orë ose më shumë. Problemi i infrastrukturës duhet zgjidhur, pastaj nëse duhej të ishte përmes koncesioneve apo prokurimit të drejtpërdrejtë nga buxheti ka diskutime, dhe një debat të madh. Në ato zona ka filluar të ketë një gjallërim të turizmit, në Lezhë, Shëngjin, Velipojë. Këto zona kanë nevojë për infrastrukturë që të kenë më shumë turizëm dhe të ardhura. Bankat operojnë në një kuadër ligjor dhe kanë parametra jashtë të cilave s’dalin dot. Një bankë s’mund të kreditojë më shumë se 10 për qind të kapitalit të saj te një kompani e vetme. Bankat shqiptare s’kanë aq kapacitete për të financuar projekte kaq të mëdha”.
Duke u ndalur te rruga Milot-Kashar, Tomorri tha:
Nga Miloti në Thumanë rruga është ndërtuar, jo autostradë e standardit A4. Pjesa e pandërtuar është pjesa nga Thumani në Kashar. Ky segment ka gjatësi 17 km, dhe do ketë kosto 250 milionë euro, si fluks të ardhurash shkon në 1,3 miliardë euro. Borxhi publik i Shqipërisë është gati 80 për qind. A ka më hapësira fiskale Shqipëria për të financuar projekte kaq të mëdha, si Milot-Fier? Unë nuk mendoj se ka. Të gjitha rekomandimet janë që Shqipëria duhet të ulë borxhin publik sepse rrezikon qëndrueshmërinë financiare. Koncesionet mund të jenë instrument efikas nëse bëhen të zgjuara, në përputhje me ligjin dhe mbrohen nga praktikat korruptive. Në Shqipëri nuk e kemi këtë mbrojtje. Nuk shoh që edhe në prokurimin klasik me tender do ishim imun nga korrupsioni. Qukës-Qafë Plloç është prokuruar me tender, por edhe aty kostoja është rritur dy herë, kemi rrugën Durrës-Kukës. As tenderat as koncesionet s’janë imune nga korrupsioni”.
Tomorri deklaroi se korridori adriatiko-jonian nuk lidhet me projektin e portit turistik të Durrësit, por është një projekt i hershëm i BE-së, me qëllim rritjen konektivitetit në vendet e rajonit.
Është një projekt shumë më i hershëm se sa koncesioni për portin turistik. Ka qenë shtysë e BE-së për të rritur konektivitetin e vendeve të rajonit. Për të integruar jo vetëm ekonomitë e vendeve të rajonit, por edhe me Evropën. Është parë si stimul që të nxisë rritjen ekonomike të vendeve. Është oportunitet që do të duhet ta shfrytëzonim. Shqipëria ka avantazhin e të qenit një vend bregdetar. Shqipëria mund të shndërrohet në vend që t’u mundësojë vendeve të tjera dalje në det kundrejt përfitime. Janë projekte që do marrin kohë të realizohen. Shpresoj që do realizohen në interesin më të mirë të taksapaguesve”.
Rruga Press